Një ditë - Nga Vangjush Ziko
Do mbyll një ditë sytë e mi
e s’do t'i hapë as dashuria
(siç mbyllim shpesh një hajmali
ku fle e verbër lumturia),
ti qaj e qetë pa dënesë,
mos i fshih lotët me shami,
as mos i mbaj, leri
të bjenë porsi vesë
siç bie shiu në çdo maj
përmbi një lule që u tha
dhe veç aromën e saj la.
siç bie breshëri i marrë
përmbi një shkëmb që s’di të qajë
por në damarët të ngrirë mban
ëndrrën e zjarrtë për një vullkan,
do mbyll një ditë sytë e mi
tok me vullkanin dashuri
me zjarr’ e hirin e saj në gji.



