Krijimtari

Kartëvizita ime - Nga Vangjush Ziko

Mos u çuditni,

kartëvizita ime

është e bardhë,

dëborë e pashkelur,

fletore fëmije

ku s'ka shkruar ende kalemi,

s'ka adresë

telefoni a celulari,

në se në dorë ju bie

lexoni vetëm vargun e parë

që mbiu papritur,

filiz borziloku me erë,

a gjemb farmak i hidhur,

pas erës së tij do gjeni

tempullin ose skëterrën

ku falet a vuan poeti.

©Vangjush Ziko