Krijimtari

Artan Gjyzel Hasani: O ti që je ndryshe…

…nga ata të tjerët

ndryshe nga tufa e bagëtisë që bariu mbyll në grazhd

ndryshe nga gomerët, minjtë, hienat, skuthët

bretkosat, gjarpërinjtë, zvarranikët

kameleonët, papagajtë dhe majmunët…

ik sa më larg kësaj skote të neveritshme

përpara se të të vjedhin

të të plaçkisin

të të akuzojnë

të të përçmojnë

të të helmojnë

ik përpara se të të qethin

të të krehin

të të lajnë e të të lyejnë

që me ata të ngjasosh...

...e në mos

të të therin…

ik dhe atyre që në udhën tënde do takosh

mos ua thuaj emrin tënd të mallkuar

por tregoju nga vjen e ku shkon

dhe historinë e Deles së Zezë

që u shndërrua në Ujk të Vetmuar…

©Artan Gjyzel Hasani