Vdis Vdekjen - Nga Artan Gjyzel Hasani
Vra
Vrit
Vrau
Vranë
Vrit se të Vrau
Vdekje Vill...
Viktima e Vrasës
Vorbull Varresh Vajtojnë...
Victory...Victory
i Varrosëm të Vrarët
luft’ e re le t’fillojë...
ç’rëndësi paskan sistemet,
demokracitë e diktaturat, ideologjitë, filozofitë,
fetë dhe qytetërimet, të drejtat e njeriut dhe torturat
e dokrra të tjera si këto
për sa kohë që në drit’ të diellit
e njerëzimit më e vjetra lojë është lufta
e fëmijës arma më e dashura lodër….
nga gishtërinjtë tanë V-në rrëmbejnë patat e egra
për të vizatuar pafajesisht
fitoren e Vdekjes në prehërin e qiellit...
kur linde një revolver lodër të dhuruan
kukulla shënjestra jote e pare,
pastaj me rradhë nëna, motra…
në shkollë mësove se prindërit e tu ishin të pazotë
të mbron shteti të thanë…
se shteti është më i fortë…
dashuria është shpikje e humbarakëve
të lexuarit humbje kohe
drogë, seks dhe hip hop të rekomanduan
kukullën pa brekë të lirisë në vitrin’ të Kohës...
të njëzetat të gjetën duke luajtur videogames
ku njerëz kokërruar vrisnin njerëz me mjekër
një jetë të tërë nuk dashurove dot asgjë
kurrë s’të dhanë dashuri…
ndaj nuk munde kurrë të jepje…
kurrë nuk të folën për miqësinë
por se kush është armiku ta mësuan fort mirë…
të testuan nëse kishe mjaftueshëm urrejtje
të dhanë një lodër të vërtetë plot tym e zjarr
një armë dhe një armik
në avionët e mëdhenj të hypën
dhe larg…shumë larg të çuan
të gatshëm plot dëshirë
për të mbrojtur interesat e atdheut të tyre
në atdheun e një tjetri…
ka nevojë vërtet për një revolucion
pa barrikada, pa ideologë, pa teori konspiracioni
pa banka e bankierë, pa ushtri dhe drones
pa iluminati dhe globalizëm, pa sheikë dhe shejlokë
pa kapitale dhe marksizëm, pa napoleonë dhe leninë
pa stalinë dhe enverë,
çurçillër dhe hitlerë...
ka nevojë vërtet për një revolucion
pa gjak dhe pa armë…pa bibla e kuranë
por veç me një abetare që fillon te gërma D
dhe me Fjalën e Dashurisë në familjen tënde
në emër të fëmijës tend…
për të…
me të…
filloje që sonte me aq dije sa ke
dhe për të parën here lutju një Zoti
nje Zoti të ndryshëm…
një Zoti të pafe…
(nga vellimi poetik “PRANDAJ ...", 2014)
© artangjyzelhasani



