Poeti piktor Frederik Rreshpja - Nga Vangjush Ziko

Vangjush Ziko
Poezia e Rreshpjes, në thelbin e vet, është poezi sentimentale, e cila përjeton lëvizjen e shpirtit, të mendimit, të ndjenjave dhe të përjetimeve të veta.
Poezia e tij përcjell gjendje delikate emocioale jo vetëm me ndihmën e verbit të tij lirik, të semantikës dhe të prozodisë së vet, por edhe nëpërmjet spektrit të ngjyrave.
Ngjyrat e përdorura në kontekstin e fjalëve përcjellin jo vetëm një kuptim emocional, atmosferë, por edhe një kuptim logjik-racional, përmbajtja e të cilave është e fshehur brenda tyre. Ngjyra fiton kështu dhe cilësi të inteligjencës.
Frederik Rreshpja ka pohuar: “E kam thënë disa herë që letërsinë nuk e kam patur me seriozitet kurrë. Unë kam dashur pikturën dhe kiminë. Ndofta vetëm me këtë shpjegohet fakti që jam letrar tipik pa ambicje dhe krejt indiferent për çka shkruaj...” (Marrëzia e Itakës)
Frederik Rreshpja ngjyrat i quan “shpirtra”:
“Asokohe dhe ngjyrat ishin shpirtra.
Në fund të kopshtit banonte mitologjia
në një olimp prej trëndafilash.” (Trëndafili i fëminisë)
Për poetin, ngjyra është e barabartë me fjalën.
Ngjyrat i mundësojnë poetit mënyrën sesi ta konceptojë dhe ta njohë figurativisht botën.
Shpirtin e vjeshtës e quan një “penelatë nervoze” dhe erën “piktore”, që “vizaton duart e nënës në erë”.
Krijimtaria e tij poetike na dëshmon se shumëllojshmëria e nuancave të ngjyrave e ndihmon poetin të përcjellë përmes tyre përvojat dhe nuancat e humorit të heroit lirik.
Shpesh poeti u drejtohet fenomeneve të natyrës për ta ndihmuar që të pikturojë mjedise të caktuar natyrore.
Mjegullën e quan “akuarel i lëvizshëm”:
“Më thërret një mjegull e ulur diku…
O akuarel i lëvizshëm! Ti mua më thërret
Por më erdhi tepër vonë thirrja jote.” (Ul kokën, i lodhur)
Vetëtima, era, shirat,trëndafili janë për të “shpirtra të natyrës”, që e ndihmojnë të pikturojë peisazhin:
“Një vetëtimë e plagosur ra diku
Si shpata e një klithme
Mbi tokën e lodhur prej qiejve,
verbuar nga bronxi i shirave
Shpjermëni te lumi që vdiq
Nëse kufomën e tij s’e kanë shpënë
erërat në qiell.” (Përditë ikin stinët)
Trëndafili, lulja e dhuratës intime të dashurisë, “çeli në kopsht, mu si një psherëtimë... Zemra ime, si më harrove kështu?” (Akuarel).
Zakonisht, Rreshpja shkruan në një sfond të errët dhe të shqetësuar.
Spektri i ngjyrave me anën e të cilave ai na përcjell emocionet dhe ndjenjat e veta përcjell trishtimin e natyrës tok me pikëllimin e shpirtit të tij.
Për Rreshpjen, ngjyra e verdhë shpreh shqetësimin e zogjve shtegtarë, stërgjeve:
“Dhe shtergët e fundit kaluan të ngrirë
Me sytë e verdhë në heshtje.” (Rekuiem)
Ngjyra e verdhë me nuancat e vrara të gjethes vjeshtake të tharë i kujtojnë mortin dhe qefinin, e shndërrojnë poezinë në një “rekuiem” për stinën e natyrës dhe të shpirtit përplot me trishtim:
“Më vdiq dhe kjo vjeshtë, më shkoi dhe kjo ditë
Qefinin me gjethe tharë...
O dimri i drerëve me brirë në erë,
Kë vjeshtë të qajmë më parë?” (Rekuiem)
Në poezinë “Qielli i djalërisë” ai zgjedh “të artën e qiejve”, shkëlqimin vezullues të floririt, e cila i kujton ëndërrimet naive të djalërisë:
“Qielli i djalërisë në sqep të një zogu
Ra mbi korijen e fjetur,
Nga Kashta e Kumtrit bie dhe tërfil’ i artë i qiejve.”
Kurse e verdha me nuancën e bronxit, përcjell ankthin e një gjëme apokaliptike:
“Një vetëtimë e plagosur ra diku
Si shpata e një klithme
Mbi tokën e lodhur prej qiejve,
verbuar nga bronxi i shirave.” (Përditë ikin stinët)
Ngjyra e argjendtë vjen me ftohtësinë e saj të hirtë, që të kujton ndjenjën e ftohtë të një shqetësimi kërcënues hakmarrës me konotacion historik:
“Në mbrëmjen verore, kur yjet flenë,
Në fund të përrenjve argjendorë
Vijnë jeniçerët nën gjysmë hënë:
-Ku është varri i të madhit Skënderbe?” (Jeniçerët)
E kuqja, ngjyra e gjakut dhe e flakës vjen me alarmin e saj përvëlues dhe kërcënimin e një hakmarrjeje të pamëshirshme:
“Poshtë toka, folklori i braktisur,
Shtigjet e zotave ilirë,
Agimet e përgjakura nga thika e hakmarrjes.” (Migjeni)
E bardha e mermerit, në poezinë “Motivi i gruas së kurbetlliut”, nga një ngjyrë neutrale, përdoret nga poeti si një motiv simbolik varrezash:
“Kam kaq kohë që rri këtu për ty, (bile me vite),
Si statuja e Pritjes, gdhendur në një mermer të bardhë dhimbjeje.”
E zeza mbetet gjithnjë e zezë, që nuk zbardhet kurrë, ngjyra më funebre e poezisë së Rreshpjes:
“Ik, ik mallkim i zi!
Një kalë i vdekur vrapon nëpër shpat”.
….......................
“Eh, ç' ranë këmbanat në fshat që me natë.
Ik, ik, mallkim i zi!” (Shkëmbi)
Ja dhe balada e një dashurie të vjetër të humbur:
“Kali i Zi i Pikëllimit ç’më rrëzoi
Dhe rashë si në balada
Gdhëndur në gravurat e vjetra,
Përmbys mbi shqytën e natës.
I vrarë nga një pranverë e kotë,
Braktisur nga bota e tërë...
Vetëm Kali i Zi i Pikëllimit vjen rrotull
Dhe qan për të zotin e vjetër.” (Dashuri e humbur)
Nga tërë ngjyrat, vetëm ngjyrën e zezë dhe pikëllimin i ka shkruar me shkronjë të madhe në këtë poezi.
I tillë ka qenë kalvari i këtij krijuesi atipik për kohën dhe regjimin në të cilin jetoi.
Fjalët e tij, në shkrimin e tij autobiografik “Marrëzia e Itakës”: “Ndofta vetëm me këtë shpjegohet fakti që jam letrar tipik pa ambicje dhe krejt indiferent për çka shkruaj”, janë një sfidë dhe ironi therrëse ndaj fatit të vet tragjik dhe kohës së “marrëzive”, në të cilën ai jetoi.
Poezia e Fredrik Rreshpjes mbetet një poezi e papërsëritshme, një poezi avangardiste. Ai, si rrallë kush nga bashkëkohësit e tij krijues, diti të na flasë, jo vetëm me shpirtin e tij genuin poetik, por dhe me kulturën dhe sqimën e eseistit dhe mjeshtrit të rrallë e të papërsëritshëm të gjuhës së ngjyrave.
© Vangjush Ziko