Hapu, Sezam… se kemi zgjedhjet (!) - Nga Vangjush Saro

Fushata për zgjedhjet e 11 Majit vazhdon të prodhojë propagandë e mburrje, por sidomos premtime pa fund e anë, që të kujtojnë ditët më të errëta të vendit, ngjarje e fushata të tjera gjithë në klithma dhe vetëm kaq. Është ironike që edhe pas disa dekadash në demokraci, fjalët dhe fjalimet nuk sjellin dot asnjë të mirë. Në këtë rast, “opsioni” lumturak që na qaset nga libri i njohur “Një mijë e një net” i jep situatës nota edhe më komike. Hapu, Sezam; se jemi në zgjedhje!
Në fakt, siç shihet përditë, premtimet kanë marrë përpjetë keq fare… Gjer edhe partitë që sapo janë krijuar dhe s’janë parë asnjë ditë në punë, e kanë gati tablonë rozë ku nuk mungon asgjë. Të gjithë premtojnë tokën dhe qiellin, a thua kaq mjafton që të gënjehen edhe më tej votuesit, pse jo edhe ata që nuk votojnë, por njësoj i mbajnë sytë nga data “e bekuar”.
Përvoja ka treguar se shumëçka nga ato që thuhen, janë premtime që rëndom nuk mbahen, janë fjali që harrohen, sapo bie perdja e vodevilit të zhurmshëm të zgjedhjeve. Megjithatë, ata nuk jepen; madje, siç thotë diku i mënçuri Ç. Dikens, “jo vetëm që s’kanë mbetur në zall, por tani kanë hyrë në ujërat më të thella dhe nuk po ia gjejnë dot fundin mendjemprehtësisë së tyre.”
Këtu le të bëjmë një nënvizim ndryshe. Nëse njerëzit e opozitës - hajde, po e pranojmë në të gjitha ngjyrat dhe emërtimet - nuk kanë pasur shumë në dorë këto dhjetë vjetët e fundit, pra mund të shkojnë te publiku edhe me ndonjë teprim, për ata që ishin në pushtet dhe pak gjë realizuan, është vërtet demagogji e pastër; për zgjedhësit është thjesht poshtëruese. Janë male me gabime e shkelje të rënda në të gjitha nivelet, siç e pohon edhe vetë kryeministri i vendit, z. Edi Rama, situatë, të cilën me gjuhën e H. L. Borges mund ta përmblidhnim pak a shumë kështu: “Ta kemi hequr velin dhe pamja jote ka dalë e zhveshur.” Por z. Rama dhe vartësit e tij nuk duan t’ia dinë; vazhdojnë të mburren për gjithë sa (nuk) kanë bërë e ndërkaq, premtojnë nga e para: Evropën, parajsën, pensionet, shkollimin, mirëqenien, ujin, ajrin, gjëra që prej kohe shqiptarët i shikojnë në ëndërr.
Si mund të kalohen e mbulohen me kaq lehtësi dhe ndotësi pisllëqet e panumërta? Pikërisht kjo hipokrizi të bën përshtypje, ndër të tjera, në fushatën e socialistëve, alias “specialistëve”, siç thoshte i ndjeri përjetësisht i pafat Pjetër Arbnori. Mund të duket vërtet si një parabolë, por Kryeministri dhe njerëzit e tij, në asnjë rast, në asnjë takim, në asnjë fjalim, nuk kanë premtuar se nuk do të ketë më… korrupsion, vjedhje, tendera të paracaktuar, etj. Kjo duket pak e çuditshme, po të mendosh se (e thamë edhe më lart) shumë nga njerëzit e tij janë prapa hekurave dhe, për më tepër, të tjera pranga ndjehet sikur po vringëllijnë.
E gjithë fushata vazhdon të zhvillohet në një garë premtimesh për të qarë hallin… nga pensionet te SPAK, nga autostradat te TVSH dhe institucione të tjera. Lëmshi është ngatërruar më shumë se kurrë. Ç’mund të themi! Mbase ka ende kohë për të përmirësuar formulimet, pjesërisht edhe programet pse jo; për t’i bërë ato më të besueshme, për t’i zhveshur nga premtimet boshe të natyrës “Hapu, Sezam!” Njerëzit duhet të binden për çfarë të votojnë; duhet të shohin e të prekin udhën ku mund t’i çojë njëra parti apo tjetra, duke kërkuar në këtë temë origjinalitet dhe mospërsëritje bajate. Poeti i njohur amerikan R. Frost thotë diku: “Dy udhë u ndanë në pyll/dhe unë mora atë që s’ish rrahur shumë. Dhe ajo solli gjithë ndryshimin.”
© Vangjush Saro - Vancouver