Krijimtari

Xhamlliku - Nga Flurans Ilia

vetratë xhami shqipërim i smogut

rreth unazës avitet xhamlliku

në teatrin e shpirtërave automat

putërshpërfillur e qiellgërvishtësave

shpërfolur si një kësulëkuqe në bankomat

puthja me xhamin e godinës tjetër

sërish takon në rrugë dy imazhe

marionetën tënde

nën uniformën e gabit

si ushtar i luftës së parë, të dytë

një dokumentari të tretë

mbi kryeqytetin si konfigurim gjeografik

dhe të tjera bluxhinse dashurie

në faqe të pashkruara periferie

ndriçojnë pullazet e çative

antenat e dukshme të Dajtit 

kabllorët e padukshëm të qytetit

si xixëllonja fshehur rrëzë malit

dritaret e ekraneve dhe celulari

çdo ditë përgjon foshnjën që lind

me Wi-Fi kontakti...

...pleqtë e kryeqytetit

ca qenie të moçme flatscreen

si bibliotekat e shtëpive

si frigoriferët obodin

as një letër në kutinë postare!

TV-ja e mbushur ding

me lajme të ngrira që nuk shkrijnë

te gjysmëhënëzat e bukura të Tiranës

netëve pihet hashash me vështrim të çlirë

poezia është e dalë boje me sy të lirë

grafiti i fjalëve përditë betonohet

krahina e të ardhurve dhe të ikurve

ngujohet

te karuseli i kryeqytetit

te kryeqyteti i dialektit

me vështrim ndaj porte

atavik, shtriqet xhamlliku

ky muskul i tendosur

kjo gjymtyrë e shqisave përmidis.

©Flurans Ilia