Burgu im - Nga Vangjush Ziko
Jetoj në ekranin e laptopit
ku fjalët
si në përrallë më mbijnë,
Psherëtijnë dhimbjet e pikëçuditëseve,
Enigmat e jetës,
gati për shpërthim,
varen në çengel të pikëpyetjeve,
Plasin papritur,
më plagosin brengat e tyre.
Muza, mëndesha ime,
pas vargjeve-kangjella
të burgut tim fletëbardhë,
më vë mbi blanat
balsamin e frymëzimit
dhe më bën të lumtur.
©Vangjush Ziko



