Krijimtari

Këmisha e Dimrit - Nga Vangjush Ziko

Vangjush Ziko - Mississauga, Ontario

Dëbora ra si një ëndërr prej qiellit,

ra natën kur flinim,

nuk ngjante me ëndrrat tona

të trazuara, të rrëmujshme,

as me kllapinë e ankthit

që na zë frymën,

u qetësuan drurët e zhveshur,

u veshi qyrkun e saj të bardhë,

degëve të thyera

ua lidhi plagët me fashiot e buta,

ne psherëtimë

(e kuptuam)

e sëmurë është toka jonë,

dimri i veshi

këmishën e bardhë të shpresës.

©Vangjush Ziko