Krijimtari

Buletin Meteorologjik - Nga Vangjush Ziko

VAPA

Pllakosi vapa,

siç na pllakos çdo ditë mërzia,

panjat e shushatura,

as marrin frymë,

as shushurijnë,

duhma e dheut psherëtimë,

qytetin mbështjell e hirtë zalia,

djersijnë mendimet,

kripa e tyre m'i zbardhi vetullat,

pres bubullimën,

ta zgjojë jetën gri,

që vetëm të heshtë di.

RREBESHI

Erdhi rrebeshi,

mbushi breshëri sheshin,

diamantët e tij kam në duar,

akull që mes gishtërinjsh u tret,

shkrin dhe bëhet lotë të zinj,

qan qielli, racën e vet.

YLBERI

U shtrydhën retë,

u bënë trok të thata,

shoi eshkën vetëtima,

tymon ylberi,

digjet shpresa ime.

©Vangjush Ziko