Duke pritur veten - Nga Artan Gjyzel Hasani

kur vonohemi të gjejmë veten
humbasim të tjerët
dhe mbetemi bosh…
mungesë absolute e peshës
që ngatërrohet shpesh me lirinë
limuzinë luksoze ku udhëtohet vetëm…
por ndodh që veten tonë
e gjejnë të tjerët
na e sjellin në tabaka
kur është shumë vonë
nuk ke kohë të njihesh me të
dhe e pranon ashtu të panjohur
si një martesë me mblesëri
në pleqëri të thellë
nga e cila mund të lindë
një fëmijë i verbër
dhe i lumtur…
(nga vëllimi poetik “IDIOTICUS”, 2022)
©artangjyzelhasani