Biblioteka e panjës - Vangjush Ziko

U lodha me librat
prej letre dhe elektronike,
dola në ballkon,
era shfleton fletët e panjës
sikur më shfleton Iliadën
a Luftën e Paqen
faqe më faqe,
gjetheve yjet dhe dielli
poemat kanë shkruar,
zogjtë - këngët e tyre,
fluturat - vizatimet abstrakte,
vesa e mëngjesit
lirikat e hënës stolis.
Çdo pranverë blerojnë
gjetheve sërish
best sellere-t kozmike,
fragmente pergamenësh
me enigma të arta antike
vjeshta ronit…