Uniforma e mërzisë - Nga Vangjush Ziko

Me vjeshtën ikën ngjyrat,
e morën lejlekët ylberin
me sqepin e tyre,
më veshi grija,
uniforma e mërzisë,
trungjet e plepave
tyta pushkësh të vjetra turke
mbjellë nga luftrat ballkanike,
më kot qortoj vjeshtën,
cigare e pashuar hedhur përdhe
tymos dita ime,
digjet diçka në shpirt,
mendimet tymojnë:
dashuria,
miqësia
s'ndritin më,
shpatë e ndryshkur
që humbi këllëfin burrëria,
ushtarë të xhavitit jemi,
pushkën këmbejmë
me një kothere bukë.
©Vangjush Ziko