Krijimtari

Pas beteje - Nga Vangjush Ziko

Mbaroi dhe dimri

(siç mbaron çdo betejë

në natyrë dhe në jetë),

ca kocka të akullta

i kanë mbetur aty-këtu

dhe plagë të nxira dheut,

fijet e barit dergjen

si ushtri e vdekur,

drurët,

kalorësit e pamposhtur,

të nxirë nga tymi i betejës

kalërojnë përballë erës

duke mjekuar plagët

(në çdo plagë

një gjethe e re bulon),

muza ime

e palodhur prej jetës

pjellon vargje të reja.

Shpirt

dhe natyrë

pjellojnë pas beteje.

©Vangjush Ziko