Opinione

Urrejtja ndaj Izraelit ka gjetur arsye të reja - Nga Endrit Mullisi

Në muajt e fundit, bota ka parë një shpërthim të ri të antisemitizmit, të shfaqur hapur në rrugë, në rrjetet sociale dhe në diskutimet publike. Kjo nuk është një ndjesi e re. Historia tregon se gjithmonë është gjetur një arsye - me bazë apo pa bazë - për të dëmtuar, përjashtuar, apo madje zhdukur popullin hebre. Arsyet ndryshojnë sipas kohës dhe rrethanave politike, por ndjenja mbetet e njëjtë.

Ky shkrim nuk ka të bëjë me mbështetjen time ndaj luftës që po zhvillon IDF kundër Hamasit, as nuk ka të bëjë me justifikimin e pasojave katastrofike që po përjeton popullsia civile. Qëllimi është të vë në pah një ndjenjë të brendshme të një pjese të popullsisë botërore, përfshirë edhe shqiptarë, e cila është thellësisht e orientuar kundër Izraelit dhe hebrenjve në përgjithësi.

Urrejtja ndaj hebrenjve nuk fillon me shtetin modern të Izraelit. Që në kohën e Moisiut, populli i Izraelit u përball me urrejtjen e egjiptianëve, të cilët e shihnin si rrezik demografik dhe politik. Persekutimi i parë i madh ishte skllavëria në Egjipt, që përfundoi vetëm me ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të Zotit (Eksodi).

Bibla tregon gjithashtu se Zoti vetë e ndëshkonte popullin e vet kur largohej prej Tij, por paralelisht ndëshkonte edhe kombet që gëzoheshin në shkatërrimin e Izraelit (Obadia 1:12–15).

Në vitin 586 p.K., Babilonasit shkatërruan Jeruzalemin dhe Tempullin e Parë, duke dërguar popullin në mërgim. Qëllimi nuk ishte thjesht politik, por edhe shpirtëror: të zhdukej identiteti i hebrenjve si popull i Zotit.

Në vitin 70 pas Krishtit, pas një kryengritjeje hebreje kundër Romës, Perandoria Romake shkatërroi Tempullin e Dytë dhe dëboi masivisht hebrenjtë nga toka e tyre. Kjo “diasporë” zgjati mbi 18 shekuj. Por edhe në mërgim, hebrenjtë vazhduan të përballeshin me diskriminim, taksa të veçanta dhe dhunë.

Në Evropën mesjetare, antisemitizmi mori forma të reja. Hebrenjtë shpesh akuzoheshin për “vrasjen e Krishtit” dhe shndërroheshin në objekt të persekutimeve fetare. Legjenda të rreme u përdorën për të justifikuar masakrat.

Nga shekulli XI deri në shekullin XV, gjatë Kryqëzatave dhe më vonë, hebrenjtë u masakruan në shumë qytete të Evropës. Pogromet në Spanjë dhe Evropën Lindore u bënë të zakonshme, ndërsa Inkuizicioni spanjoll i detyroi mijëra hebrenj të konvertoheshin ose të largoheshin.

Në shekujt XIX dhe XX, antisemitizmi mori një karakter “shkencor”, me pretendime racore. Perandoritë dhe kombet e reja europiane i shihnin hebrenjtë si të huaj, që duhej të përjashtoheshin nga shoqëria.

Kulmi i kësaj urrejtjeje ishte Holokausti, kur regjimi nazist i Adolf Hitlerit vrau 5 apo 6 milionë hebrenj që ishin qytetare evropiane midis viteve 1941-1945. Holokausti ishte një përpjekje e organizuar për zhdukjen totale të një populli, me metoda industriale dhe sistematike. Populli shqiptar mburret që nuk i dorëzoi hebrenjtë gjatë pushtimit gjerman.

Pas Luftës së Dytë Botërore, më 1947, OKB-ja propozoi ndarjen e Palestinës në dy shtete, një hebre dhe një arab. Hebrenjtë e pranuan planin; udhëheqësit arabë e refuzuan dhe nisën luftën.

Më 14 maj 1948, Izraeli shpalli pavarësinë dhe një ditë më pas u sulmua nga Egjipti, Jordania, Siria, Libani dhe Iraku. Që nga ai moment, çdo konflikt ka qenë i ngjyrosur nga një urrejtje ekzistenciale, jo thjesht politike apo territoriale.

Në vitin 1967, gjatë Luftës Gjashtëditore, Izraeli u përball me një kërcënim të madh nga fqinjët, por fitoi shpejt dhe mori territore strategjike si Lartësitë Golan dhe Jeruzalemin Lindor. Sot këto paraqiten si “pushtime të paligjshme”, por konteksti i mbijetesës shpesh anashkalohet.

Thirrjet si “Palestine shall be free from the river to the sea” tingëllojnë të bukura në rimë, por nënkuptimi i tyre është fshirja e Izraelit nga harta. Edhe njerëz që nuk duan luftë, shpesh i përsërisin këto slogane pa menduar se ato janë thirrje për zhdukje kombëtare. Nga njera anë quajnë të papranueshme pasojat e luftës në Gaza, nga ana tjetër nuk kanë problem të kërkojne zhdukjen e judenjve. Kur grupimet si Hamasi apo Hezbollah dhe më vonë Irani godasin dhe vrasin popullatën izraelite kini parasysh që dëshira e tyre ka qenë të vrasin më shume popullatë hebreje pa diskriminim midis popullatës dhe ushtrisë, por ka qenë mbrojtja izraelite që nuk ka lejuar të ndodhë ende katastrofa. A dilni ju të bërtisni kundra sulmeve të tilla që kërkojnë vrasjen e mijërave hebrenj, edhe nëse këto sulme nuk kanë realizuar suksesin e dëshiruar?  Hitleri kujtohet si kriminel sepse ai arriti t'i vrasë në masë judenjtë, vetëm se ishin judenj. Sot grupime islamike po të kenë mundesinë e zhdukin Izraelin nga faqja e dheut.

Nga një vëzhgim personal, shumë vende me shumicë islame mbajnë një qëndrim të qëndrueshëm anti-Izrael, pavarësisht nga faktet apo veprimet e palës izraelite. Populli palestinez shpesh është përdorur si mjet politik nga bota arabe, jo si një komunitet që duhet ndihmuar realisht. Hamas dhe organizata të ngjashme nuk kanë funksionuar si qeveri për të mirën e qytetarëve të vet, por si levë politike e fuqive të tjera rajonale për të ushqyer konfliktin.

Mesazhi im nuk ka të bëjë me justifikimin e çdo veprimi të shtetit aktual Izraelit; shumë nga pasojat e luftës së sotme janë të papranueshme dhe nuk gëzohemi dot. Por duhet ta pranojmë se antisemitizmi është një plagë e vjetër, që ndryshon vetëm emrin dhe formën në çdo epokë. Sot Kombet e Bashkuara vazhdojnë e ngrenë rozolutë pas rezolute kundra Izraelit sikur ai është kombi që shkel të drejtat e njerëzve më shumë se çdo komb tjetër, dhe kjo nuk është e vërtetë. Kemi kombe që shkelin shtetasit e vet dhe minoritetet dhe nuk dëgjon më shumë se një rezolutë edhe kur vriten me mijëra prej tyre. Kur muslimanet vrasin muslimanet, bashkëbesimtarët e kombeve të tjera nuk bërtasin aq shumë sesa kur palestinezët vuajnë nga izraelitët. Në botën e papërsosur që jetojmë duhet të jemi të përkorë me atë që dëgjojmë dhe atë që nxjerrim si rezultat i analizës apo reflektimit tonë, duke refuzuar të bëhemi kasnecë kopjacë të një propagande të mirëorganizuar kundër një populli, që të themi të drejtën është i veçantë, sepse dy fetë më të mëdha në botë, kanë ardhur prej tij direkt ose indirekt.

Nga Egjipti i lashtë deri te rrjetet sociale të sotme, urrejtja ndaj hebrenjve është përshtatur me kohën, por nuk është zhdukur. Dhe shpesh, ata që e nxisin nuk e bëjnë për drejtësinë e palestinezëve, por për një qëllim më të errët: shkatërrimin e Izraelit dhe zhdukjen e hebrenjve. Unë vendosa të shpreh mendimin tim. Tani është rradha jote.

© Endrit Mullisi - Toronto