Copëza kujtimesh: Më shumë se gjysëm shekulli rrugëtim në Biologji - Nga Ethem Ruka
- Published in Kulturë

Në vitin 1953 isha vetëm 6 vjeç. Ende nuk e kisha filluar klasën e parë të shkollës fillore. Deri atëhere, kurrë nuk e kisha dëgjuar fjalët biolog dhe biologji. Por dhe po t’i kisha dëgjuar, nuk do kisha kuptuar asgje.
Kur ishim të vegjël prindërit na vinin para një sërë objektesh si, çekiç, këmborë, gërshërë, lugë ndonjë gjethe, fletë letre apo diçka tjetër dhe shikonin se çfarë do të kapnim në fillim. Nëse zgjidhje një çekiç do bëheshe murator ose inxhinier ndërtimi, nëse zgjidhje një këmborë do të bëheshe bari, nëse zgjidhje një copë letër a libër do të bëhesh mësues, e kështu me radhë.
Nuk e di ç’mund të kem zgjedhur dhe kurrë nuk i pyeta prindërit. Sa për shaka, them se kam zgjedhur ndonjë gjethe peme, që me sa duket “përcaktoi” fatin tim të ardhshëm si biolog. Për një gjë jam i sigurt. Im atë ka dashur të zgjidhja diçka që të çonte në rrugën e dijes.
E përmenda vitin 1953, sepse ai ishte një vit historik për Biologjinë. Dy shkencëtarë, James Watson dhe Francis Crick zbuluan strukturën dyspiralore të molekulës së ADN-së, librit të jetës ku ndodhet gjithë informacioni trashëgues i çdo qenieje të gjallë. Ky zbulim madhështor i hapi rrugën një revolucioni të tërë në fushën e Biologjisë qelizore e molekulare.
Në vitin 1957, kur unë isha në klasën e tretë të shkollës fillore, George Gamov dhe Francis Krick përpunuan teorinë e “dogmës qendrore” që shpjegonte mënyrën e rrjedhjes së informacionit gjenetik nga gjenet e zinxhirëve të ADN-së deri në sintezën e proteinave. Por këto lajme ishin të largëta për Shqipërinë, pa le për fshatin tim të largët që nuk kishte as dritë elektrike.
Unë rritesha, por ende nuk dija asgjë çfarë ishte Biologjia dhe me se mund të merrej ajo. Vetëm në shkollën shtatëvjeçare dhe atë të mesme pedagogjike, kuptova pak se çfarë ishte kjo shkencë dhe çfarë studionte. Kuptova se ne fshat merreshim përditë me Biologji pa e ditur se quhej Biologji.
Ne njihnim bimët e kafshët, njihnim fuqinë e farës për të dhënë filizat e reja, dinim se pula ngrohte vezët dhe çelte zogjtë e vegjël, njihnim sjelljen e insekteve, shpendëve e kafshëve të egra, në dinim çfarë ishte ripërtëritja e jetës kur shikonim lindjen e një qingji, ne dinim se bletët dhe grerëzat të pickonin, dinim që hardhia shtohej me kalemë dhe që gorrica shndërrohej në dardhë përmes shartimit.
Në vitin 1965 mbarova Shkollën e Mesme Pedagogjike dhe punova si mësues në Shkollën Fillore në Dukaj të Tepelenës. Më dukej se kisha hedhur një hap të rëndësishëm në rrugëtimin tim të dijes.
Një vit më vonë, kur isha ende 19 vjeç nuk e mësova kurrë se amerikanët Marshall Nirenberg e Robert Holley dhe pakestinezi Gobind Khorana i dhanë përgjigje mënyrës se si përkthehet kodi i gjeneve i përbërë nga kombinimi i katër nukleotide (Adeninë, Guaninë, Citozinë dhe Timinë) në kodin e proteinave i përbërë nga 20 aminoacide të ndryshme.
Sipas këtij kodi gjenetik, tre nukleotide të një gjeni të ADN-së, bartin informacion për pozicionimin e një aminoacidi në strukturën e çdo proteine. Por edhe po ta kisha dëgjuar nuk do kisha kuptuar asgjë.
Fati e solli që në vitin 1967 të merrja një të drejtë studimi për Biologji e Kimi në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Fati im i ardhëshëm profsional ishte përcaktuar.
Biologjia e atyre viteve ishte më shumë përshkruese. Ne mësuam mijëra emra në Latinisht për bimët e kafshët që rriteshin në tokë e ujë, mësuam sa petale e sepale kishin lulet e bimëve, sa të gjata ishin rrënjët e bimëve, cilat ishin ciklet e zhvillimit të parazitëve e plotë gjëra të tjera të kësaj natyre.
Mësuam anatominë e fiziologjinë e kafshëve, njeriut e bimëve, mësuam për teorinë e evolucionit, por shumë pak për biologjinë qelizore e molekulare. E vetmja gjë që mësuam për këtë nivel organizimi të së gjallës ishte Biokimia ose Kimia e jetës.
Zhvillimet moderne të Biologjisë nuk kishin mbritur ende te ne. Askush nuk na foli për zbulimin e enzimës së restriksionit në vitin 1970 edhe pse ishim në vitin e tretë të studimeve universitare. Ajo enzime këput zinxhirët e ADN-së ashtu siç këput gërshëra e rrobaqepësit një fije peri.
Falë kësaj “gërshëre” gjenetike, në vitin 1972, amerikani Paul Berg arriti të prodhonte mulekulën e parë rekombinante të ADN-së. Kjo shartesë u formuar nga dy molekula ADN-je me origjinë nga dy lloje të ndryshme, nga një bakter dhe një virus.
Po atë vit unë fillova punën si pedagog Biologjie në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, por padija ime për Biologjinë molekulare dhe Gjenetikën vazhdonte si edhe më parë. Kishim marrë vetëm gjashtë leksione në Gjenetikë, që ishin shumë pak për të kuptuar e njohur mekanizmat që qendroni në themel të trashëgimisë.
E megjithatë, zbulimet e mëdha në Biologji ndiqnin njëri-tjetrin. Në vitin 1973, amerikanët Stanley Cohen dhe Herbert Boyer, prodhuan organizmin e parë të modifikuar gjenetikisht. Ata arritën të futnin një gjen të huaj te një bakter, i cili rriste rezistencën ndaj antibiotikut canamycinë. Ky ishte hapi i parë që do t’i hapte rrugë prodhimit të bimëve e kafshëve të modifikuara gjenetikisht e më von dhe përdorimit të gjeneve si medikamente për shërimin e sëmundjeve trashëgeise.
Ishin vitet që diçka më shumë kish mbritur edhe në veshët tanë. Gërmonim të mësonim më shumë, por librat nga Perëndimi ishin të rrallë. Fatmirësisht në Bibliotekën Kombëtare filluan të vinin disa nga periodikët shkencore, që ishin një dritare për të kuptuar se çfarë ndodhte me shkencat biologjike në botë.
Për fatin tonë të keq, Gjenetika në atë kohë gati sa nuk ishte shpallur shkencë reaksionare dhe ne qëndronim të dashuruar me shkollën famëkeqe ruse të Lisenkos. Por dielli nuk mund të mbulohej me shoshë.
Tre profesorë të nderuar, Bajazit Shehu, Aleko Xoxe dhe Nelson Çabej, larguan renë e Lisenkos dhe filluan të flsinin e të shkruanin me guxim për zhvillimet moderne të Biologjisë. Për fat të mirë unë isha mik i afërt i tyre dhe bashkë me disa nga kolegët e mi të rinj u bëmë përkrahës dhe përçues të kësaj kulture te studentët tanë.
Në vitin 1977 amerikani Walter Gilbert dhe britaniku Frederik Sanger, në mënyrë të pavarur i dhanë Biologjisë molekulare metodën e deshifrimit të zinxhirëve të ADN-së, që ishte një armë e fuqishme e Inxhinierisë gjenetike.
Në vitin 1978, kur unë shkova me studime pasuniversitare në Paris, pata fatin e madh të bëhesha pjesë e familjes së madhe të biologëve me emër, por edhe të Biologjisë moderne. Aty u formova tërësisht si biolog dhe gjithë pjesën tjetër të jetës ia kushtova asaj.
Nëse dikur jeta për Aristotelin ishte lëvizje, për Dekartin një makinë, për filozofet e fundit të shekullit 19-të organizëm, për Darvinin evolucion, sot ajo konsiderohet më shumë si një botë informacioni në nivel molekular.
Sot, arsenali i teknologjive të reja ka mundur të ndërhyjë deri në “sekretet” më të thella të jetës. Laboratorët e biologëve kanë arritur të krijonë kopje të jetës përmes klonimit, organizma kimere si shkrirje e dy llojeve në një të vetëm, bimë e kafshë të modifikuara gjenetikisht, viruse e baktere të përpunuara në laborator, e sa e sa gjëra të tjera.
Inxhinieria gjenetike dhe Bioteknologjia në përgjithësi, Nanoteknologjia, Teknologjia e informacionit e shumë teknologji të tjera po tronditin botën, po tronditin etikën, moralin e deri të ardhmen e njeriut e njerëzimit. Po shkojmë drejt të panjohurës, ndoshta drejt kontrollit të jetës dhe evolucionit biologjik të saj.
Ndërkaq, jeta është vënë dhe vazhdon të vihet në provë përballë ndryshimeve që ka imponuar dhe vazhdon të imponojë mjedisi. Lloje të tëra janë zhdukur e të tjera janë shfaqur. Një lloj mund të jetë i përsosur në një kohë e rrethana të caktuara, por nëse mjedisi ndryshon, mbijeton vetëm ai lloj që ka aftësi të përshatet me kushtet e reja.
Po me ne njerëzit çfarë do të bëhet nesër? Do ekzistojmë apo do kemi fatin e dinosaurve, mbretëria absolute e të cilëve u zhduk përfundimisht. Vështirë është të jepet një përgjigje për dukuri që zgjasin me miliona vite.
Të paktën 180-200 mije vite më parë Nëna Natyrë na privilegjoi duke na dhënë inteligjencën, armën më të fortë me të cilën mund të ndërtojmë ose të shkatërrojmë të ardhmen tonë. Duket sikur Nëna Natyrë na tha: u dhashë inteligjencën ndaj tani mendoni vetë për rrugëtimin tuaj!
Për më shumë se 55 vite unë i takova dhe vazhdoj ti takoj botës së Biologjisë. Kam lexuar pa fund, kam shkruar pafund, kam bërë kërkime, kam mbajtur leksione për vite me radhë dhe në fund më duket sikur di pak, shumë pak.
E megjithatë, një ditë vendosa të shkruja një libër krejtë të veçantë. Punova jo pak por gjashtë vite pa pushim. Është një libër voluminoz me 1200 faqe dhe quhet “Biologjia, shkenca e jetës”. Mbase ky është edhe libri i jetës për mua.
Nëse fillimi i rrugëtimit tim si biolog ishtë i rastësishëm, sot them me bindje se nuk do kisha bere një zgjedhje më të përsosur se Biologjia, shkenca që merret me më të shtrenjtën e më sublimen, jetën.
©Ethem Ruka