Krijimtari

Mani i Files - Nga Flurans Ilia

Ka ca dregëza të ëmbla ku

vjen dhe të mbështjell një man

në kapërcyell

derdhet brenda teje

si gurët e sokaqeve

portat me panxha hekuri

mali myshku malli

në zbathtësinë e këmbëve

mbi trungun e një mani.

Fëmija

frutat i këput me gishta

bistakun e sythit poetik

përmasa me të cilën mat veten

për be, asnjë objekt tjetër

as qenia me stigma dhe sfinks.

Hapësira prej teje

kjo degë

vazhdon përditë  të shohë

pemën e Files

me rrënjë ngujuar tokës

fruti drejt qiellit kërkon

diell kujtimesh të mbarsur

me kokrrat e manave.

Njeriu mes frutit

shtresuar në ngjyrat

e lulediejve dhe veshit të prerë

të Van Gogut

nën optikën e fjalëve

“Kujdes se mos bie nga mani!”

Gjeratorí dega e sipërme

qeni që leh nën trung

kufiri si teh thike

Atje lart!

Krishti midis Kryqëzimit dhe Ringjalljes

Atje poshtë!

Odisea zbret në Had

Përmidis! Eros dhe Thanatos!

Sa libra kemi lexuar nën manin e Files?!

Veç Dante i kish’ provuar ato fruta me ne

Qentë i ishin bërë si Cerbër ndër shkronja

ndërkohë që ai vet kishte gishta

teje të brishtë

(si unë dhe ti)

ball portave të Ferrit.

Nëntor, 2020