Krijimtari

“Orë të Franc Kafkës”, roman i ri nga Faruk Myrtaj

Prozatori i mirënjohur me banim prej vitesh në Toronto, Faruk Myrtaj, vjen para lexuesve me romanin e tij të ri që titullohet “Orë të Franc Kafkës”. Në korpusin e veprës se tij, ku mbizotërojnë tregimet, novelat dhe ese-të, ky është romani i dytë, pas “Atdhe tjetër”, botuar më 2012.

Kujtojmë që Faruk Myrtaj u nominua së fundi nga Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë edhe si kandidat për Çmimin Kombëtar të Letërsisë në gjininë e tregimit, për vëllimin me tregime të titulluar “Këpucë për gjyqin e fundit”.

Roman eseistik cilësohet “Orë të Franc Kafkës” i publikuar nga Shtëpia Botuese UEGEN e Xhevahir Lleshit ndërsa si ballinë e librit është përzgjedhur tabloja e Helidon Halitit “Orë të jetës”.

Duke i uruar përzemërsisht autorit suksese, Flasshqip po sjell më poshtë një Synopsis mbi romanit e sapobotuar.

Mbase jo gjithnjë e vërteta bën mirë… Padija, ndodh jo rrallë, na çon përpara më me komoditet! Heroi, zakonisht, niset për Diku pa e ditur se Çfarë do gjejë Atje.  Madje, pa e ditur ç’do ta gjejë rrugës! Kur ky rast lë vendlindjen, sfida është edhe me e mprehtë se sa pritja përpara Portës së Ligjit të Kafkës.

Dihet ndodhia e shndërruar në mit: Franc la porosi djegien e dorëshkrimeve, mbase i trishtuar nga jeta e sedimentuar në to. Thuhet se mikesha e tij ia plotësoi këtë dëshirë, ia dogji, pothuajse e sigurt se letërsia nuk ishte ndonjë gjë serioze për mikun e saj! Përkundërt, miku i tij jo. I ruajti si nën amanet dhe kqyrja kafkaeske u bë qasje e brezave të tërë. Edhe njerëz të privilegjuar, që madje kanë zbukuruar putrën e Ligjit, rreken të shembëllejnë me Kafkën autor! Gjer na atë shtirje sa hipotetikisht, përse të mos vihet në dilemë: ka qenë vërtetë Franc Kafka apo jo?! Duhet respektuar që e shfaqi të brishtë përpara Ligjit, apo qortuar deri në asht moral? A ka masë që mat dallimin midis moralit të fjalës si art me dhimbjen e lexuesit si qenie njerëzore?

Sidomos në Lindje të Europës, besohet, Kafka ndiqet më me kureshtje se në Perëndim. Në këtë prozë eseistike, një Lindor shkon e gjen librin “Amerika by Kafka” pikërisht në North-America, kur sipas kronikës së sigurt të Kafkës real, ai ka jetuar në një zonë fare të ngushte dhe kurrë nuk shkeli në Tokën e Premtuar…

Dilema e qenies reale të Kafkës dhe vërtetësisë së mëtuar të shëmbëllimeve me të, rrëmben kureshtje njëlloj si rrekja për të gjetur një Atdhe të Dytë. Heroi meditativ është i prirur të humbasë fare kollaj në këtë realitet. Nuk e di koordinatën e jetës së tij. S’është i sigurt nëse ka Ikur nga Atdheu i Parë apo jo. Nuk do t’ja dijë fare për atdheun e dytë (“premtoj të të nderoj pa të njohur… se, kam frikë, nëse të njoh dhe zhgënjehem edhe tek ti… ku të shkoj pastaj?!”).

Ndjek fushatën elektorale në një shtet tjetër fqinj, gati gati si i dërguar special zgjedhje të lira…! Ndërkaq, Ata të Vendlindjes, miqtë e tij, dashamirësisht ose me pak zili, e mendojnë Diku në Perëndim, në një Shtet të Madh e Qytet të Ëndërruar, por ai e zvetënon qashtërisht qasjen e tyre duke ju shkruar se nuk është i sigurt nëse ka ikur vërtetë nga Atdheu i Tij dhe i Tyre.

“Unë nuk jam ku mendoni ju. Jam në një pallat, aty e kam punën, aty edhe banoj. Prej aty dal në raste të rralla fare, në natyrë…”

Në një rast daljeje nga kjo hapësirë e limituar, ashtu përhumbur duke medituar për Kafkën që paskej shkruar libër për Amerikën pa shkelur kurrë aty, pothuajse humbet gjithçka. Jo vetëm rrugën. Porta e Padijes i është shembur si një iluzion që askush nuk do ta besonte edhe po të provohej dot me fakte…

Ikja nuk është zgjidhje. Zgjidhje është të krijosh kulturë aty ku ndodh të gjendesh, po, pra, edhe duke provuar të ikësh për diku! Fëmijët e Medituesit e ftojnë të fillojë e të mendojë të artikulohet në gjuhën e vendit ku ka arritur, por ai ju rrëfen, gjithnjë i sinqertë, se vetëm pas këtyre vjetëve ikur prej vendlindjes, ka nisur t’u gëzohet hireve të gjuhës atje… Askush s’e beson trishtimin se njeriu është mësuar se gjithnjë duhet menduar sa më pozitivisht…

©Flasshqip.ca