Krijimtari

Korçës - Nga Vangjush Ziko

Sikur mos kisha pirë ujin tënd
Në prozhmet e Moravës të filtruar,
Sikur mos kisha shkelur mbi kalldrëm
Prej dorës së korçares të pastruar.

Sikur mos isha ulur një mëngjes
Në ato bango të Mësonjëtores,
Të nxëja ato shkronja të abecesë
Të shkruara me gjak të kuq shënjtorësh.

Sikur mos kishte dehur shpirtin tim
Një serenatë e ëmbël mandoline,
S'do kisha pjekur, mbase, një agim
Binjaket Dashuri dhe Poezinë.

Sikur mos ishe ti, unë jam i bindur,
Në jetë dhe në botë duke u endur,
S'do mbaja unë lart kokën e thinjur,
O djepi edhe varri im i dhembsur.

1998 Vëllimi: “MAGJI E DASHURISË”