Krijimtari

Artisti mbi kryq - Nga Artan Gjyzel Hasani

mbaje dorën kur kryqëzon një artist

ti trim i çartur pas beteje

ti duartrokitës i djeshëm

brohoritës i zellshëm në kishat që s'bëzanin...

sikur një emocion të vetëm të të ketë falur

të ka bërë ta duash e ta urresh

të ka përlotur dhe të ka bërë të vjellësh

e ke shqelmuar dhe përqafuar përsëri

të ka rrënqethur lëkurën dhe të ka luajtur mendjen

ka bërë atë që nuk e ke bërë dot ti

të ka dhënë shpirt

sadopak shpirt

pa e ditur që do t'ia merrje...

mbaje dorën kur hedh gurin mbi një artist

sepse ndoshta ti nuk di asgjë për tragjedinë brenda tij

për sa kohë që ai në skenë luajti

veç komedinë dhe dramën tënde

dhe askush nuk ia pa lotët në vetmi

ata të vërtetët

më të hidhurit e të hidhurve

që atje pas kuintave

gjithnjë duhej t’i gëlltiste

pa e parë ti….

po ty të dogjën ndonjëherë duart

kur i trokite pa dëshirë

dhe brohorisje “rroftë”?

ti dhe artisti ishit vëllezërit siamezë

ai në skenë e ti në platé

me fatin e parashkruar

pa njeri tjetrin nuk bënit dot

hamstera të së njëjtës rrotë

që ju kishte zënë bishtin e jetës...

artisti e mbajti kryqin e tij

dhe e ka paguar shtrenjtë

çmimi i djeshëm

u bë përçmimi i sotëm

dikush vrau veten

një tjetër u çmënd

disa në gotë të alkoolit dhe drogë

e të tjerë u heshtën

nga fjalët që s’mundën t’ua thonin

ateherë kur duhej…

por ti duartrokitës i djeshëm

me kryqin tënd të vockël fshehur në xhep

ngjitu në mundsh sot atje lart

në mundsh pra,

atje lart ngjitu

ku artisti e ka vënë vetë kryqin e tij te madh

zgjati krahët,

duart,

shqisat dhe nervat

jetën dhe vdekjen po nuk të mjaftuan

dhe pastaj kryqëzoje ashtu siç di

me gozhdët e tua…

(nga "IMORALISTI", 2020)

© artangjyzelhasani