Fund dimri - Nga Vangjush Ziko

Shkriu dhe dëbora e fundit,
nxiu përsëri dheu,
drurët, si robër të zhveshur
pas mbarimit të luftës,
presin t'u presë pranvera
uniformën e blertë
me kopsat e luleve
dhe spaletat e gjetheve,
Bleta doli te pragu i kosheres
nuhat ajrin,
pret sinjalin e aguliçeve
për dasmën e pjalmimit,
Vajzat hoqën shallin
t'u puthë dielli gushën.
Unë ec nëpër dimër timin
me thinjët e pashkrira,
vallë, erdhi pranvera rishtas.
©Vangjush Ziko



