Kongresi i Lushnjes, ngjarja më e madhe politike pas Pavarësisë - Nga Elmaz Sherifi
- Nga: Elmaz Sherifi
Veҫoritë historike që e përshpejtuan organizimin e Kongresit të Lushnjës
Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore elita shqiptare u shfaq me një mendësi të re politike dhe dimension të ri organizativ për rithemelimin e institucioneve të Shqipërisë. Idetë politike u përmbyllën me organizimin e Kongresit të Durrësit më 25 dhjetor 1918 dhe krijimin e Qeverisë së Turhan Pashë Përmetit. Qeveria e Durrësit nuk e shtriu autoritetin në kufijtë e caktuar nga Komisioni Ndërkombëtar i Kufijve, pasi në Shqipëri ndodheshin akoma forcat italiane të Gjeneral Piaҫentinit dhe shumica e qeverisë së Durrësit shkuan në Konferencën e Paqes në Paris. Delegacioni e hoqi kryeministrin Turhan Pasha nga funksioni i kryetarit, sepse shfaqi hapur idenë e vendosjes së Shqipërisë nën mandatin e Italisë dhe caktoi kryetar Luigj Bumҫin.
Më 19 korrik 1919 u nënëshkrua marrëveshja sekrete Italo-Greke nga Titon–Venizellos, me pazare e lëshime reciproke për territoret e Shqipërisë.Ndaj marrëveshjes reagoi më 14 gusht 1919 Delegacioni i Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris. Marrëveshja u njësua me Traktatin e Fshehtë të Londrës së prillit 1915. Nota e protestës i’u drejtua edhe Kryetarit të Konferencës së Paqes Georges Clémenceau.
Më 20 gusht 1919 u firmos marrëveshja Italo-Shqiptare nga ministrat Myfid Bej Libohova e Fejzi Bej Alizoti, dhe markezi Karl Durrazzo, i cili ishte Këshilltari i Legatës së Italisë në Shqipëri. Italia pranonte shtrirjen e autoritetit të administratës së Qeverisë së Durrësit në të gjitha territoret e pushtuara nga Italia, me përjashtim të Vlorës, ҫka njihte Sovranitetin e Italisë mbi Vlorën. Me atë akt u pranua edhe emërimi i Gjeneral Fortunato Kastoldit, Komisar i Naltë në Shqipëri, për mbikqyrjen e administratës shqiptare, në “ҫështjet më sensitive”.
Situata ishte sa e turbullt dhe inkandeshente. Lëvizja Kombëtare Shqiptare filloi artikulimin e nevojës së një mbledhje kombëtare për t’i dal zot vendit. Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Osman Haxhiu, Aristidh Ruҫi dhe Beqir Sulo i kërkuan qeverisë zgjedhjen e anëtarëve të Senatit të Durrësit. Më 15 tetor 1919 anëtarët e qeverisë së Durrësit kërkuan mbledhjen e Senatit të Durrësit. Por Senati i Durrësit nuk u mbodh asnjëherë, si tha Kryetari i Këshillit të Naltë Aqif Pashë Elbasani në fjalën përshëndetëse të mbledhjes së parë të Këshillit Kombëtar.
Situata politike u ndez edhe më shumë më 14 janar 1920. Sepse, kryeministri i Britanisë David Lloyd George, ai i Francës Georges Clémenceau dhe Francesco Nitti i Italisë, në mungesë të përfaqësuesit të SHBA-së, Frank L. Polk në Konferencën e Paqes në Paris, nënshkruan një marrëveshje që parashikonte copëtimin e Shqipërisë midis tri shteteve fqinjë. Ngjarjet antishqiptare, përshpejtuan organizimin e mbledhjes kombëtare.
(Turhan Pashë Përmeti)
Organizatorët dhe kundërshtarët e Kongresit të Lushnjes
Historiografia shqiptare ka qenë e “kursyer” për të pasqyruar me vërtetësi e drejtësi, se cilët ishin organizatorët e Kongresit. Me rastin e 100 vjetorit të Kongresit të Lushnjes, i cili është eventi më i rendësishëm politik e institucional pas shpalljes së mëvetësimit të Shqipërisë, le ta zbardhim të vërtetën historike dhe rolin e aktorëve politikë më të rendësishëm, për ta ridimensionuar atë moment historik.
Sipas burimeve arkivore dhe mendimit të studiuesëve e dëshmitarëve që u morën me organizimin e Kongresit të Lushnjes, nismëtare e kongresit ka qenë organizata “Krahu Kombëtar” e themeluar në Durrës që më 1915. Në organizatë ishte afruar që prej vitit 1917 edhe Ahmet Zogu. Në nëntor 1918 organizata u emërtua “Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës”.
“Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” me kryetar juristin Hoxhë Kadria, ishte mjaft aktiv në mbrojtjen e ҫështjeve kombëtare dhe më 2 nëntor 1919 i kërkonte ministrit të Punëve të Brendëshme të Qeverisë së Durrësit, që të ndërhynte kundër agjenturave sllave të Beogradit dhe të Francës, që sipas tij, më 25 tetor 1919 i kishin ofruar Zyrës Jugosllave në Shkodër 500 mijë franga për të vrarë Kryetarin e Bashkisë së Gucisë Ismail Efendinë, i cili atëhere ndodhej në Barbullush të Shkodrës. Me atë letër i kërkohej edhe delegacionit të qeverisë së Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris, që të kundërshtonte ndarjen e trojeve shqiptare, duke theksuar, se edhe Shkodra ishte e Shqipërisë, prandaj, Italia të hiqte dorë nga Vlora dhe ushtritë e Serbisë të largoheshin nga kufijtë e caktuara më 1913.
Më 4 dhjetor 1918, “Komiteti i Kosovës” i kërkoi Presidentit Wilson, që në emër të humanizmit dhe të nderit, të dërgonte një njësi të forcave ndërkombëtare, kundër forcave malazeze në Plavë e Guci. Kurse më 18 gusht 1919, Ahmet Zogu i propozoi Këshillit Bashkiak të Elbasanit, të merrte nismën si qytet në qendër të Shqipërisë, për të organizuar një mbledhje kombëtare.
Sipas Sejfi Vllamasit, në fund të nëntorit 1919, një grup i “krahut kombëtar” diskutuan në shtëpinë e Prefektit Abdyl Ypi në Durrës, përshpejtimin e organizimit të kongresit. Në atë mbledhje ishin, Sotir Peci, Esheref Frashëri, Fazlli Frashëri, Sali Vuҫiterni, Halim Gostivari, Xhevit Leskoviku dhe Sejfi Vllamasi, Aty u vendos që Fazlli Frashëri të shkonte në Korçë, Sejfi Vllamasi në Shkodër dhe Zogu në Mat.
Sipas dokumenteve arkivore dhe aktorëve politikë, në organizimin e eventit që themeloi sui generis institucionet e shtetit të së drejtës, kanë patur kontribute të veҫanta personalitetet, Aqif Pashë Elbasani, Abdi Toptani, Ismail Ndroqi, i cili ishte kryetar i katundarisë së Tiranës/kryetar i bashkisë, Osman Myderrizi me cilësinë e kryetarit të shoqërisë “Drita” në Tiranë dhe Mytesim Këlliҫi.
(Aqif Pashë Elbasani)
Abdi Toptani ishte patriot i vjetër, i matur, i ndershëm dhe me shumë besueshmëri te rrethi i nacionalistëve në Tiranë e Krujë. Sipas Hafiz Ali Korça, bashkëpunimi i Aqif Pashë Elbasanit me Abdi Bej Toptanin, vlerësohej me rëndesi vendimtare për organizimin e Kongresit të Lushnjës, sepse ishin me shumë autoritet në rrethet politike dhe kishin qenë ministra në qeverinë e Ismail Qemalit dhe atë të Turhan Pashë Përmetit nën qeverisjen e Vidit. Hafiz Ali Korça në librin e tij “Shtatë Ëndrrat e Shqipërisë”, i botuar më 1924 e vlerësonte edhe Ferid Vokopolën si një nga nismëtarët më të flaktë të kongresit. Si i tillë mendoj se duhet konsideruar edhe vetë autori i librit. Hafiz Ali Korҫa pretendon se ka ndërmjetësuar për bashkimin e dy personaliteteve, Aqif Pasha dha Abdi Toptani. Një personalitet tjetër me peshë politike në organizimin e kongresit ishte edhe Iljaz Vrioni. Sipas Sejfi Vllamasit, për të marrë pëlqimin dhe mbështetjen e Iljaz Vrionit për mbledhjen e Kongresit në Lushnjë u dërgua në Berat kapiteni Meleq Frashëri. Në momentin kur Iliaz Bej Vrioni shprehu mbështetjen për organizimin e mbledhjes kombëtare, komisioni organizator nisi njoftimet në çdo bashki të Shqipërisë.
Mbështetës për organizimin e kongresit ishin edhe ministrat e qeverisë së Durrësit, në Konferencën e Paqes në Paris, Mehmet Konica, Mihal Turtulli dhe imzot Luigj Bumçi, të cilët u takuan në Paris edhe nga konsulli I Anglisë Morton Eden.
Në Kongresin e Lushnjës morën pjesë edhe njerëzit më besnikë të Esat Pashë Toptanit, Osman Bali, Osman Mema, Hamit Toptani etj, duke menduar, se pas kongresit, Esati, me autoritetin dhe mbështetjen që kishte, mund të merrte drejtimin e vendit. Me ato interesa mund të lidhet edhe vrasja e Esat Toptanit nga Avni Rustemi. Sipas Eqerem Bej Vlorës, babai i Avniut, Naim Rustemi, ishte qehaja i familjes “Libohovë-Asllanpashali”.
(Mihal Turtulli)
Organizimi i kongresit ishte një veprimtari e mirëfilltë politike, konstitucionale e institucionale me karakter kombëtar. Karakteri kombëtar duket edhe nga përbërja e komisionit organizator. Komisioni ishte me 22 anëtarë, ku spikatin Ferid Vokopola, Xhavit Leskoviku, Eshref Frashëri, Xhemal Bej Prishtina, Halit Libohova, Llazar Bozo, Besim Nuri, Hysni Curri, Mustafa Vokopola, Emin Vokopola, Abedin Ibrahimi, Qemal Mullai, Syrja Pojani, Nebi Sefa, Rasim Hoxha, Abedin Nepravishta, Abdulla Aga, Arif Qafmolla, Jakov Bozo, Hasan Abedini, Reshit Shazimiri, Hamit Xheka dhe Sinani. Kryetar i komisionit ishte kryetari i katundarisë/bashkisë së Lushnjës Nebi Sefa. Këtë e vërteton letra e Ismail Ndroqit, për kryetarin e katundarisë dhe të Komisionit të Organizimit të Kongresit, më 12 janar 1920. Përbërja e Komisionit të Organizimit të Kongresit, iu njoftua prefektit të Beratit nga Nënprefekti i Lushnjës Veli Vasjari më 9 janar 1920.
Veli Vasjari ishte në dijeni të programit për mbledhjen kombëtare, sepse, së bashku me Sheh Ibrahim Karbunarën kishte pritur konsullin e Anglisë Morton Eden, ku ishte diskutuar mbi krijimin e komisionit për organizimin e mbledhjes kombëtare. Veli Vasjari e informonte prefektin se mbledhja kombëtare nuk ishte inicuar nga populli i Lushnjës, por ishte një marrëveshje kombëtare. Mbledhja nuk ishte kundër qeverisë, por kishte qëllim bashkimin e vllazërimin e shqiptarëve, do të ishte e qytetëruar e do i jepte fund mosmarrëveshjeve tradicionale. Veli Vasjari e garantonte prefektin, se Komisioni i Organizimit të Kongresit nuk do dilte jashtë programit dhe ai së bashku me komandën e xhandarmërisë do të siguronte rend e qetësi.
(Imzot Luigj Bumçi)
Mbi informacionin e Veli Vasjarit prefekti i Beratit njoftoi Ministrinë e Brendshme me shkresë Nr. 4 dt. 7 janar 1920 dhe propozonte heqjen nga Lushnja të Komandantit të Xhandarmarisë Shqiptare Meleq Frashëri, sepse, sipas tij, ai kishte gisht në organizimin e kongresit dhe në vend të tij propozonte të emërohej Komandanti i Kompanisë së Fierit, Veiz Sevrani.
Në literaturën historike thuhet se ky kongres u zhvillua pa ndikimin e faktorit ndërkombëtar. Mendoj se kjo duhet konsideruar pjesërisht e vërtetë, pasi, ka fakte të shumta se Anglia kishte hequr dorë nga prapaskenat dhe “indiferentizmi” ndaj Shqipërisë, dhe u bë aktive nëpërmjet konsullit Morton Frederik Eden.
Një fakt të tillë e pranon edhe Eqerem Bej Vlorës, i cili ishte kundër zhvillimit të kongresit. Sipas tij, Morton Eden, fliste hapur me nacionalistët shqiptarë për mundësinë e dëbimit të italianëve dhe bërjen e një kongresi. Eqerem Bej Vlora, e kishte pritur Morton Eden edhe në shtëpinë e tij e kishte diskutuar me të për zhvillimet politike, por, si thotë në kujtimet e tij, ai nuk u angazhua politikisht, pasi nuk besonte se shqiptarët mund ta organizonin kongresin, kur Italia e kundërshtonte dhe forca të shumta italiane të komanduara nga miku i tij Gjeneral Piaҫentini kontrollonin gati tërë Shqipërinë.
Dokumente të shumta e bëjnë të besueshëm rolin e konsullit të Anglisë Morton Eden për organizimin e një mbledhje kombëtare në Shqipëri. Në një dorëshkrim të Ahmet Shehut, që ruhet në Shtëpinë Muze të Kongresit të Lushnjës, jepen të dhëna për takimin e Morton Eden, në nëntor të vitit 1919, në Teqenë e Karbunarës. Ahmet Shehu e “pikturon” Eden, si të panjohurin e veshur allafrënga, i krehur bukur, dhe me një gjuhë të pakuptueshme u fut në Teqe i shoqëruar nga Mahmud Bidri, i cili njihej si njeri i Aqif Pashë Elbasanit. Pjesëmarrësit morën dijeni për mysafirin nga përkëthyesi Myqerem Hamzaraj. Mirëseardhjen i’a uruan Sheh Ibrahim Karbunara dhe Nënprefekti i Lushnjës, Veli Vasjari.
Morton Eden e mbështeti idenë e hedhur në qarqet e patriotëve shqiptarë për mbajtjen e një mbledhjeje të gjerë, pasi sipas tij, pavarësia e Shqipërisë ishte në rrezik, por pa e përmendur vendin se ku do të zhvillohej. Ahmet Shehu pretendon se Morton Eden pas pesë ditësh u rikthye në teqe, ku u zhvillua një diskutim tjetër i gjatë me shumë patriotë dhe me propozim të Vasil Tromarës nga Korça, u vendos që mbledhja të bëhej në Lushnjë. Në mbledhje u zgjodh edhe një komitet, i cili formuloi një thirrje për patriotët e të gjithë Shqipërisë dhe u caktuan nëntë vetë për ta shpërndarë thirrjen.
Sheh Ibrahim Karbunara e quajti një nder mbajtjen e Kongresit në Lushnje, por kërkoi dhjetë ditë kohë për përgatitje sa më të plota. Sipas Ahmet Shehut, mbledhja u bë nën mbrojtjen e xhandarmërisë së Lushnjës, me komandant kapiten Meleq Frashëri, i cili punoi për organizimin dhe mbrojtjen e delegatëve të kongresit. Pas marrjes së vendimit për organizimin e kongresit, Eden shkoi në Peqin, Tiranë, Mat e Shkodër, me roje personale, Taullah Sinani, si njeri i ditur dhe i pushkës, dhe Muç Bani, Idriz Çela, Ram Dervishi e Sil Keqi. Kur ishte duke udhëtuar për në Shkodër së bashku me Preng Pashën, konsulli u plagos në Fushë-Krujë, por ai e fshehu atë fakt, për të mos u kompromentuar.
Edhe sipas Sejfi Vllamasit, Morton Eden shkoi në Berat e Gjirokastër në dhjetor 1919, i shoqëruar nga major Mustafa Maksuti dhe ish kadiu Azis Tajari. Në Gjirokastër Eden ishte takuar me kryetarin e bashkisë Beso Bega dhe Javer Hurshitin. Në kofidencë ai u kishte thënë se qeveria britanike dëshironte formimin e një qeverie kombëtare, në vend të qeverisë së Durrësit dhe i porositi bashkëbiseduesit, se nëse do të vinte ftesë për në kongres, duhej të nisnin delegatë, Veli Harshovën dhe Beso Begën.
Konsulli Morton Eden, ishte i shërbimeve sekrete angleze. Këtë fakt, e pohon edhe studiuesja Pranvera Dibra. Sipas saj, më dhjetor 1919 Morton Eden shkoi në Berat, Gjirokastër e Vlorë. Për rolin e konsullit Morton Eden ka shkruar edhe studiuesi Joseph Swaire. Sipas tij, Morton Eden qëndroi në Lushnjë gjatë ditëve të kongresit. Ai iku në përfundim të punimeve sëbashku me kolonelin britanik Philips. Gjatë atyre ditëve Morton Eden takohej me oficerët italianë, kurse netëve, sipas Ahmet Shehut, qëndronte në Teqenë e Karbunarës dhe bisedonte me delegatët, të cilët i njohu personalisht. Eden informoi se Myfit Libohova, ministër i qeverisë së Durrësit, ishte nisur me 500 milicë nga Gjirokastra për në Lushnjë.
(Iliaz Vrioni)
Në ato situata historike edhe forcat vullnetare nga Karbunara, Kolonja, Darsia, Divjaka e Libofsha të komanduara nga Kryetari i Shtabit për Mbrojtjen e Kongresit Llazar Bozo, që ishte edhe delegat, u vunë në mbrojtje të delegatëve.
Delegatët e parë mbërritën në Lushnjë më 18 janar 1920. Ata priteshin nga grupi përkatës dhe strehoheshin në shtëpitë e caktuara të cilat merrnin furnizimin me ushqime. Mjaft prej delegatëve u strehuan në shtëpinë e Teki Libohovës, e cila u dogj nga nazistët në 18 tetor 1944.
Si përfundim, organizimi i mbledhjes kombëtare kishte mbështetje të gjerë. Por cilët ishin kundër? Kundër kongresit ishin Italia e Musolinit, feudalët shqiptarë filoitalianë, si Shefqet Verlaci, dhe ministrat me afiliacion italian, Myfid Libohova, Fejzi Alizoti e Mustafa Kruja.
Implikimi i ministrave të qeverisë së Durrësit vërtetohet me letrën e Ministrit të Financave Fejzi Alizoti, i cili kryente edhe funksionin e Ministrit të Brendshëm. Mehdi Frashëri ishte në Konferencën e Paqes Paris. Alizoti më 13 janar 1920, në përgjigje të shkresës Nr. 4 dt. 7 janar 1920 të prefektit të Beratit, dha urdhër ta ndalonin organizimin e kongresit. Urdhëri i’u drejtua Nënprefektit të Lushnjës, tepelenasit Veli Vasjari, me shkresën nr. 16, dt. 16 janar 1920.
Sipas urdhërit, “në Shqipëri ishte një okupacion ushtarak dhe mbledhja nuk lejohej, pasi kishte karakter politik. Mund të bëheshin mitingje, protesta e ҫdo veprim nga ana e popullit për të mbështetur indipedencën, në bashkëpunim me qeverinë dhe për të forcuar veprimin e dërgatës në Kuvënd të Paqes në Paris.” Nënprefekti urdhërin i’a dërgoi Komisionit Organizator.
Ministri Fejzi Alizoti me shkresën Nr. 19 dt 25 janar 1920 i kërkonte Përfaqësuesit të Qeverisë Përkohëshme të Durrësit në Romë, të ndërmjetësonte te autoritetet e Italisë që të ndërhynin me ushtri për pengimin e Kongresit, sepse si thoshte, “kam biseduar edhe me Administratën Civile që varet nga Komanda Ushtarake e Garnizonit Italian, por oficerët shqiptar, nuk i zbatojnë, as urdhërat e mi dhe as ato të komandës duke u krijar një anarki e pa dëgjuar.”
Fakt tjetër i dokumentuar është ndalimi i Hysni Currit, dhe grupit që kryesonte në hyrje të qytetit të Lezhës nga patrulla italiane më 18 janar 1920, me bindje se Qeveria e Durrësit nuk do të jepte leje për mbajtjen e Kongresit në Lushnje.
Pavarësisht urdhërit për ndalimin e kongresit, paria e Lushnjes i dërgoi letër Nënprefektit Veli Vasjari me të cilën e vinin në dijeni, se mbledhja do të bëhej sipas traditës dhe të drejtave të një populli të lirë e konstitucional, dhe i kujtonin Fejzi Alizotit, se edhe mbledhja e Durrësit, ku ai u bë ministër u zhvillua pa vullnetin e Italisë. Më 17 janar 1920, paria e Lushnjës i dërgoi letër edhe Komandantit të Xhandarmarisë italiane kolonel Rudolfit dhe e paralajmëronin se, “nëse delegati Fejzi Bej Alizoti, (delegatë u emërtuan minsitrat nga Kongresi i Durrësit) do të urdhërojë ndalimin e mbledhjes, duke dale jashtë kompetencave, asnjë shqiptar nuk do t’ja dëgjojë urdhërat.” Dhe realisht ashtu ndodhi.
Institucionet që themeloi Kongresi i Lushnjes.
Delegatët e Kongresit të Lushnjes i filluan punimet më 21 janar 1920, ora 10, në shtëpinë e Kaso Fugës. Fillimisht Sheh Ibrahim Karbunara bëri një lutje. Ferid Vokopola, përshëndeti delegatët në emër të komisionit organizator dhe Aqif Pashë Elbasani me fjalë patriotike dhe të flakta e gjallëroi mjedisin e kuvendit. Delegatët zgjodhën sekretar të përkohshëm Ferid Vokopolën. Me propozimin e tij u krijua komisioni i verifikimit të mandateve, me Irfan Bej Ohri, Qazim Kokoshi, Kostaq Kosta, Fazlli Frashëri dhe Adem Peqini. Komisioni konstatoi se nuk ishin të pranishëm shumica absolute e delegatëve, prandaj mbledhja u shty për më 28 janar në orën 14.
Seanca e dytë filloi më 28 janar. Xhavit Leskoviku në emër grupit iniciator propozoi që kongresi të drejtohej nga kryesia e kongresit, me kryetar, Aqif Pashë Elbasani, nënkryetar Sotir Peci, dhe sekretarë, Kostaq Kosta e Ferid Vokopola.
Kongresin e Lushnjës kur themeloi pushtetet e shtetit ushtroi kompetencat e një asambleje kushtetuese kombëtare. Kjo bëhet e besueshme nga dokumenti që Aqif Pashë Elbasani, si kryetari i Kongresit i dërgoi Konferencës së Paqes në Paris, më 2 shkurt 1920, ku i bënte të ditur se: “Asamblea Kombëtare e mbledhun në Lushnjë në një zë i drejtohet Konferencës së Paqes dhe i kërkon asaj pamvarësi të plotë, pasi nuk pranon asnji mandat ose protektorat të huaj”. Me zgjedhjen e kryesisë së kongresit u konstitua Mbledhja Kombëtare dhe u legjitimua për themelimin e pushteteve të shtetit.
Seanca e tretë u hap më 29 janar 1920 nga Nënkryetari i Kongresit Sotir Peci. Ai informoi kongresin se disa nga delegatët e Elbasanit nuk e konsideronin legjitim zhvillimin e kongresit të Lushnjës. Ishte e vërtetë se Këshilli i Katundarisë së Elbasanit/Këshilli i Bashkisë, më 6 janar 1920 kishte diskutuar ftesën e komisionit organizator të Kongresit të Lushnjës dhe ishin shfaqur dy alternativa. E para, që kongresi të zhvillohej dhe të caktoheshin delegatët pjesmarrës. Grupimi i dytë e kundërshtonte zhvillimin e kongresit me argumentin, se, qeveria e Durrësit ishte e ligjshme dhe rrëzimi i saj mund të delegjitimonte edhe delegatët e Konferencës së Paqes në Paris që ishin caktuar nga Kuvendi i Durrësit. Ky grupim mendonte se punën e qeverisë së Durrësit duhej ta gjykonte vetëm Senati i Durrësit. Pas diskutimeve, Këshilli i Katundarisë së Elbasanit me votim vendosi, qeveria e Durrësit ishte e ligjëshme e për rrjedhojë Kongresi i Lushnjës nuk duhej bërë.
Shefqet Vërlaci ishte delegat i Elbasanit në Kongresin e Lushnjes dhe mbronte tezën se nuk duhej zhvilluar kongresi. Për ta vlerësuar vendimin e Këshillit të Katundarisë së Elbasanit, Nënkryetari i Kongresit Sotir Peci propozoi që në rendin e të ditës, të ishte “Bisedim, besimi ose mosbesimi i mbledhjes kombëtare për qeverinë e përkohëshme”. Një nga detyrat themelore të delegatëve ishte zgjedhja e autoriteteve/themelimi i pushteteve të shtetit.
Diskutimi mbi mendimin e delegatëve që nuk e konsideronin legjitim kongresin e Lushnjës, është pasqyra më e qartë e zhvillimeve demokratike të atij kongresi. Pas debatit u vendos rrëzimi i qeverisë së Durrësit, me 45 vota pro dhe 6 kundër. Me atë rast delegatët vendosën që Imzot Bumҫi, Mehmet Konica e Mihal Turtulli të vazhdonin përfaqësimin e Shqipërisë në delegacionin e Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris. Kryetarin le ta zgjidhnin delegatët mes tyre.
Sotir Peci propozoi që të themeloheshin institucionet e reja, pushtetet e shtetit. U gjykua se Shqipëria duhej të kishte një kryetari kolektiv të shtetit, të emërtuar Këshilli i Naltë, me katër anëtarë, që u përkisnin besimeve kryesore fetare dhe për ta të votohej sheshazi/hapur. Delegatët e pranuan institucionin e ri sui generis, deri sa të zhvilloheshin zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese, e cila do të përcaktonte formën e qeverisjes me zgjedhje të lira e demokratike, si në vendet perëndimore.
Emrat e anëtarëve të Këshillit të Naltë i paraqiti delegati i Beratit Iliaz Vrioni. Ai propozoi Aqif Pashë Elbasanin, si përfaqësues i myslimanëve bektashinj, Dr. Mihal Turtullin si përfaqësues i të krishterëve ortodoksë, Imzot Luigj Bumҫin, si përfaqësues i të krishterëve katolikë dhe Abdi Toptanin, si përfaqësues i muslimanëve sunitë. Pyetja më logjike është se nga doli modeli i qeverisjes me kryetar kolektiv shteti? Filozofia e së drejtës/jurisprudenca, nuk trajton modele të ngjashme.
Modeli i kryetarit kolektiv të shtetit është shtjelluar për herë të pare nga Sami Frashëri, më 1899, te projekti kushtetues e institucional “Shqipëria ҫ’ka qenë ҫ’është e ҫ’do të bëhetë”. Sami Frashëri duhet konsideruar konstitucionalisti i parë modern i Shqipërisë, që njihte filozofinë juridike të shtetit të së drejtës, me pushtete të ndara e të balancuara, sipas parimeve të kryeveprës së Montesquieu, “Mbi Frymën e Ligjeve” (L’Esprit de lois) të publikuar në 1748. Pra, Sami Frashëri ishte për formën republikane të qeverisjes, me presidencë kolektive, me pesëmbëdhjetë anëtarë, ose miss, si i quante ai anëtarët e pleqësisë.
(Sotir Peci)
Po ҫfarë përfaqësonte Këshilli i Naltë në formën e qeverisjes, monarkinë apo republikën? Për këtë moskuptimet ishin të mëdha edhe midis anëtarëve të Këshillit Kombëtar, dhe ato u qartësuan vetëm kur u diskutua Projekt-Statuti i Zgjeruar i Lushnjes, në Bisedimet e Këshillit Kombëtar, që i filloi punimet më 11 shtator 1922, në mbledhjen e 39 e përfundoi në mbledhjen e 96 në 8 dhjetor 1922.
Prandaj themelimi i institucionit të kryetarit kolektiv të shtetit në formën e regjencës, mund të konsiderohet risi politike institucionale, një model sui generis, pasi raste të ngjashme në kohët modern të shtetit të së drejtës, janë shumë të rralla, si në Bosnjë-Hercegovinë, në mos të pamundura.
Në dokumentet arkivore nuk ka të dhëna për inicuesit e idesë së krijimit të kryetarit kolektiv të shtetit, pasi kuptohet, që shkëmbimi i mendimeve mes aktorëve politikë ka qenë “diskret” si marrëdhenie xhentëlementësh. Në Arkivin Qendror të Shqipërisë gjendet vetëm proces verbali i propozuesit të emrave të tyre, sipas marrëveshjes me “inicuesit” e kongresit. Njëkohësisht, nuk ka asnjë dokument që provon, se pse dhe si Aqif Pashë Elbasani kreu funksionin e kryetarit të Këshillit të Naltë. Disa rreze drite u hodhën gjatë diskutimit të Projekt-Statutit të Zgjeruar të Lushnjës mbi formën e qeverisjes dhe kryetarin e Këshillit të Naltë në mbledhjen e 40-të. Nikollë Ivanaji e ka thënë hapur në bisedimet e zhvilluara se “në Kongresin e Lushnjës nga frika nuk e thamë hapur formën e qeverisjes sepse donim me pas me vedi do njerëz me influence të cilët mundnin me nxjerrë ngatërresa për caktimin e formës së qeverrimit”. Mendimin e Ivanaj e përforcoi edhe kryeministri Xhafer Ypi. Sipas tij “mbledhja e Lushnjës u bë në një kohë të ngutshme e në minuta shumë kritike. Në endjen e delegatëve edhe të disa deputetëve të ndershëm ishte që forma e regjimit të ishte demokraci. Nuk u fol ҫiltas se ndërmjet delegatëve ishin disa njerëz me ndikim që mund të sillnin pengesa në formën e qeverimit…prandaj u përdor fjala mbret”.
Më 22 shtator 1922 në mbledhjen e 44 të Këshillit Kombëtar u diskutua artikulli 30 i projektit, për mënyrën se si do të zgjidhej kryetari i Këshillit të Naltë. Aty Kryetari i Këshillit Kombëtar Esheref Frashëri zbardhi edhe disa “mistere”, e sqaroi, se përse Kongresi i Lushnjes nuk e tha “troҫ”, se cila do të ishte forma e qeverisjes së Shqipërisë, por e la të nënkuptohej, deri sa të zhvilloheshin zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese. Ai me shumë finesë la të kuptohej se Aqif Pashë Elbasani ishte vetëgjedhur kryetar i Këshillit të Naltë, sepse, sipas tij, delegatët kishin diskutuar gjatë nëse “do të kishte kryetar të Këshillit të Naltë dhe për shumë arsye nuk u pranua nga kongresi”.
Këshilli i Naltë u konstitua si kryetar kolektiv dhe marrëdhëniet e tij me pushtetin legjislativ dhe atë ekzekutiv do rregulloheshin me normat juridike me karakter kushtetues që u emërtuan Bazat e Kanunores së Këshillit të Naltë.
Mesa kuptohet, një shtysë tjetër e kryetarit kolektiv të shtetit ishte nevoja e një kompromisi politik midis delegatëve që kishin preferenca të ndryshme për formën e qeverisjes. Duhej mirëkuptim për të ruajtur ekuilibrat shoqërorë që deri atëhere i mbanin institucionet fetare, të cilat, megjithëse të ndryshme, jetonin në harmoni, si në asnjë vend ballkanik.
Studiuesi Joseph Swaire sjell fakte që e bëjnë të besueshme zgjedhjen e asaj formule politike, në librin e tij me karakter studimor “Shqipëria ngritja e një mbretërie”. Ai konkludon, se armiqtë e trajtonin Shqipërinë si vend mysliman dhe të krishterët shqiptarë mendonin se nën ndikimin e Stambollit, mund të vazhdonte sundimi si më parë. Sipas Swaire, edhe gjatë qeverisë së Durrësit, në Shqipërinë e Mesme ekzistonte sistemi gjysëm feudal, ndërsa në Shqipërinë e Veriut ekzistonte rendi i vjetër fisnor, dhe i vetmi institucion që e lidhte qeverinë me banorët ishte Kisha dhe komunikimet qeveritare u besoheshin priftërinjëve dhe ata komunikonin me besimtarët. Me formulën e kryetarit kolektiv të shtetit, me pëfaqësues të besimeve kryesore fetare mendohej se sigurohej uniteti kombëtar. Me gjithë vështirësitë ky institucion vazhdoi deri më 1925, kur u themelua Republika e Shqipërisë.
Formimi i qeverisë/kabinetit u realizua më 30 janar 1920. Sotir Peci propozoi që qeveria të kishte 6 anëtarë dhe votimi të ishte i fshehtë. Idhomene Kosturi, delegat i Kolonjës propozoi që votimi të bëhej sheshazi/i hapur dhe ashtu u bë. Propozimin e emrave të ministrave e bëri delegati i Mallakastrës Bektash Cakrani. Kuptohet, që propozimi bëhej në emër të marrëveshjes që kishin bërë “operatorët politikë”, të organizimit të kongresit. Ai propozoi që në qeveri të hynin, Sulejman Bej Delvina, Ilias Bej Vrioni, Ahmet Bej Zogolli, Sotir Peci, Ndoc Çoba dhe Mehmet Konica. Ilias Vrioni nuk pranoi të ishte në kabinet për “shkaqe të veҫanta” dhe u propozua Hoxhë Kadria. Por nuk ishin prezentë, Sulejman Delvina e Mehmet Konica, pasi ishin në Konferencën e Paqes në Paris, por edhe Hoxhë Kadria e Ndoc Çoba, të cilët ishin në Shkodër, nuk mundën të vinin se i penguan, kishin përshëndetur zhvillimin e kongresit, dhe e firmosën proces-verbalin e pjesëmarrjes në kongres më 13 shkurt 1920.
Idhomen Kosturi propozoi që qeveria të betohej para kongresit. Sotir Peci propozoi që Këshilli i Naltë të betohej para kongresit dhe kabineti të betohej para Këshillit të Naltë. Aqif Pashë Elbasani propozoi që edhe delegatët e kongresit të betoheshin para Këshillit të Naltë. Iliaz Vrioni propozoi që para se të bëhej betimi, të emëroheshin zëvendësuesit e ministrave që mungonin, deri sa ata të ktheheshin. Propozimin e zëvendësuesëve ta bënte Këshilli i Naltë, e miratimi të bëhej nga mbledhja kombëtare. Me marrëveshje u pranua kryeministër Sulejman Delvina, si njeri që mbante ekuilibrat. Ministër i Punëve të Brendëshme Ahmet Zogu, Ministër i Punëve të Jashtme Mehmet Konica, Ministër i Arsimt Sotir Peci, Ministër i Drejtësisë Hoxhë Kadria. Këshilli i Naltë propozoi zëvendës të Hoxhë Kadrisë, Hysen Bej Vrionin dhe zëvendës të Ndoc Çobës, Idhomen Kosturin. Kryeministrin do e zëvendësonte Eshref Frashëri.
Zgjedhja e pushtetit legjislativ/Këshillit të Kombit u bë më 31 janar pasi u kryen betimet. Sotir Peci u kërkoi delegatëve të propozonin anëtarët e pushtetit legjislativ. Komisioni i Mandateve propozoi që Senati të ishte me 37 anëtarë dhe delegatët do propozonin emrat sipas prefekturave. Gjirokastra kishte 4 senatorë, Beqir Bej Rusi, Kiҫo Koҫi, Dhimitër Kacimbra dhe Neki Ruli. Korҫa me 4 senatorë, Qani Bej Dëshnica, Sejfi Vllamasi, Kostaq Kosta, Thimi Çikozi. Durrësi me Myslym Efendi, Tirana, Ymer Bej Shipku, Irfan Bej Ohri dhe Veli Krrabja. Prefektura e Drinit me Dine Dema, Dine Bej Mashlari, Ramiz Daci dhe Osman Mustafa/Lita. Vlora me Qazim Koculi, Spiro Koleka, Sadullah Tepelena dhe të katërtin do e propozonte prefektura. Elbasani kishte Shefqet Vërlacin, Arqimandrit Visarion Xhuvani, Adem Peqini dhe Qazim Dyrmishi. Mat, Has, Krasniqe kishte Abdyrrahman Krajli, Ibrahim Bej Çela dhe Bajram Çunin. Shkodra do kishte 4 senatorë dhe Lezha do kishte 2 senatorë, por nuk u caktuan, se nuk ishin delegatët dhe ata do i caktonin prefekturat.
Në fillim organi legjislativ i themeluar nga Kongresit i Lushnjes u emërtua Këshilli i Kombit dhe u mblodh në Tiranë më 26 mars 1920. Mbledhjen e parë e hapi kryetari i Këshillit të Naltë Aqif Pashë Elbasani. Në fjalën e tij përshëndetëse ai artikuloi se “Jemi shumë fatbardhë në ҫeljen e të parit parlament kombëtar. Kur u shpall vetëqeverimi i Shqypnisë më 28 nëntor 1912 në Vlonë ishte vendos mbledhja e një senati, por nuk u mbodh. Nuk u mblodh as në Kuvendin e Durrësit më 1918”.
Këshilli i Kombit zgjodhi kryetar gjyqtarin, Xhemal Naipi, nënkryetar Spiro Koleka dhe sekretar Hil Mosin. Pas shtatë ditësh, më 2 prill 1920 Këshilli i Kombit vendosi ta ndryshonte emërtimin e tij si organ përfaqësues e ligjvenës dhe u emërtua Këshilli Kombëtar, dhe pëfaqësuesit e zgjedhur nga delegatët e Kongresit të Lushnjes u quajtën këshilltarët e kombit. Më 9 prill 1920 Këshilli Kombëtar miratoi ligjin “Mbi të drejtat e veçanta të këshilltarëve të kombit për faje të ndryshme”, ose “Ligja ndëshkimore për faje politike”. Me atë ligj Këshilli Kombëtar zgjidhi çështjen e imunitetit dhe të paprekshmërisë së deputetëve.
Këshilli Kombëtar duke u bazuar në normat juridike me fuqi kushtetuese, te Bazat e Kanunores së Këshillit të Naltë, kishte kompetencë të shkarkonte dhe emëronte anëtarët e Këshillit të Naltë dhe të miratonte ndryshimet në qeveri.
Edhe Këshilli Kombëtar ishte model sui genenris dhe ushtroi de facto kompetenca të Kuvendit Kombëtar, sepse bëri ndryshime e plotësime të Bazave të Kanunores së Këshillit të Naltë, duke krijuar Statutin e Zgjeruar të Lushnjes. Me Statutin e Zgjeruar të Lushnjes, i cili u miratua më 22 dhjetor 1922 pushteti legjislativ u emërtua parlament.
(Ahmet Zogu)
Përfundime
Kongresi i Lushnjes është ngjarja më e madhe historike, konstitucionale dhe institucionale që themeloi institucionet e shtetit të së drejtës. Me ato institucione filloi jeta politike demokratike parlamentare, pavarësisht gjetjeve sui generis, si për kryetarin e shtetit dhe pushtetin legjislativ.
Kongresi ishte vepër e operatorëve më të rendësishëm politikë shqiptarë, shumë prej tyre të dënuar e burgosur e shumë prej tyre të lenë në harresë. Prandaj me rastin e 100 vjetorit të Kongresit duhet të ridimensionohet kjo ngjarje e madhe historike dhe reabilitohen personalitetet me kontribute të veҫanta.
Forma e regjimit të qeverisjes me kryetar kolektiv, ishte ruajtja e qeverisjes monarkike të përcaktuar nga Fuqitë e Mëdha më 29 korrik 1913, për të siguruar mbështetjen ndërkombëtare, e cila u finalizua brenda vitit me pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, por, rolin kryesor e kishte Këshilli Kombëtar, ҫfarë i jepte Shqipërisë formën republikane të qeverisjes.
Prandaj Noli e quante Republika jonë e bukur, dhe Iliaz Vrioni e Shefqet Vërlaci Monarkia jonë, deri sa u saktësua forma e qeverisjes me Statutin e Zgjeruar të Lushnjës ku u formulua se Këshilli i Naltë do ekzistoj deri sa të vijë mbreti.
Bibliografia
AQSH, F.55, D.62, fl,3.
AQSH F.246, V.1920 D.1-7 Fjala e Aqif Pashë Elbasanit me rastin e ҫeljes së Këshillit të Kombit, më 26 mars 1920.
AQSH, Dokumente e Materiale Historike nga Historia e Popullit Shqiptar për Liri e Demokraci, Vendim nr.12, d.8.I.1920, dërguar Katundarisë së Lushnjës, prefekturës dhe Delegatisë së Përgjithshme të Punëve të Brendëshme,
AIH, A.V.95, Fl. 6 (Shqipëria 1918-1939 L. S. Stavrianos, marrë nga libri “The Balkans since 1453”, përktheu Skënder Luarasi.
Arkivit Qendror Historik i R.P.SH, F.K.L, D.2, Për delegatin e brendshëm, delegat i financave Fejzi Alizoti, Dokumente e materiale historike nga lufta e popullit shqiptar për liri e pavarësi 1917-1941, Tiranë, 1959, f.16, sipas Dok. Nr. 51.132, kopje.
Aleks Luarasi, Akte Juridike Për Historinë e Shtetit dhe së Drejtës në Shqipëri…
BKK, mbledhja e 44, diskutim i kryetarit të Këshillit Kombëtar, Esheref Frashëri 22 shtator 1922.
Dorëshkrim i Ahmet Shehut, pjesëmarrës në takim. Dorëshkrimi ruhet në Shtëpinë Muze Kongresi i Lushnjës.
Eqerem Bej Vlora, Kujtime 1912-1925, Vëll II, Tiranë Shtëpia e Librit & Komunikimit, 2001.
Hafiz Ali Korça, Shtatë Ëndrrat e Shqipërisë, Tiranë, 2006.
Harris Silajxhiç, Shqipëria dhe SHBA. Dosja e V. Uilson, Letër e “Komitetit për Mbrojtjen e Kosovës”,10.12.1918
Kastriot Dervishi, Historia e shtetit shqiptar 1912-2005
Lush Culaj, Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës 1918-1924, Prishtinë: GME, 1997.
Libri i qarkoreve, viti 1920.
Maringlen Verli, Aspekte rreth krijimit dhe zgjidhjes së ҫështjes shek XIX-XX, Klean, Tiranë 2014.
Joseph Swire, Shqipëria ngritja e një mbretërie, Tiranë: Dituria, 2007.
Letër e Hoxhë Kadrisë kryetar i Komitetit të Kosovës më 2 nëntor 1919, Dokumenta e Materiale Historike nga Lufta e Popullit Shqiptar për Liri, 1917-1941, botim i AQSH 1959.
Sejfi Vllamasi, Ballafaqime Politike në Shqipëri,1897-1942, Marenglen Verli, Tiranë: Neriada, 2000.
Pranvera Dibra, Shqipëria dhe diplomacia Angleze 1919-1927, Tiranë: Ada, 2006.
Sami Frashëri, Shqipëria çka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhetë? Prishtinë, 2007.