Idiot… - Nga Artan Gjyzel Hasani
…do t’i gjesh të ngjajshmit e tu kudo që të jesh
si i mënçuri të mënçurin
maskarai maskarain
do t’i gjesh dhe do të ndjesh që i vetëm nuk je
as aty ku rron
as në të tjera vënde
kur të të japin në dorë mikrofonin
për t’i dëshmuar me ngadhënjim botës
mungesën e nevojshme të truve
dhe ekzistencën tënde…
do t’i gjesh të ngjajshmit e tu
të lumturit e të mjerët
do t’i njohësh nga sytë pa vështrime
do të të njohin nga zëri pa tinguj
gojëhapur e symbyllur
gjithnjë do të thithni
ajrin që nxjerrin të tjerët…
ti nuk ke asnjë mëdyshje për askënd e asgjë
ti je pjellë e të vërtetës kolektive
e ke zgjidhur që në lindje dilemën e madhe
më mirë një i mençur i dëshpëruar
apo një idiot i lumtur…
ndaj përkëdhele fatin
gëzo dhe harro
jo vetëm çfarë dije dikur
por edhe gjërat që nuk t’i mësuan dot kurrë
ata që nuk të ngjanin…
(nga vellimi poetik "IDIOTICUS", 2022)
©artangjyzelhasani



