Ëndrra e lirisë - Nga Vangjush Ziko
E ndiej në mish gjilpërën
(më qep kostum të ri),
e ndiej gërshërën tënde,
histori.
Më shqep e më qep
nga e para
lëkurën e argasur,
lëkurën nga erërat përtharë,
nga cingërimat plasur.
Dhëndër nuk bëhem dot prapë,
nuk bëhem as bos i pasur,
një palë xhinse mjaftojnë
dhe një këmishë e thjeshtë,
xhepat le të mungojnë,
vargjet i mbaj në zemër.
Kur njerëzit më takojnë,
u jap një varg të gjelbër,
u them po vjen pranvera,
zhvisheni rrobën e vjetër,
me gjilpërë ferrash
qep jeta kostum tjetër.
Ndiej që më dhemb në mish
gjilpëra e historisë.
Sa zor të vishesh dhëndërr
me ëndrrën e lirisë.
2015 - Vëllimi “MBASE NESËR GDHIN E DIEL”



