Dhuratat e vjeshtës - Nga Vangjush Ziko

Vangjush Ziko - Toronto
Vjeshta
me kostumin lara-lara
qepur me gjembat e dëllinjës
më kujtoi karnavalet
dhe fëmininë që gënjehej
se jeta ka vetëm një stinë,
atë të buzëqeshjes.
Vjeshta
ma mbushi gotën
me mushtin e vreshtës,
mos ndiej vetminë,
as shi e as breshër,
as vetëtimat e dimrit
që fshehur thinjave rrinë.
Vjeshta
piktorja surrealiste
më vuri trëndafila të artë
në vazon e kristaltë
mbushur me lotë shiu
dhe lotë të kripur njeriu.
©Vangjush Ziko



