Në fillim - Nga Vangjush Ziko
Në fillim
hedh gërmën në letër
si në fletën e abetares,
me dorën, që dridhet,
pastaj më prangosin vargjet.
Në fillim
kanarina çuket melin
në kafaz të florinjtë,
pastaj robina
vajton lirinë.
Në fillim
lulja ia hap gjoksin flladit
ta ledhatojë,
pastaj trishtohet,
se ia vodhi aromën.
Në fillim
jemi naivë,
në mos, të magjepsur,
fajin e kanë çapkënllëqet,
pastaj thinjët
me mendimet e plagosura pleksur.
©Flasshqip.ca



