Krijimtari

Apokalipsi 2020 - Nga Vangjush Ziko

Nga: Vangjush Ziko

Kyçin na e mori Jeta,

nuk hapet dera,

vetëm era e gjellëve

dëshmon se jemi gjallë,

makinat në parking

gurë nga qielli rënë

në një natë me shi

dhe stuhi,

vigjëlojnë në spitale

ëngjëjt e saj të bardhë,

Vdekja

(lady makbeth

me koronën e hekurt mbi kokë),

lan duart e përgjakura

në Niagarë,

Globi i molisur

mbyllur në shpellën e vet,

llazar që pret Shpëtimtarin

t'i lëvizë shkëmbin e varrit.