Krijimtari

Përsiatje mbi relativitetin - Nga Artan Gjyzel Hasani

kam njohur njerëz që nuk njihnin vetveten
dhe vinin dorën në zjarr për tjetrin
por nëse vërtet do të njohësh një njeri
nën një dritë që rrallë herë ndriçon
harroje miqësinë
guxo ta dashurosh
dhe vetëm pastaj fol
shpërnda medalje ndershmërie me cicërima zogjsh
apo mallkime të gdhendura në koka të forta lahutash
 
do të shohësh në pasqyrë një shëmbëllim të ri
malet e tua përmbysur greminave të huaja
piramida të arta mbushur me gërmadha
por nuk do ta mësosh nëse është i vërteti...
kodi penal i dashurisë i ka faqet të pashkruara
çdonjëri kur i vjen radha e tij
i ligjëron nenet me aq sa mundet e di
dhe djalli i dikujt është gjithnjë ëngjëlli i një tjetri...
 
se ti nuk je ata që të njohën ty në jetë
e as ata nuk janë çka ti i pandehe dikur
të mirët dhe të këqinjtë ekzistojnë veç në përralla
ne jemi miliona njerëz që akoma nuk i kemi dashuruar
dhe nuk do arrijmë t'i dashurojmë dot kurrë…
 
(nga vellimi poetik "IMORALISTI", 2020)
©artangjyzelhasani