Krijimtari

Busulla - Nga Flurans Ilia

Koha e pare - Adagio

Shpirt i busullës zhvendosje e vendosjes në kohën e hartës kjo hapësirë

Shpirti i busullës mosplakje bri udhës të një Pasha-Porte ndërtuar me iluzione

Të gjitha Atlantidat mbartin fatin e busullës (si me thënë fatin e Çirçes)

për të mos thënë «fatin e kurvës» - gjuhën e dragonjtë të furrnaltës

Dremit shpirt i busullës bri bregut - përgjumet e ndryshkur ANIJA që pret dhëmbët peshkaqen të skrapit

Tulatet shpirti prej busulle beson në paanësinë e horizontit e ngulet pingul mbi pikën e pyetjes ky çengel kjo spirancë ai grep

Imazhi kaleidoskopik i hënës kristalizon shtatoren e kripës lëkurës së rregjur të rremtarëve

Koha e dytë - Altissimo

Shpirt i busullës - zhvendosja e vendosjes

Koha e hartës shpërhapet hapësirave

Shpirti i busullës - mosplakje bri udhës

Një port i hapur ndaj iluzioneve

Të gjitha Atlantidat mbartin fatin e busullës

Gjuhën e dragonjtë të furrnaltës

I përvajshëm shpirti i busullës vajton

Dhëmbët peshk-a-qen të skrapit

Tulatet shpirti prej busulle

Beson në paanësinë e horizontit

Kokëposhtë mbi pikën e pyetjes

Imazhet klandestine të hënës

Ngrehin temperamentin e detit

Lëkurës së rregjur të refugjatëve

Koha e tretë - Arpeggiato

lëkurës së regjur të mërgimit

kristalizohen shtatoret e kripës

ngrehur si zhiva e termometrit

imazhi ikanak i hënës

ngulet pingul mbi pikën e pyetjes

e nuk beson në pamundësinë e horizontit

ku e presin dhëmbët peshkaqen të skrapit

ku fle ndryshkja e anijes - e brenda saj

dremit shpirti i një busulle të harruar

në gjuhën e dragonjtë të furrnaltës

të gjitha Atlantidat hedhin valle

si një pasaportë e vjedhur me iluzione

Busulla

Gjiri i hartës mbështjell shpirtin e busullës

ndënë udhë - mosplakja e hapësirës

brenda njeriut orienton iluzionet

e Atlantidave që patën fatin e busullës

- gjuhën e dragonjtë të zërave

në harmoni me misterin e detit

si një kuti sardelesh e porsahapur

anija e shqyer prej dallgëve

busulla nën nofullat e gravitetit

te gjiri prehet si një foshnjë

horizonti i përmallshëm i një ishulli

ngulur mbi të kaltër - një pikë e zezë

identiteti - anaforë e mballosur

shpirtërat e detarëve - naforë e farmakosur

detërave u shfaqen si hënëza të shpresës

lëkurës së regjur dhe veshëve të dyllosur

* Katër kohë muzikore të busullës (kuartet) për muzikë dhome dhe të tjera realitete jashtë mureve.

©Flurans Ilia