Dy poezi në kohë pandemie nga Flurans Ilia
PANDEMICA POETICA
Brenda mureve të lëkurës
hapen venat si llogoret e xhenjos
përllogaritjet inxhinierike
kundrejt armikut të padukshëm
Stinë të ngjyera në sfidë
ndalimkalimi
përpjekja për «distancim social»
empirizëm 2-metërsh
rropatje për të prekur gishtat e tu
Qendis thelbin e thukët
një katalog maskash
qëndisma të vockla buzësh
për një botë të madhe
sa vrima e një gjilpëre
ANIJA PREJ LETRE
Zëri yt pret përgjatë dimërimit
Mbledh brigjet e brinjëve
Pranverën e anijes prej letre
Bulbëzon ylli i mëngjesit lundrimit
Një albatros a tejqyrë prej kthetre?
Kërkon të rimarrë anijen e ritmit
Sythin e parë, hartën, stolisur
Me degë bajamesh e lule përbri
Rrugëtim i venave në oqean
Ku shtrirë je mbi një pentagram
Savanë e fjalëve ku qiellza reket
Flokënajë foljesh bora e parë
Zëri yt ëndërron brigjet
Anijen prej letre
Në qiellzë të ritmit zbatica rreshket
Albatros ëndrra a tejqyrë prej kthetre?
Në qindra fjalë qysh nga bora e parë
Në buzët e tua sythet çelen
Ëndërrtarë, ëndërrtarë, ëndërrtarë!
Mëshojini rremave se tirania e gjuhës
Urdhëron tendosje
Spiranca e ligjërimit po ngrihet
Lëvizja është zgjedhim në zhvendosje.
©Flurans Ilia



