Krijimtari

"Dymijë lekshi" - Tregim nga Zeqir Cama

Nuk do ta mësoja kurrë misterin e gruas që takoi shoku im i fëmijërisë Polo S. te Ura e Tabakëve, nëse rastësia s'do t'i bënte bashkë në drekën mortore të Rulit. Qe një brune e lezetshme, tiparehollë, siç ma përshkroi ai, me cullufe të gjata e të buta, si mëndafsh, që i gudulisnin fytyrën. Fjalët plot patos nuk kishin të bënin me ndonjë çështje pasioni a pëlqimi ndaj saj por me mbresën që i kishte lënë takimi i tyre.

I besova plotësisht se nuk qe përpjekur të më gënjente.

Sapo kishte dalë nga bar-kafe "1 Maji", pranë xhamisë së "Namazgjasë". Ishte dita e parë e Gushtit, me zagushi e vapë përvëluese. Mundohej t'i dredhonte syrit të zjarrtë diellor ndaj shfrytëzonte pemët e pedonales të fuste kokën. Heraherës hiqte kapelen e dokut si i bezdisur dhe bënte fresk me strehën e gjatë si tendë. I dukej sikur i avullonte trupi, por ishte ku e ku duhma e rëndë e Lanës, që ia binte zorrët në grykë, me një gjëndje të pashprehshme, megjithëse pëllëmbën e mbante si maskë, karfosur mbi gojë dhe hundët e zëna. Ecte pa ia vënë veshin ç’i dilte përpara.

 S' lëvizte majë gjethi. Sa nisi një puhi, e ndjeu veten më të lehtë dhe lëshoi një "ah" të gëzuar për prehjen që mori. Gati sa s'u përplas me gruan e panjohur që i ndali te këmbët me vështrim të papërcaktuar dhe iu lut ta dëgjonte.

-Ndonjë punë adrese - mendoi.

I vate mendja te dymbëdhjetëkatshi i ri që ishte ndërtuar kohët e fundit afër pallatit të tij dhe një mendje i tha se ishte atje synimi i saj. Nëse do të qe kështu, rastësia do t'i shihte prapë. U futën në dialog, pa i dhënë dorën njeri-tjetrit. Ishte kohë pandemie dhe njerëzit qenë ndërgjegjësuar në ruajtjen e shëndetit. Ende ndjehej pasiguri.

Ia nisi ajo e para, sikur provonte me majë të gjuhës atë që donte të nxirrte:

-E hëngra turpin me bukë - dhe nisi t'i tregojë dramatikisht ndodhinë e pakëndshme në autobusin e unazës. I kishin vjedhur portofolin.

Pasi vazhdoi disa shpjegime mendjembushëse, i tha arsyen përse ndali pikërisht atë dhe jo një tjetër. E kishte bërë për vete. Kishte qëlluar në shenjë, babaxhan ishte Polua! E nuhati që ia kishte bërë mendjen fiu dhe vazhdoi t'i përkëdhelte sedrën. Zëulët, sa mezi dëgjohej, se në rrugë nuk rreshtnin kalimtarët dhe kthenin kokën. Megjithatë e mbante situatën nën kontroll, me bisht të syrit thyente vështrimin e kureshtarëve. Nuk harroi t'ia përsëriste për së dyti:

-E hëngra turpin me bukë! 

Ai, e ndiqte me keqardhje dhe dy-tri herë e ndërpreu duke lëshuar një klithme habie "uauu... po hëëë…" Këmbëngulte për ta nxitur.

Iu bë qejfi që besoi atë dhe nuk ia hodhi sytë ndonjë mashkulli tjetër, pasi në rrugë venevinin nga të gjitha moshat. Një gudulisje i preku lugthin e zemrës. E kishte përballë, si t'i bënte ftesë për një tango. Ndërkohë frazën e "ngrënies së turpit me bukë" deshi t'ia kthente me dy vargje të rimuar, por nuk i mbajti mend dhe e shfajësoi direkt:

-Turpi, për të gjallët është.

Dhe i buzëqeshi vesh më vesh. U ndje mirë që e pa të qetësuar teksa nënqeshi e kënaqur. Fjalët e saj i vinin si murmurima të përvajshme. Sa herë që ajo hapte gojën, këtij s'i durohej pa i bashkëngjitur klithmat habitore "uaa... uaa…"

-S' më kanë lënë asnjë dyshkë - iu drejtua ajo me një vështrim lutës. Dialektizmën e përdori që t'i kujtonte se mbetja pa një lekë, në mes të rrugës, e detyroi ta bënte faqen shollë. Dhe i kërkoi dy mijë lekë. 

Po të donte, ia mbyllte gojën harbutçe "me dy fjalë "ik o pirdhu... mua pensionistin gjete..." dhe e sikteriste. Por siç u thashë, Polua, qe natyrë butë. S’ishte as vëndi të tregohej brutal.

Ishte e dyta herë që i ndodhte kështu. Para ca vitesh qe përballur me një situatë të përafërt. Vetëtimthi i shkrepi dyshimi: "Mos më marrin për leshko?"- dhe hëngri inat me vete. Por e gjeti qetësinë në arsyetimin që bëri. Iu dukën vogëlsira të dyja të papriturat, s'ia vlente të ziheshin në gojë. Kishte dëgjuar mashtrime që të hiqnin kapakun, madje të ligjëruara në zyra noterie e avokatësh. Të tijat, ishin si dy mente freskuese për të prishur erëmbajtjen e gojës. S’do t'ua thoshte as shokëve me të cilët pinte kafenë e mëngjesit. Do ta rromuznin siç ia bënë herën e parë me lapërdhira që i vjen zor t'i përmendte. Kushdo të qe, nuk do t'i zinte në gojë që ia kishin futur ujin nën rrogoz.Dhe befas i kumboi një pasthirrmë e zgjatur "uauuu..."

Prej aty e pa veten tek dyqani i peshkut në unazë, ku punoi disa vite gjersa doli në pension. Aty ku kishte ngritur një barakë provizore, pas privatizimit të ish-ndërmarrjes që punonte si furnitor.

Një ditë prej ditësh, i kishte ardhur në dyqan një zonjë e mbajtur që mund të vije duart në zjarr për personalitetin e saj. Rrezëllente nga hiret, një mrekulli që i ndriti vëndin e punës. Më e hijshme se kjo e Urës së Tabakëve. E kishte përpirë me sy dhe direkt u gjend te vaskat me ujë ku lëvrinte peshku i freskët. Zgjodhi atë që donte. Kur futi dorën në çantë për të paguar, ia dha britmës. "Uaauu... Portofoli..."

Dhe përplasi çantën në syprinën e banakut.

-Uaa… ç'më theee… - u keqardh Polua, sikur portofoli t'i kishte humbur aty. Ndërsa ajo nëpërdhëmbi përvajshëm:

- Zot... mos i hëngërt kush e ka bërë... kanceri në grykë... - dhe u zbraps dy hapa pa ndërprerë mallkimet ç'i zinte goja.

U duk sikur e harroi blerjen. U kthye nga ai dhe i tha:

-S'qaj lekët...por...

Sytë i vanë te banaku, ku dergjej peshku i hazërt, mbështjellë nga duart e tij. U mat që t'i thoshte diçka por e la me aq. Mbase ngaqë hynë myshterinj të tjerë.

-S'prishet dasma për një kokërr qepë - i dha vetes rëndësi Polua, ndërsa merrte porosinë e blerësit të pare - Po të hoqi rruga, këtu më ke...

-Kate, më thonë - ia ktheu ajo dhe i tregoi ballkonin e një pallati përballë.

I tundi krahun në erë sikur t'i thoshte, mos e vra mëndjen ndërsa merrte lekët e mallit. E ndoqi vjedhurazi gjersa iku ndërsa me vete, nëpërdhëmbte Kate Katerina, Kate Katerina, duke shijuar tingëllimin e emrit të saj.

Vate nga vate, mendja iu kthye në fole. Ai qe aty, te Ura e Tabakëve. Dhe ajo përballë tij, si statujë.

Sytë i vanë te duart, te gishtat dhe thonjtë e lyer e përlyer, ashtu dhe të këmbës. Sikur po e zhbironte nga thonjtë. Pastaj mori të përpjetën te majat e flokëve. Si mjek anatomist, "me "bisturi në dorë". Por nuk iu desh të lodhej. Iu bë se dikush i bëzajti:

 Duket... e ka në thua...

S'kishte përpara një shushkameno, as lypëse rrugësh. Nga pamja s'dukej heqkeqëse por qënie simpatike, që i kërkonte dymijë lekë. Aq përflitej gjobëvënia për një orë në motel. Një takim i tillë burrë-grua, ku garant qe paraja, sido që ta përfytyroje, të shpinte te një tentativë flirti. Në fakt, s'qe lënë të kuptohej asgjë. As Polon s'e gënjente mendja. E quante batakçillëk të shfrytëzonte rastin për ta thyer. Nëm, të të jap! Kënaqësinë trupore me një grua të paguar, s'e bënte kabull.

Hoqi dorë nga pyetjet me kë jetonte, a qe në punë, kishte fëmijë... e të tjera vockërrima të identitetit. S'e quajti etike t'i futej në labirinthin privat. U mëdysh nëse dymijë lekshi identifikohej me ato që paguan dy kafe apo me të tjerat që frëngu paguan pulën, Por qe i sigurt, s'bëhej fjalë për dymijë lekë të vjetra. Aq sa i jepte pastrueses së shkallës. Aq i kishin mbetur. Sa për kafen e pasdites. U zu ngushtë dhe qortoi veten. "Turpërohet njeriu pa lekë në xhep!"

Shtëpinë e kishte pranë, në kat të katërt. Mund t'i thoshte dhe asaj nëse donte të ngjitej, por iu duk kombinacion kurthi. I erdhi për të qeshur me naivitetin e tij, por ç'është e vërteta, lavdëroi fatin që iu ndodhën aq. Nxorri ato që kishte dhe ia zgjati.

-Kaq më ndodhen, pensionist hesapi...

-S'më bëjnë punë - i tha ajo, megjithatë e falenderoi.

Si bëri ca hapa, ktheu kokën. E ktheu dhe ajo. Nuk e deshi veten nga rastisia e kokëkthimit. Mbase meditonin të njëjtën gjë. Kur duhej ta harronin, deshën të shiheshin. Ia pati hatri të mos ishte ajo e dyqanit të peshkut.

U mundua ta harronte siç bëri dhe me të por dreka mortore e Rulit, ia hapi petët. I takoi atij të bënte falenderimet në emër të familjes së të ndjerit, si kushëri i parë. Tek hodhi vështrimin nëpër tryezat e të ftuarve, iu ngulën sytë te gruaja e Urës së Tabakëve. Në krahë kishte Gaztor S.

-Mbase ndonjë lidhje farefisnie me të shoqen e të ndjerit - mendoi.

Me Gaztorin kishin punuar në të njëjtën ndërmarrje. S'qenë parë qëkur u prish. Në mendje i kishin mbetur fjalët që iu hapën para privatizimit të ndërmarrjes. Sikur kishte provokuar një punonjëse, i kishte ofruar dymijë lekë. S'i hyri kush ta vërtetonte se filluan rrëmujërat e ndërrimit të sistemit Por dymijë lekshi i Gaztorit i mbeti në mendje mbi gjithçka nga jeta në atë ndërmarrje. Dyshimin që kishte burgosur, e pruri rasti ta lëshonte nga hekurat. U duk ashiqare. Ia kishin marrë dorën njeri-tjetrit, për ngrënien e turpit me bukë.

©Zeqir Cama