Krijimtari

Nëse vërtet je shkrimtar - Nga Artan Gjyzel Hasani

Nëse vërtet je shkrimtar...

…shkruaj vetëm…

shkruaj veten…

vetëm shkruaj…

por mos u miqëso me shkrimtarë të tjerë
as me shkrues të palodhur gërmash të pafundme
as me qokës të sheqerosur profesionistë
as me kalemxhinj,
gërxho
dhe rishtarë...

janë arrogantë që të ngrohin me akull
hipokritë vanitozë,
narçistë dylekësh,
që te ty kërkojnë pellgun e ëndërruar
ku të pasqyrohen nga ç’janë më të bukur

por kanë aq shumë fytyra sa nuk do t’iu mjaftonin
as të gjithë pellgjet e botës, oqeanet…
dhe do të të urrejnë aq fort
sapo të kuptojnë që ti nuk je ujë,
por avull…

larg nga ushtria e poetëve kadetë
larg nga armata e prozatorëve prostatikë
larg nga dhjetëmijë penat e arta të mëhallës
larg nga një milion argjendët e diasporës
larg nga materniteti i migjenëve shtatanikë
larg nga varrezat shtatzëna me të pavdekshëm
larg jargëve të kritikëve dhe zileve të harlekinit
larg ekranëve dhe mbretërve të muhabetit
larg Një Mijë e Një Kënetave dhe Bretkocave Solidare
larg kësaj Operete me kapaqe, kavanozë dhe dajre,
të vonuar si ëngjëj të përdalë janë të shkretët
qesharakë si djaj seriozë…

në do të mburresh me çfarë shkruajtën për ty
me çka thanë e çka të dhanë
dhe jo me çfarë ke shkruar ti
do e arrish ëndrrën e vjetër nazike
të të ftuarve vdekatarë të banketit
që veç për vëmëndje kanë nevojë

do të bëhesh i bujshëm, celebrity,
në Hall of Fame të Shkrimtarëve Pa Lexues
do të shkëlqesh aq shumë ekraneve
sa edhe ata pak që dinë të lexojnë
do të verbohen e do të mbeten pa sy…

por ata që lanë pas diçka të bukur
jane të mirët e vetëm të kësaj bote,
në Hapësirën nga piedestalet përmutur
Koha është pastruesja shembullore e nevojtoreve…

larg turmës lajkatare të amatorëve gazmorë
me ambicien më të madhe se talentin...
kur të çahen daullet dhe të bëhen esëll
dy fjale të arta do t’ua thotë
heshtja që pason marramenthin:
shkrimtar nuk është kush shkruan sot,
por ai që do të lexohet nesër…

dhe ti nuk je zhurmë e ahengut të sotëm,
as maskë e karnavaleve qe u fishekzjarrën dje…
ti bastin e ke vënë me heshtjen e nesërme, or mik,
nëse je shkrimtar, pra,
nëse vërtet je…

(nga “IMORALISTI”, 2020)
©Artan Gjyzel Hasani