A di Krishti shqip? - Nga Alfons Zeneli
Mitropolitët si Filloreti i Kosturit, Grigori, Qirili e plot të tjerë formuluan mallkime të posaçme kundër gjuhës shqipe, ndonëse po sipas tyre shqipja as që ekzistonte. Shqipja ishte gjuhë e helmatisur, farmaqis alvanos. Ndaj dhe vdiq Petro Nini. Gëlltiti shqipen. Filloreti i Kosturit u ngjir duke paralajmëruar. Kush s’e dëgjoi doemos do e pësonte. Nuk zuri mend as Dhaskal Todhri. Helm iu bënë shkronjat e shqipes me të cilat donte të shkruante fjalën e "Theos" e të Kristos. Sopatë mbi qafë iu bënë dhe At Stath Melanit. I yshti djalli të mos i rrëfenin të shenjtat në greqishten e Theos.
At Stathit as të birin nuk ia varrosën në varrezat e kishës. Nuk ka as vendvarrim, as meshë, as kryq mbi të mallkuarit. Ia prenë At Stathit kokën që mendonte e fliste shqip, dorën ku mbante pushkën më të cilën luftoi kundër andartëve të Zografit. I kish dërguar Eladha dhe mëma Kishë e Kristos që dinte vetëm greqisht. Dhjetëra e qindra fshatra u dogjën. Duhej purifikuar zona. Me bajoneta ua nxorrën nga barqet djallin alvanos. Ua çliruan shpirtërat të infektuarve.
Nuk ishin të ligj, nuk ishin kriminelë barbarë bandat e Zervës, andartët e qeverisë greke. At Stathi, Mihal Grameno, Noli, At Visarion Xhuvani, Papa Kristo Negovani, Dhaskal Todhri i keqkuptuan se ishin të infektuar e helmuar e mallkuar e çkishëruar e bërë lanet nga paraardhësit e fortlumturisë. Andartët ishin thjesht egzorcistë, kishin bekim. Ishin të shenjtë.
Vite e vite më vonë, falë shenjtërisë që kishin, bënë të mundur që eshtrat e të paudhëve të vrarë dikur, eshtrat e barinjve, eshtrat e turqve e të romakëve të shndërroheshin në eshtra ushtarësh grekë. Prandaj sot e kësaj dite, Këlcyra dhe fshatra të tjerë janë zbukuruar me varrezat e bardha të ushtarëve të Eladhës. Falë Zotit për këtë vepër madhore kontribuoi edhe qeveria shqiptare nën drejtimin e kalorësit të Varrit të Shenjtë të Kishës Greke. Se erdhën ditë të bardha.
Ushtari i Vorio Epirit qirje Fredi u vizitua në burg edhe nga fortlumturia tashmë i ndjerë Anastas. Edhe ai heroi minoritar që bëri luftë me policinë. E meritonte. Nuk mund t’i mohohet bekimi palikarit. Edhe arqimandriti Hristostomos që shpërndante harta të Vorios së shenjtë, i bekuar ishte. Shërbëtorë të virgjër e të bindur të fortlumturisë se hirtë tashmë të ndjerë ishin. Se tashmë në “Sqipëri” mbretëron paqja. Kisha OrTHoDHokse është pastruar e bërë xixë.
A i keni dëgjuar ndonjëherë emrat e qoftëlargut, dmth emrat e At Visarion Xhuvanit, At Fan Nolit, At Stath Melanit, Papa Kristo Negovanit të përmenden në kishën e purifikuar orTHoDHokse të fortlumturisë së tij? Kurrën e kurrës. Shpirti i tyre është zhytur në katran. Ata janë lebrozë, thoshte hirësia e tij mitropoliti i Kosturit Fillareti.
A është dëgjuar ndonjëherë nga goja e fortlumturisë së tij ndonjë meshë a lutje për ata alvanosët kokëpalarë që me të drejtë policia dhe ushtria e Eladhës i rrihte e vriste kufijve? Po për mijëra shqiptarët e Kosovës kur i masakronte ushtria serbe? Ajo ushtri e bekuar nga sivëllau serb i hirësisë së fortlumtur? Pupupu, mos qoftë e thënë. Hirësinë serb e ftoi këtu kur u inagurua kisha e re. Kosova është Serbi, kumboi kristua serb. Serbia "u ngjal". Edhe kristua grek "u ngjal". Vetëm ai i Shqipërisë nuk u ngjall kurrë.
A thua ka Krisht shqiptar?
A thua di Krishti shqip?
© Alfons Zeneli