Pse do të votoj për Partinë Konservatore të Kanadasë në këto zgjedhje? - Nga Endrit Mullisi
- Nga: Endrit Mullisi - Toronto
Nga dështimi liberal tek shpresa konservatore.
Ndërsa afrohen zgjedhjet e këtij muaji, unë kam vendosur me bindje të votoj për Partinë Konservatore të Kanadasë. Ky vendim nuk është i bazuar vetëm tek simpatia politike, por në bindjen time të thellë se kjo është partia që përfaqëson më mirë vlerat që kanë rëndësi për mua si në aspektin moral, ashtu edhe në aspektin ekonomik dhe institucional.
1. Mbrojtja e vlerave konservatore: morali, familja dhe marrëdhëniet ndërpersonale
Në një kohë kur shumë parti politike kanë adoptuar politika të lëkundura morale dhe një vizion gjithnjë e më të turbullt mbi institucionin e familjes, Partia Konservatore vazhdon të jetë mbrojtësja më e mirë e vlerave tradicionale. Ajo nxit përgjegjësinë personale, forcon rolin e familjes në shoqëri dhe i jep rëndësinë që meriton lidhjeve të shëndetshme ndërpersonale. Nëse duam një shoqëri të qëndrueshme, duhet të kthehemi tek themelet dhe këto janë vlerat që Konservatorët i ruajnë me përkushtim. Nuk do të thotë që të gjithë konservatorët mendojnë si unë, por të paktën ka liri brenda kësaj partie që të jesh si unë, gjë që Liberalët e kanë të ndaluar.
2. Përgjegjësia fiskale: për sot dhe për brezat që vijnë
Kostoja e jetesës është rritur ndjeshëm dhe borxhi kombëtar po shkon në nivele të rrezikshme. Liberalët në vitet e Justin Trudeau morën borxh sa gjithë kryeministrat përpara tij. Partia Konservatore është e vetmja forcë politike që e trajton me seriozisht këtë realitet. Nuk mjafton të qeverisësh për votat e sotme - duhet të mendosh edhe për të ardhmen e fëmijëve tanë. Për momentin të vjen mirë kur merr çeqe nga qeveria, por nuk është kjo rruga që duhet ndjekur. Politikat e shpenzimeve të pakontrolluara duhet të ndalen dhe është koha për një qeveri që e kupton rëndësinë e disiplinës financiare dhe ekonomisë së qëndrueshme.
3. Koha për ndryshim: një përgjigje ndaj dështimeve liberale
Partia Liberale ka dështuar në shumë fronte: nga ekonomia, politika ndërkombëtare, besimi i qytetarëve, e deri tek ndarja e thelluar sociale. Lideri i tyre i mëparshëm, i adhuruar për vite me radhë, nuk u përjashtua për dështimet që solli, por iu kërkua “të tërhiqet”, si një mënyrë për të shpëtuar anijen që po fundosej. Por dështimet nuk janë të një individi - janë të një partie që ka humbur busullën dhe nuk ka guximin të marrë përgjegjësi. Ndryshimi është i domosdoshëm.
4. Një lider që e njeh politikën dhe vendin që drejton
Pierre Poilievre nuk është një lider që u katapultua në politikë nga fama apo privilegji. Ai ka kaluar nëpër të gjitha shkallët e karrierës politike dhe i njeh nga afër problemet reale të kanadezëve. Në kohë të paqëndrueshme, nuk na duhet një figurë bankare apo një zë shabllon politik, por na duhet një vizion i qartë dhe i qëndrueshëm për Kanadanë. Poilievre e ka mbajtur këtë vizion që nga dita që garoi për lider partie, dhe nuk ka devijuar nga ai.
5. Është koha për rotacion
Demokracia funksionon më mirë kur qeverisja kalon nga një palë tek tjetra. Është mënyra më e mirë për të pastruar gabimet, për të rinovuar shpresën dhe për të sjellë përgjegjësi. Është koha që Partia Konservatore të marrë drejtimin dhe t’i japë Kanadasë një fillim të ri, me vlera, përgjegjësi dhe vizion.
Jam i ndërgjegjshëm që ka njerëz që votojnë vetëm për një arsye, që ata e quajnë më të rëndësishme dhe nuk kam ç’të them sepse secili prej nesh ka arsye prioritare solide apo relative. Këto që rendita më lart janë arsyet për të cilat unë do të votoj me ndërgjegje për Partine Konservatore të Kanadasë.
© Endrit Mullisi - Toronto












