Letërsi

Meditim mbi dashurinë dhe vdekjen - Nga Vangjush Ziko

Shkak për këtë meditim u bë poezia e poetes Natasha Lako:

PREJ DASHURISË ASGJË S’ËSHTË SHFAQUR

Prej dashurisë asgjë s’është shfaqur

dhe asgjë nuk është thënë ende,

endemi rreth dashurisë, por e lemë të paprekshme

dhe të pafolur si vetë vdekja.

E tregojmë siç është, i vërtitemi dashurisë ndryshe

si folesë kur kthehen herë pas here dallëndyshet,

e tillë, e shajmë, shtiremi, e fusim thellë, e ndyjmë në kllanikë,

e deformojmë dashurinë, e dimë që s’na ikën,

e fusim në rrjetë, e mbyllim në nevojtore.

Hakmerremi me vdekjen, që mban dashurinë përdore.

Kjo poezi na sjell një rrafsh kohor dhe kushte historike të një jete të caktuar, që ka ndodhur rëndom në familjen shqiptare të viteve të mëparshme, kur oborret e shtëpive rrethoheshin me bedena të lartë dhe me akrapija të mbyllura, mentalitet të cilin, fatkeqësisht e gjejmë ende edhe në epokën modernizimit kur jetojmë në vila e pallate moderne.

Dashuria dhe Vdekja janë dy nga enigmat dramatike të jetës intime njerëzore të trajtuara dhe të komentuara pafundësisht dhe konkretisht jo vetëm nga filozofët, por edhe në gjykimet individuale apo në studime dhe gjykime publike, në sentenca të ndryshme klasike.

Energjia jetësore e dashurisë dhe ajo e vdekjes, në përgjithësi, janë të lidhura bashkë pazgjithshmërisht.

Lind vetvetiu pyetja se përse “nuk është thënë asgjë rreth dashurisë”, pse është edhe “e paprekshme” edhe e “anashkaluar” kjo e vërtetë kaq e qenësishme e jetës intime familjare?

Autorja na e krahason shtëpinë me “folenë e dallëndysheve” ku jetohet sipas “stinëve” të dashurisë. Në një “fole” të tillë vegjeton një jete e mbyllur familjare. Jetohet në kushtet e një mentaliteti të rëndomtë meskin, se bashkëshortja është një “skllave” dhe bashkëshorti i saj “padron” është i bindur që “s’na ikën”, nuk e ka të drejtën të ikë nga “çerdhja”!

Një “dashuri” e tillë është një “dashuri e deformuar” dhe e përbuzur, Këtë dashuri “e shajmë, shtiremi, e fusim thellë, e ndyjmë në kllanikë”.

Nuk kemi, pra, një dashuri të vërtetë bashkëshortore!

Dashuria është një kombinim i tërheqjes emocionale dhe seksuale ndaj një partneri që nuk përfshin përgjegjësinë, pranimin dhe shumë komponentë të tjerë të dashurisë së vërtetë. Dashuria është një ndjenjë e natyrshme tek njerëzit, një lidhje dhe dëshirë e thellë për një person ose objekt tjetër, një ndjenjë simpatie e thellë. Dashuria përfshin një sërë gjendjesh emocionale dhe mendore të forta dhe pozitive, nga virtyti më sublim deri tek kënaqësia më e thjeshtë. Dashuria është aftësia për të dhënë dashuri reciproke. E thënë thjesht: Sa më shumë që njeriu ka dhënë (investuar në dashuri), aq më shumë do.

Vdekja është në thelb fundi i ekzistencës tokësore, dhe bashkë me të, i lidhjes seksuale. Nëse e konsiderojmë vdekjen si mosekzistencë, atëherë kjo nuk është në asnjë mënyrë dashuri. Vdekja dhe dashuria, nëse janë të lidhura, lidhen vetëm në atë që qëndrimi i gjatë pa një person tjetër, nëse ka dashuri për të, është si vdekja. Dashuria bën që një person të heqë dorë nga egoizmi - dhe kjo është gjithashtu e ngjashme me vdekjen. Në fakt, dashuria është mishërimi më i lartë i jetës, jo vdekja.

Kjo dashuri e dhunuar dhe e nëpërkëmbur, shpëtimin e saj e shikon vetëm te vdekja. Vdekja e “mban dashurinë përdore”, shton autorja.

Energjia jetësore e dashurisë dhe ajo e vdekjes, në përgjithësi, janë të lidhura bashkë pazgjithshmërisht.

Mentaliteti patriarkal bëhet xheloz dhe e urren vdekjen, sepse ajo ia rrëmben “skllaven” e poshtëruar prej tij.

Sjellja meskine ndaj dashurisë është një hakmarrje ndaj vdekjes, që është sovraneja e dashurisë dhe e jetës njerëzore.

Dashuria dhe Vdekja në kushte të tilla na dalin si zgjidhje nga një realitet torturues njerëzor.

Poetja Natasha Lako është e njohur për “kundërpëfytyrimin” në trajtimin e temave intime dhe shoqërore në poezinë e saj realiste. Mendimi i saj poetik është konseguent edhe në këtë poezi. Ky mendim mishërohet artistikisht dhe estetikisht në çdo qelizë të ligjërimit të saj poetik.

Njeriu, siç e ka përcaktuar edhe Aristoteli, është një “qenie politike”, pra një qenie me një ndjeshmëri, jo vetëm vetjake, por edhe shoqërore i ekspozuar përballë të gjitha korrenteve filozofike, shoqërore, politike, morale, estetike dhe etike të epokës së vet.

Ligjërimi i poetes Natasha Lako ka një timbër të theksuar dramatik ekstrem, gati tragjik.

Në krijimtarinë e saj poetike kemi një perceptim modern të brendisë dhe të verbit poetik. Poezia e saj është sa lirike, po aq dhe qytetare.

Poetja e konsideron veten një qytetare ndaj problemeve aktuale shoqërore dhe, në mënyrë veçantë, ndaj dashurisë intime dhe të problematikave të saj, veçanërisht ndaj femrës.

Natasha Lako ka kodin e vet të veçantë të komunikimit me lexuesin.

Poetja, në radhë të parë, synon që kodi i saj semantik të jetë me sa më pak vargje.

Poezia lirike flet gjithmonë në numërin njëjës (unë) për t' i komunikuar lexuesit informcionin e vet poetik.

Në këtë poezi ajo përdor shumësin e përemërit vetor (ne): “endemi”, “e lemë”, “shtiremi”, “hakmerremi”, pra shumësin paditës autor-lexues si “bashkëfajtorë”, sepse po i përcjell lexuesit një dramë morale sa intime, po aq edhe shoqërore,

Poetja krijon kështu një lidhje emocionale psikologjike me lexuesin, aktivizimin e tij emocional, duke i përcjellë problemin filozofik mbi raportin midis dashurisë dhe vdekjes.

Personazhet e kësaj analize aksiologjike janë tre polet e energjisë njerëzore, që ndeshen midis tyre: Dashuria - Skllavëria - Vdekja.

Raportin midis Dashurisë dhe Vdekjes e shtjellova më sipër.

Skllavëria, në kuptimin e mentalitetit patriarkal, kjo stihi e egër dhe e verbër, është antagonistja e energjisë humane të dashurisë dhe të vdekjes, të energjisë mistike të përjetësisë.

Poetja ka vënë qendër të gjykimit energjinë regresive të verbër ndaj prosperitetit të jetës njerëzore.

Një nga tiparet thelbësore të poezisë së Natasha Lakos është dhe kondensimi në maksimum i energjisë poetike, që arrihet me anën e gjuhës së figurshme të poezisë nëpërmjet paralelizmit filozofik, apo krahasimit të vendit të veprimit “çerdhe- shtëpi”.

Në poezi bie në sy ritmi i shtruar dhe paraqitja e detajuar e brendisë ideoemocionale shkurt dhe saktë, por me një dinamikë të tensionuar në rritje të verbit poetik: “e fusim thellë”, “e ndyjmë në kllanikë”, “e deformojmë dashurinë”... “e fusim në rrjetë”, “e mbyllim në nevojtore”.

Autorja realizon kështu në mënyrën më të efektshme kodin e komunikimit të autorit me lexuesin, sipas studjuesit R. Jakobson.

Ritmi i poezisë, gjithashtu, na e përcjell bukur tensionin e lartë emocional të ligjërimit poetik.

Fjalori me fjalë vulgare, përcjell përbuzjen dhe sarkazmën qytetare të heroit lirik.

Poezia e Natasha Lakos është një manifest estetik dhe qytetar i veçantë, i cili përcjell, përveç subjektit të poezisë, mesazhin filozofik mbi raportin midis vdekjes dhe dashurisë.

Vdekja është në thelb fundi i ekzistencës tokësore, dhe bashkë me të, i lidhjes seksuale. Nëse e konsiderojmë vdekjen mosekzistencë, atëherë kjo nuk është në asnjë mënyrë dashuri.

Natasha Lako, krahas mesazhit se dashuria dhe jo vdekja, është mishërimi më i lartë i jetës, na përcjell dhe reflektimin e saj të sinqertë dhe të trishtuar:

“Prej dashurisë asgjë s’është shfaqur dhe asgjë s’është thënë ende”.

© Vangjush Ziko