Kolumnist

Shqiptari biometrik - Nga Ilir Levonja

Një gazetar shqiptar tha se ''po të më pyesni mua, emigrantët nuk kanë përse votojnë. Ata nuk jetojnë këtu, kështu që nuk kanë përse e zgjedhin ata kryeministrin tim''. Kur e thotë këtë një gazetar, mos pyet më për zgjedhje të rregullta, mos fol më për votën e lirë, të drejtat e njeriut dhe të drejtën sipas Kushtetutës së vendit. Dhe nuk ia vlen ta përmendesh me emër, pasi në tërësi studiot shqiptare i kanë me shumicë shërbëtorë të tillë.

Kur shkruajta para pak ditësh (ashtu përciptas) se vota e emigrantëve është totalisht manipulimi i shekullit, shumë komentonin se, jo nuk është ashtu, por ju duhet të keni medoemos një dokument shqiptar. Nuk e keni, mos bëni gërr-vërr. Kështu doli dhe po del në debatet e fundit televizive, mungesa e pasaportës biometrike, të cilën shteti shqiptar e emetoi në mos gaboj rreth viteve 2009-2010 (një nga ato kriteret e komunitetit Europian) kur më në fund shqiptarët filluan lëvizjen e lirë në Europë.

Tani doemos që shumë emigrantë nuk janë të pajisur me pasaportën biometrike shqiptare. Kjo është një nga ato firot e pa studiuara të atyre përfaqësues edhe të opozitës, firmëtarëve apo grupit të punës, që firmosën marrëveshje me regjimin Rama, firmëtarë që nuk i parashikuan këto  ngërçe dhe sot i kërkojnë po regjimit,  të na japë mundësi vote edhe ne emigrantëve që nuk disponojnë pasaportën biometrike shqiptare.

Shumë gazetarucë studiosh e konsiderojnë këtë ngërç si një gabim tonin, të emigrantëve. Sipas tyre duhet të aplikojmë dhe ta marrim. Po askush nga ata nuk e gjykon dhe e kupton dot se si një emigrant në polin jugor të Amerikës, mund të shkojë në New York urgjentisht për një pasaportë biometrike të shtetit shqiptar. Ndërkohë që shtetarët shqiptarë u lëshojnë pasaporta para kamerave, madje u paguajnë edhe biletat, honoraret, guidën etj., plot vipave vetëm për shkak të origjinës dhe famës.

Nëse do kërkosh pak në sistemin social-ekonomik të Shqipërisë, ato çfarë sjellin emigrantët, përfshi edhe kontributet e bamirësisë të drejtpërdrejta në emisionet televizive, për njerëz në nevojë, fëmijë të sëmurë, prindër të braktisur, paraplegjikët, janë një bum dhembshurie e dashamirësi vullkanike në raport me kujdesin social të shtetit shqiptar, por edhe vipave shqiptarë.

Kjo mendësi gazetareske është parapërgatitja e një mish-mashi të madh në zgjedhjet e 11 majit 2025. Eshtë në vazhdën e asaj mendësie ku të gjitha fajet i ka opozita, aq sa edhe një gazetar që paguhet me miliona lekë në muaj, vetëm për mos të prishur rehatine personale, tripet familjere të llojit vip, do i vërsulet apatisë së emigrantit dhe jo regjimit, manipulimit apo strategjisë për të rrudhur votën e emigrantit.

Llogaritë janë të thjeshta. Një qeverisje me 850 mijë vota dhe me 32% pjesëmarrje në votime, ata që kanë pesë gram njohuri nga statistikat e dinë mirë se sa dhe se si do ndikojë vota e emigrantëve me pasaporta biometrike, ku thuajse 80% e tyre, nga regjistrimet e deritanishme janë të pavlefshme dhe 20% janë kontaktuar personalisht deri nga zëvendëskryeministri dhe punonjëset sociale të qeverisë shqiptare. Jo më kot një gazetaruc tjetër tha, PS-ja është shumë më përpara se opozita. 

Në një sistem vërtet demokratik, një emigrant i cili ruan me fanatizëm një pasaportë, në rastin konkret emigranti shqiptar, pavarësisht se kush e ka lëshuar, Zogu, apo qeveritë nën Italinë, Enveri, Ramizi, Meksi, Nano, Berisha, apo Rama, e ruan kësisoj jo për shkak të emrave, por për shkak të shqiptarisë. E mban shallin, flamurin, plisin, jo për shkak të emrave apo komisioneve burokrate, por për shkak të shqiptarisë. Madje edhe në pasaportën dopio biometrike të vendit ku jetojnë e kanë me gërma të mëdha kombësinë shqiptare dhe vendlindjen.

Mirëpo bash shteti amë, sipas teknicienëve e ka të vështirë t'i identifikoj si shqiptarë, megjithëse shumë prej tyre, gati 99% nuk janë ç'regjistruar nga Gjendja Civile dhe një nga këta jam edhe unë.

© Ilir Levonja