Krijimtari

Fortesa e ëndrrave - Nga Flurans Ilia

 

Flurans Ilia - Montréal

Ka rënë një vesë shi dhe i ka lagur muret. Halat e pishave buzë fortesës janë shndërruar në një qilim magjik që mbulon tokën e ashpër rreth e qark saj. Boçe të panumërta prej pishe shfaqen përmes sythit dhe syrit vëzhgues të rojës së natës. I ulur mbi bedena ai ndez një cigare duke vëzhguar paguren e tij të shtypur. Kjo enë mbajtëse e ka shoqëruar për një kohe të gjatë. E mban si faqore në xhepin e brendshëm të kapotës së vjetër, të mbushur me shokë e shoqe kur arratiset atje tej nën ndikimin e etjes.

Në asnjë vend të botës nuk mund të dehesh si këtu. Të shuash etjen rrugicave të këtij qyteti është njësoj si një arrati brenda mureve të kësaj fortese të rrethuar dikur nga kodrat me ullinj. Te Shëndëllia për shembull bëheshin ca ullinj shekullorë kokërmëdhenj mbretërorë - ullinj buke i quanin - të cilët mbretëronin tavolinat e shtëpive tona gjer aty nga fundi i viteve tetëdhjetë në të njëjtën kohë kur dyqanet ushqimorë ishin drangull dhe nuk gjeje gjë prej gjëje për të ngrënë. Te ushqimorja edhe miu të binte në banak thyente turinjtë dhe ngelej barkthatë. Kështuqë u rritëm të kapur pas kokrave të ullirit. I shkundëm ato degë duke soditur borërat e përjetshme të Tomorrit si të ishin dëborat e Kilimanxharos. Ato kokrra të zeza të mbushura me vaj janë ajo çka jemi edhe sot përgjatë kësaj rrëfenje. Ca germa të arratisura nga alfabeti.

F e mban mend mirë atë ditë. Jo vetëm ngaqë është ditëlindja e tij. Por ngaqë qëllon të jetë një e mërkurë e vitit. Një ditë jo si të tjera. E vendosur në mesin e javës - e mërkura ngjan me një ishull në detin e ditëve. Me shokët dhe shoqet e gjimnazit janë ngjitur në kalanë e qytetit dhe po pijnë ponç portokalli rreth një tryeze me mbulesë të bardhë. F sapo ka mbushur tetëmbëdhjetë vjet dhe ... ishte aq e pastër ajo mbulesë sa edhe sot i lëkundet si një çarçaf, si një fletë e bardhë ende e pa njollosur nga fjalët.

E mori guximin dhe e rrëshkiti dorën nën mbulesë midis gjunjëve të Rinës. Lëkura e këmbëve të saj e mbuluar me pantallona kadifeje. Ajo ia largoi dorën me gishtat që i dridhen. Ai këmbëngul. Ajo u dorëzua. Ishte bërë guximtar papritur nga përzierja e pijeve. Asnjëherë nuk do kishte guxuar ta kapërcente atë kufi esull. Ndjesi e kadifenjtë e prekur nga mollëzat e gishtave nën atë mbulesë të bardhë të ushqimit social kur dielli nis e perëndon mbi Shpirag.

Me rënien e mbrëmjes çamarrokët filluan të zbrisnin të tatpjetën e kalasë të bërë çakërqejf nga pija. U shmangën nga njeri tjetri gjasme pa rënë në sy, gjithsecili i kapur për dore me shoqen e vet në kërkim të një vendi të fshehtë përmes pemëve. Për disa prej tyre kjo do të ishte skena finale e kësaj ëndrre që zgjati plot katër vjet. Maturantë “mustaqe pa dirsur” të dehur me ponç portokalli këdojnë tatpjetës marramendëse të fortesës këngë për udhën e shtruar me hala të thara ndër vite.

Sa breza kanë bërë dashuri mbi këtë qilim magjik?

Të shtrirë mbi të putheshin e putheshin aq sa qyteti fillon e hapet i gjithi nën këmbët e tyre. Kjo është ndoshta puthja e parë e herës së fundit e fundit herë që bënin dashuri rrëzë atyre mureve. Disa prej tyre do të fluturonin larg shumë larg. E disa të tjerë nuk do të fluturonin askund më tej. Si Rina për shembull disa vite më vonë do të hidhej nga muret e fortesës së ëndrrave. Askush nuk e mori vesh arsyen përse. As ai. Edhe pse ishte germa më e afërt në rendin alfabetik të emrave në regjistër.

E kush mund t’i shpjegojë arsyet e largësive midis nesh. Midis dy shkronjave që krijojnë lidhësa. Midis dy ëndrrave që krijojnë dy realitete. Midis meje dhe këtij paguri të shtypur. Askush. Asnjë njeri nuk e di nëse Rina fle si rrënjë mbi këto kodra me ullinj të prerë poshtë këmbëve tona apo zgjohet atje te dega më sipërane e vështrimit si syth të një bote krejt tjetër pa u diktuar nga syri i rojeve të natës.

©Flurans Ilia