Dyshues - Nga Vangjush Ziko
Të gjitha i shoh
(dhe asgjë nuk shoh),
u plakën shqisat e mia
a bota s'është veç hije,
(duket dhe fshihet),
drurët fëshfërijnë,
zogjtë cicërijnë,
një flutur më ulet në sup,
era flokët m'i nduk
me gishtat e saj të padukshëm.
ti lehtë në buzë më puth,
unë të puth në gushë,
prapë nuk më besohet,
prapë bëhem dyshues,
veç plagët në trup,
veç brengat në zemër,
ky i hidhuri thumb
(thumbi i jetës grerëzë),
veç blanat më kujtojnë
(si krateret e vullkaneve)
se ka patur pompej në botë
të bërë shkrumb prej llavëve.



