Kujtimit të poetëve martirë Vilson Blloshmi dhe Genc Leka - Nga Artan Gjyzel Hasani
Artan Gyzel Hasani - Toronto
MAK(BE)TH (monodramë)
I dashur, mbase duhej filluar në një mënyrë më të besueshme ky rrëfim, por nuk kam ndërmënd një gjë të tillë.
Nuk dua të më besojnë. Nuk e di nëse ka kuptim të më besojnë tani që kanë kaluar kaq shumë vite. Por ti do më besosh patjetër. Duhet.
Vite më parë, në një tjetër kohë dhe epokë unë kam bërë një krim. Kam vrarë një poet. Të kam vrarë ty. Por nuk ndjehem fajtore, dhe kjo mungesë ndjeshmërie nuk lidhet me thinjat e mia, e as me hienën që të tjerët shohin sot te unë.
Ne të dy kemi një histori bashkë. U njohëm gjatë epokës së diktaturës, kur një mëngjes një hetues hyri në zyrën time dhe, duke më hedhur mbi tavolinë një tufë me letra të daktilografuara, kërkoi që unë, me cilësinë time si redaktore letrare, të bëja një ekspertizë të vargjeve që gjëndeshin aty. Të përkisnin ty, i dashur, një i arrestuar krejt i panjohur për mua.
Ti e mban mend… Në ato vite njerëzit arrestoheshin edhe për një fjalë goje, e jo më për vargje. Poezitë ishin të trishtuara dhe dëshpërimi yt që kullonte gri nga vargu në varg u mpiks përjetë në një grusht rreshtash të firmosur nga unë. Ua plotësova me zell të admirueshëm dëshirën xhelatëve të tu dhe pastaj…. Pastaj ata të vranë. Ti zbrite përjetësisht nën dhe, e unë ngjita shkallët e jetës sime gjithnjë e më lart… Rregullat e lojës, i dashur… Lejo të të përdorin, nëse dëshiron t’u dëshmosh vlerën që ke. Ne të dy u duheshim atyre. Por ndryshe nga ty, mua më duheshin ata… Deri këtu është historia që di ti.
Për vite me radhë nuk e dija që autori i vargjeve që u kisha bërë ekspertizën shumë vite më parë ishte pushkatuar. Lidhur këmbë e duar dhe një skuadër pushkatimi ta kish shkëputur jetën në mes me një batare plumbash. Mediat shkruanin që kishte qenë reçensa ime letrare e poezive të tua që të kishte çuar në vdekje. Pashë në gazetë fotografinë tënde. I ri në moshë, simpatik dhe në sy të njëjtin pikëllim që kisha dalluar në vargjet e tua. Bota u rrënua me shpejtësi marramendëse në sytë e mi. Isha në kulmin e karrierës sime. I kisha marrë jetës çfarë kisha dashur. Madje, sipas tyre, dhe jetën tënde…
E kam vrarë shpesh mendjen në ato ditë se kush të vrau ty në të vërtetë. Diktatura? Policia sekrete? Dëshmitarët? Hetuesit? Prokurorët? Gjykatësit? Ata që duartrokitën kur u shpall dënimi yt me vdekje? Torturuesit? Gardianët? Skuadra e pushkatimit? Janë kaq shumë dhe të gjithë shëndoshë e mirë sot.
Nuk kam shkuar kurrë te varri yt. Thonë që kanë bërë edhe një monument përkujtimor për ty. Përpiqesha të përfytyroja momentin kur plumbi kish depërtuar gjoksin tënd, mbase kokën. Pastaj trupi lëshuar përdhe mes gjakut, çizme, baltë, bishta cigaresh, lopata, varrmihës, policë dhe oficerë…Kaq e trishtë e gjithë kjo…
E shihja çdo ditë fotografinë tënde. Nuk më ndahej vështrimi yt as në gjumë. Të ndiqja rrugëve ku ti mund të kishe kaluar, parqeve ku mund të kishe mbledhur lule, stolat ku mund të ishe ulur, vajzat që mund të kishe dashur…
Pa kuptuar dikur kisha rënë në dashuri me ty. Jo platonike. Të dëshiroja.
Një ndjesi e fortë epshi që nuk e kisha provuar kurrë për ndonjërin. Epsh për dikë që të bëhet i pashmangshëm. Në mungesë të një “më fal” që ta kisha borxh. Të një mea culpa, jo që të vrava, por që s’të njoha dot.
Mezi prisja të kthehesha në shtëpi nga parlamenti, studiot televizive, juritë dhe panairet ndërkombetare të librit, të kyçesha në dhomën time, dhe të futesha në shtratin ku prej vitesh tashmë më prisje ti, I Pashmangshmi im.
Tashmë kisha dy jetë.
Gjatë ditës takoja politikanë e artistë, shpërndaja dhe merrja çmime letrare, jepja leksione demokracie në Bruksel, luftoja për të drejtat e grave, kisha arritur në zenith të famës dhe karrierës, shpërndaja dhe fitoja çmime. Sistemet ishin ndërruar, hetuesi i diktaturës ishte bërë avokat i demokracisë, policët kishin hapur kompanitë e tyre të sigurisë, firmosësit e dënimit tënd me vdekje i gjeje krah meje në Parlament apo në gjykatat që kishin marrë përsipër të bënin drejtësinë dhe paqen sociale, ndërsa firma ime akoma vazhdonte të ishte vendimtare, jo për fate autorësh tashmë, por për fate librash.
Asnjë libër vendas nuk mund të konkuronte nëpër botë pa pëlqimin tim. Isha një nga gratë më prominente të vendit. E kudondodhur ekraneve, gazetave, jurive, çmimeve, auditorëve, forumeve, organizatave joqeveritare dhe bordeve, fondacioneve, parlamenteve dhe foltoreve publike si brenda dhe jashtë vendit.
Por ajo jetë frenetike suksesesh mbaronte çdo mbrëmje sapo kyçesha në dhomën time të gjumit. Në qelinë time ku unë takoja ty. Viktimën dhe xhelatin tim.
E mbaj mend mirë herën tonë të parë. Isha zhveshur e tëra nën vështrimin tënd nga andej përtej. Nuk isha skuqur kurrë aq shumë para fotografisë tënde, as kur isha zhveshur para gjithë meshkujve të jetës sime të marrë sëbashku. Thithat m’u forcuan dhe fryma m’u ndal kur fërkova pas barkut fotografinë tënde. Turbulluar si një vashë, mes ankthi dhe drithërimi dhe asaj adrenaline të vonë që mbushi boshllëkun që na ndante…
Në fantazinë time hyja në qelinë ku të kishin torturuar dhe bëja dashuri me ty. Të përkëdhelja flokët, ballin, krejt fytyrën. Ti më puthje si i çmendur buzët dhe gjinjtë, por kur vinte momenti i penetrimit unë të refuzoja. Në fantazitë e mëvonshme ta lejoja penetrimin, por vetëm pasi më parë të kisha rrahur dhe përgjakur me kamzhik. Me kalimin e kohës kur gazetat gëlonin me akuzën ndaj meje dhe komentet ishin aq të egër dhe gjaksorë, nuk arrija dot në orgazëm nëse në përfytyrimin tim ti nuk do më përdhunoje. Vendi i përdhunimit ishte më shpesh në banjot e avionëve dhe në sediljet e një limuzine. Nganjëherë dëshiroja të më përdhunoje m’u në mes të sallës së madhe të Këshillit të Europës ku përfaqësoja vendin tonë, një përdhunim në sy të të gjithë diplomatëve më të shquar të Europës. Qëllimisht vishja këmisha të bardha në mënyrë që njollat e kuqe gjakut tënd të binin edhe më shumë në sy. Pa kuptuar kisha filluar te ndjehesha ndryshe dhe të tjerët e ndjenin këtë. Njerëzit përreth meje dyshonin mos kisha zënë një të dashur. Dhe po. Kisha zënë një. Ty që mbeteshe përherë i ri, ndërsa unë po kapërceja të gjashtëdhjetat. Nuk kisha zili askënd.
Një ditë kuptova që duhet të kisha edhe unë një qeli. E brenda saj të gjitha mjetet e torturës. Dhimbja ime duhej ndjerë në çdo pjesë të lëkurës dhe shpirtit. Fillova ta mbush dhomën e gjumit me veshje lëkure dhe një sërë kamzhikësh zbukuronte muret. Rrihja veten çdo natë derisa kamzhiku përgjakej dhe pastaj shtrihesha përdhe para fotografisë tënde në mur dhe shkrihesha egër…
E kam pritur shumë gjatë të më poshtëroje, të më pështyje, të më braktisje nën këmbët e tua, por ti nuk e bëre kurrë dhe ishte pikërisht kjo mungesë e poshtërimit nga ty, që paradoksalisht më bënte të ndjehesha e poshtëruar në sytë e botës për të cilën as që doja t’ia dija…
Dhe sot ata kërkojnë ndjesën time publike. Por unë nuk ndjehem fajtore para tyre. C’punë kam unë me ta? Kush nga ata është i denjë për ndjesën time? Duan të na ndajnë një herë e mirë, i dashur. Sepse e dinë që veç ne të dy e mbajmë gjallë njëri tjetrin. Ata më duan mua të çmendur, se c’mund të bëj tjetër pa ty, përveçse të çmendem? Ne të dy prej kohësh jemi bërë dashnorë siamezë. Pa dijeninë e tyre. Jam siamezja që prej kohësh mbaj në shpinë viktimën, xhelatin dhe të dashurin tim të pashmangshëm.
Nëse do të kërkoja ndjesë po atë ditë ata do të të vidhnin përfundimisht nga unë, operacioni do të ishte një kirurgji e dhunshme, ndarja do të ishte përfundimtare, mitologjia e tyre moderne do të kishte një mit më pak dhe kujtimi yt çdo çast do më mbarste me çmendurinë si fjala Makth emrin Makbeth…
(nga “Rutina Perfekte”)
©Artan Gjyzel Hasani 2017



