Figurina prej fati - Nga Flurans Ilia
Te muri i krisur i këtij pesëkatëshi
u shkruajt rrashta ku ra shejza
zemra zbulesë e kartave
suva që djersin bie peta peta
për vitet e ikura shkallare me djejza
kullonin ditët si mebranë e lotit
dritares përvidheshin orët
e statujës së mendimtarit
nga ditët e ditarit
përditë rriteshin cicat e sirenave
në pjekurinë seksuale tendosur
te hyrja e pallatit
“Çuna po vjen Izaura!”
makina e policisë Ofelia e fatit
kriste vështrimi mbi letrat e bixhozit
pa figura heroike me figurina erotike
mustaqe padirsur si fanti spathi
kur iknin dritat dritës së qiririt
nuk kishim çmim por kishim llastiqe
çmimin e zarave të mbushur me hile
ishim mu si gurë që rrokullisen
çmendur pas çupës kupë
shkallare në zbritje
zemra e një harabeli në përpëlitje
aorta e zemrave tona
ikonë e atyre viteve
Diego Maradona
shpirt blasfem i projektuar
me dorë shënuar
si gol i ndaluar
si puthja e parë
te shkallët, pas MURI
me bukë me vaj me sheqer
Shekspiri shtegëtonte përher’
udhës, mbi një qerre prej druri
©Flurans Ilia - Montréal, Korrik 2021



