Krijimtari

Paqja pushtuese e krijimit - Nga Artan Gjyzel Hasani

jam pushtuesi paqësor i kësaj flete të bardhë

ku me pas ju do të pushoni shkujdesur

në shoqëri me veten dhe të tjerë

do të dashuroni dhe urreni ndryshe nga sa udhëzojnë manualet

do të jetoni moskokëçarës jetët tuaja

dremitur mes ngrehinave të fjalëve të mia

ku fshihen njerëz, ngjarje, shtëpi, lagje, qytete

esëll do të gjerbni kafenë e ngrohtë të mendimeve

dhe do të zgjoheni të dehur nga mungesa e alkoolit

në vende ku ju s’keni qenë kurrë

edhe pse në rrugicat e tyre shëtisni pa e ditur…

nxihet dhe kjo fletë me një shtëpi të bardhë më shumë

oxhaku i mushkërisë thith qiellin tuaj

ndërsa pena ime nxjerr tym të kaltër

që ju nuk mund ta blini, por e merrni me qira

kjo fletë e bardhë është qyteti që bëhet i juaji

vetëm pasi përzë atë që e ka ndërtuar…

©artangjyzelhasani 2021