Krijimtari

Nostalgji - Nga Vangjush Ziko

Kërkoj

dhe as vetë s'e gjej,

si një ëndërr që dot s'e kujtoj.

Kam në duar

ca fasha mjegulle

që dot s'i shpleks,

ca klithma habije,

ca gajasje lumturie

që më drithërojnë,

lule dhe plagë manaferre

që çelin,

dhe s'mbyllen.

Jetoj me lëkurën e nostalgjisë

veshur në mish e në shpirt,

magjistar

që sekretin e magjisë

s'e kujton dot.

©Vangjush Ziko