Indeksi i Paqes dhe Shqipëria e “luftës” - Nga Vangjush Saro

Indeksi Global i Paqes (GPI) është matësi kryesor në botë i paqes globale, një raport që realizohet çdo fundviti nga Instituti për Ekonominë dhe Paqen (IEP). Ky dokument bazohet në të dhënat më të fundit për dukurinë e sigurisë dhe të paqes, reflekset e tyre në ekonomi dhe në mënyrën e zhvillimit të shoqërive që, më në fund, pasqyrojnë gjendjen e shteteve. Indeksi Global i Paqes mbulon 99.7% të popullsisë së botës dhe llogaritet duke përdorur 23 tregues e duke konkluduar në tre fusha: Niveli i sigurisë, përfshi atë shoqërore; shtrirja e konflikteve të vazhdueshme të brendshme dhe ndërkombëtare; shkalla e militarizimit. Pasqyra e nivelit të paqes në vende të ndryshme të botës, nuk se ka ndonjë ndryshim të madh vit pas viti; përjashto rastet kur konfliktet zgjerohen ose ringjallen.
Si rregull, vendet që vlerësohen më mirë dhe më shumë në këtë studim, janë ato ku zhvillimi dhe stabiliteti nuk janë një fjalë goje dhe as propagandë. Në këtë indeks të fundit, që i përket gjendjes në botë përgjatë vitit 2024, për fat të keq, Shqipëria nuk ka nderin të jetë në një renditje nderi…(Fundja, si gjithnjë.) Nuk është kështu ngaqë mund të ketë një konflikt të hapur, apo të fshehur të shqiptarëve me serbët; edhe për këtë fakt, natyrisht. Por më së pari, jemi të “panderuar” në këtë renditje, sepse kemi probleme të rënda me sigurinë dhe paqen e qytetarëve. Mungesa e qetësisë brenda vendit, krimet, aksidentet, korrupsioni janë dukuritë që e rëndojnë realitetin shqiptar dhe e nxjerrin atë zbuluar në një sërë indeksesh; pra, jo vetëm në atë të paqes.
Pse nuk gjejmë qetësi? Unë kam përmendur disa herë rastin e Sllovenisë (që edhe në këtë indeks është ndër vendet me kuota të larta). E kam përmendur jo pse e kam vizituar herët dhe e kam pare se ç’është (e jam mahnitur); jo pse e kaloi me lehtësi tranzicionin nga një republikë e ish-Jugosllavisë në një shtet të lirë, të pavarur, të përparuar. E kam përmendur më së pari për faktin që në këto dekada ajo shikon punët e veta dhe nuk ndihet, s’e merr mundimin të mburret a të lypë rol “të rëndësishëm” në rajon, ndërkohë që punët i shkojnë paq. Ajo dhe drejtuesit e saj, ajo dhe intelektualët e saj, nuk thonë jam i pari, më i vjetri, më i miri, me kulturën ashtu e kështu, më gjuhën ashtu e kështu, me aksh aktorët të Hollivudit ashtu e kështu, me sulme që përpiqen të shtyjnë tutje fqinjin me më shumë fat, me “lidership” politik që udhëheqkërka Ballkanin apo Evropën dhe që merr përsipër të zgjidhë hallet e Zelenskit e të kujtdo tjetër që gjendet në luftë.
Jo. Këto punë e sjellje hipokrite dhe fodulle i marrim përsipër, tash sa kohë, ne shqiptarët; kupto: drejtuesit e shtetit shqiptar dhe një pjesë e intelektualëve “atdhetarë”. A thua, bash këta ka pritur Ballkani, Evropa e Bota që të rregullohen? Sllovenia, ishte fjala, shikon me modesti - pa mburrje e megalomani - punët e veta; nuk vuan të mbajë kot së koti kokën përpjetë. (Kalliri bosh e ka këtë hall, siç thotë fjala e urtë e popullit.) Në indeksin për të cilin po flasim dhe ku ne s’gjendemi kund, duken të pozicionuara mirë edhe vende të tjera të ngjashme (për nga historia) me ne, si Hungaria, Kroacia e Çekia. Epo? Problemi ynë i madh është përpëlitja për t’u dukur, mania për të treguar atë që fatkeqësisht s’e kemi, prirja për protagonizëm, pavarësisht nga “sa këllqe kemi”. Ky farë patetizmi, na ka rrëmbyer e zhgënjyer gjithnjë. (“Ai që këndon, i lehtëson hallet e tij.” Servantes)
Gjer edhe në një nga fjalimet e fundit - në atë darkën e shtruar me diplomatët e huaj - kryeministri ynë, krahas disa vlerësimeve që edhe mund t’i pranojmë, pse jo, nxitoi të merrte nëpër këmbë opozitën e vendit, duke u mjaftuar me atë çka i ofron… familja e tij. Sigurisht, kjo është një gjë e mirë, ne urojmë të jetë ashtu dhe gjithnjë i lumtur e i qetë. Por mund t’i kishte gjetur ca fjalë edhe për të tjerë që përpiqen të bëjnë politikë e opozitë në Shqipëri. Mund të thoshte: “Konflikti ynë me opozitën, ndonjëherë merr përmasa që s’do t’i dëshironim.” Mund të thoshte: “Askush dhe asgjë s’është e përsosur. Opozita, por edhe ne, kemi gabime që duhet t’i njohim.” Mund të thoshte: “Ajo që duhet të na inspirojë, është interesi i vendit.” Por asgjë nga këto nuk u pa dhe nuk u tha në fjalën e tij! Vetëm mburrje dhe… opozitë familjare; një gjë e padëgjuar ndonjëherë.
Në këtë rast - duke shtuar edhe shpërfilljen në fjalë - gjithë sa thamë më sipër mbetet (fatkeqësisht) kaq e vërtetë dhe pothuaj në kufijtë e ironisë. Por nuk duhet të kursejmë në këto radhë edhe veprimet e nxituara të opozitës, shpesh larg programeve e qasjeve që do të shërbenin vërtet jo vetëm si gjyq, por edhe si një alternativë për hallet e shumta të vendit. Këtu jemi. Për ç’paqe mund të flitet atëherë? Një arsye më shumë pse “nuk na kanë me sy të mire” këta indekset…
© Vangjush Saro