Dehja - Nga Artan Gjyzel Hasani
…është një siklet i fisëm
që ndodh gjithnjë në kohën e duhur...
i paqëllimtë si vështrimi
nxjerr jashtë të fshehtat e shpirtit
pa u ndjerë kurrë fajtor
kur në shoqëri me veten pimë Martini
thyejmë pasqyra dhe flasim marrina
mallkojmë pranverat e jetës të shkuara dëm
i quajmë kurvicka
dhe
per të përkëdhelur kotësinë tonë të sofistikuar
biem dakord
që lulet më të bukura çelin në dimër
dhe vdesin tërë delikatesë nga mërzia
se nuk ka kush t’i tradhëtojë
ashtu të fshehura nën dëborë
të lodhura
si krahu i pritjes nën jastëkun
ku më pas do vërë kokën udhëtari
që duke ndezur urët e lagura të zjarrit
djeg padashje fatin e vet...
(nga vellimi poetik "IMORALISTI", 2020)
©artangjyzelhasani




