Rasti Haradinaj, drejtësia ndërkombëtare dhe politika - Nga Agim Gjakova

Gjykata e Hagës, e pavarur apo e ndikuar? Gjykata Speciale e Kosovës u krijua për t’ia rritur vlerësimin (rating) Serbisë dhe për t’ia ulur vlerësimin Kosovës, sepse përse u desh kjo gjykatë deri sa ekziston Gjykata Penale e Hagës?
Është dashur të shkruaj edhe më parë për drejtësinë ndërkombëtare dhe organizmat e saj të çdo niveli, apo ngjyre, për veprimet e mëparshme dhe spektrat që janë shfaqur ndaj Kosovës për tërë zhvillimet e këtyre tridhjetë vjetëve të fundit, por me ftesën e Ramush Haradinajt (aktori kryesor) nga Gjykata Speciale e Kosovës, dhe të tjerëve, ndoshta për të mos dalë në shesh që vetëm ky na u desh, u mbush kupa. U shfaq përsëri avazi i Dick Marty-t (Insinuatave të tij u ndihmuan edhe disa “shqiptarë të ndershëm”, si i quante Serbia dikur), i cili do të mund të pastronte ndërgjegjen e tij të thoshte hapur se sa është paguar nga Serbia.
Nuk po krijoj insinuata se dihet që Serbia në të katër anët e botës ka financuar propagandën kundërshqiptare nga më e fëlliqura, deri edhe në programet shkollore në vendet afrikane për lëndën e gjeografisë ku në librat e tyre shkruhet se Kosova është e Serbisë dhe se shqiptarët e kanë pushtuar Kosovën. Nuk dua ta përdor si argument, rastin më flagrant me gazetën “Al Ahram” këtu e shumë vjet më parë kur në faqen e saj të parë me shkronja të mëdha qenë shkruar fjalë denigruese për shqiptarët. Dhe kur u interesua ambasada shqiptare për këtë, duke parashtruar miqësinë ndërmjet Shqipërisë dhe Egjiptit, mori përgjigjen se nuk prishej miqësia, por tundimi kishte qenë shumë i fortë, pasi për ato fjalë Serbia kishte vendosur një milion dollarë mbi tavolinë.
Ramush Haradinaj u ftua në Hagë për të dhënë llogari për “krime” apo se duhej për t’u realizuar diçka tjetër... Këtë diçka tjetër do të mundohem ta nxjerr në pah dhe t’ia ofroj publikut si ftesë për të gjykuar dhe analizuar se ku jemi: Pra ku është Kosova me të gjithë qenien e saj në raportet, mendimet, programimet, planifikimet etj. ndërkombëtare të shteteve të ndryshme, të organizmave të ndryshëm ndërkombëtarë, të të ashtuquajturve burra shteti, politikanëve të të gjitha llojeve, krahëve politikë-partiakë dhe ngjyrave të shteteve prej nga vijnë.
S’jam i zoti të futem nëpër fellutat e neneve e parashtrimeve juridike të organizmave ndërkombëtare të drejtësisë që nganjëherë ta vërtisin aq bukur sa në fund i thua vetes se “ç’janë gjithë këto sipas Shekspirit shumë zhurmë për asgjë;”. Por më ngjan se Gjykata Speciale e Kosovës është një hije e përpunuar e Gjykatës Penale të Hagës.

Hera e tretë që drejtësia ndërkombëtare e kërkon Ramush Haradinajn. Dy herët e para Gjykata e Hagës e shpalli të pafajshëm. Herën e tretë të shohim se çfarë do të nxjerrin ata flokëdredhurit dhe mantelautoritarët gjykatës, themeluar më 1 korrik 2002 në Romë, Itali, në bazë të akuzave sajuar nga hetimet e prokurorëve që nuk dihet se nën ndikimin politik të kujt janë.
Duke u nisur nga fakti i përmendur më sipër na vjen vetvetiu pyetja: Si punojnë këto organizma? Si punon Gjykata Kriminale e Hagës? Si punon Gjykata Speciale e Kosovës me një ekip prej 170 personash, me 75 prokurorë dhe 44 milionë euro në vit?
Është histori e gjatë se si u krijua Gjykatë e Hagës. Ideja për diçka të tillë ka lindur që në Luftën e Parë Botërore, pastaj përpjekjet pas Luftës së Dytë Botërore e që gjatë “Luftës së ftohtë” u konsiderua politike dhe nuk u vu kurrë në fuqi deri kur u themelua në Romë. Mjaft shtete kanë qenë kundër. Pa parashtruar gjithë ndryshimet, tërheqjen e shteteve të ndryshme, madje edhe në vitin 2016 (dhe rishikimin e qenies në traktat e përflasin edhe sot e kësaj dite), një gjë nuk është e qartë: A janë të paanshëm prokurorët siç është shkruar: The Rome Statute provides that the Office of the Prosecutor shall act independently; [51] as such, no member of the Office may seek or act on instructions from any external source, such as states, international organisations, non-governmental organisations or individuals. [50]
(Statuti i Romës parashikon që zyra e prokurorit të veprojë në mënyrë të pavarur [51], si e tillë, asnjë anëtar i zyrës nuk mund të kërkojë ose të veprojë sipas udhëzimeve nga ndonjë burim i jashtëm, si shtetet, organizatat ndërkombëtare, organizatat joqeveritare ose individët.
The Prosecutor may open an investigation under three circumstances: [50]
- when a situation is referred to him or her by a state party;
- when a situation is referred to him or her by the United Nations Security Council, acting to address a threat to international peace and security; or
- when the Pre-Trial Chamber authorises him or her to open an investigation on the basis of information received from other sources, such as individuals or non-governmental organisations.
Prokurori mund të hap hetim në tri rrethana: [50]
- kur një situatë i është referuar atij nga një shtet palë;
- kur një situatë i referohet atij ose asaj nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, me qëllim të parashtrimit të një kërcënimi për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare; ose
- kur Dhoma e Paraburgimit e autorizon atë të hapë një hetim në bazë të informacionit të marrë nga burime të tjera, si individë apo organizata joqeveritare.
Por ... Critics of the Court argue that there are "insufficient checks and balances on the authority of the ICC prosecutor and judges" and "insufficient protection against politicized prosecutions or other abuses". [52] Luis Moreno-Ocampo, chief ICC prosecutor, stressed in 2011 the importance of politics in prosecutions: "You cannot say Al-Bashir is in London, arrest him. You need a political agreement. [53]" Henry Kissinger says the checks and balances are so weak that the prosecutor "has virtually unlimited discretion in practice".
Kritikët e Gjykatës argumentojnë se ekzistojnë "kontrolle dhe balancime të pamjaftueshme në autoritetin e prokurorit dhe gjyqtarëve të ICC-së (Gjykata Kriminale Ndërkombëtare)" dhe "mbrojtje e pamjaftueshme kundër ndjekjeve të politizuara ose abuzimeve të tjera". [52] Luis Moreno-Ocampo, kryeprokurori i ICC, theksoi në 2011 rëndësinë e politikës në ndjekjet penale: "Nuk mund të thuash se Al-Bashir është në Londër, arrestojeni atë. Ju keni nevojë për një marrëveshje politike. [53]” Henry Kissinger thotë se kontrollet dhe balancat janë aq të dobëta sa që prokurori "ka diskrecion (zgjedhje, liri veprimi) të pakufizuar në praktikë".
Pa përmendur shumë shtete që kanë kritikuar, kanë argumentuar kritikat kundrejt kësaj gjykate (janë me qindra e qindra faqe diskutime, refuzime, mospërfillje e të tjera), mund të kërkojmë përgjigjen: Vërtetë është e pavarur kjo gjykatë nga politika?

Ekaterina Trendafilova
Por le të vijmë tek Gjykata Speciale e Kosovës që u krijua për t’ia rritur vlerësimin (rating) Serbisë dhe për t’ia ulur vlerësimin Kosovës. Së pari për këtë gjykatë le të shënojmë emërtimet e ndryshme të saj: Në tekstet në gjuhën gjermane përdoret termi Gjykata e posaçme e OKB-së, në tekstet në gjuhën angleze përdoret Gjykata e krimeve të luftës. Faqja e internetit e vetë gjykatës përdor (në shqip) “Dhomat e Specializuara” dhe “Zyra e Prokurorit të Specializuar”. Në fakt nuk ekziston asnjë precedent i qartë ligjor. Pra cili është objekti i saj, qëllimi i saj, se nuk na qartësohet juridikisht.
Në krahasim me ICC, Gjykata Speciale e Kosovës i ka pak më të specifikuara hetimet. Siç është bërë e ditur, prokuroria nuk ka arritur që të ngrejë asnjë akuzë, përkundër rreth 700 mijë faqe material të mbledhur nga UNMIK-u, EULEX-i, prokuroria e Kosovës, Dick Marty e shumë aktorë të tjerë. “Njerëzit intervistohen çdo ditë. Kjo është puna e prokurorisë” pati thënë zëdhënësi i kësaj zyre Christopher Bennet në një intervistë për Deutche Welle-n. A janë të hapura apo tendencioze këto intervistime? Natyrisht se kjo varet nga pikësynimi dhe prokurori intervistues (nga cili shtet vjen, përkatësia e tij politike dhe karriera profesionale etj.). Atëherë, Ramushi me shokë janë thirrur në intervistë (nuk e kam të qartë specifikimin e thirrjes) për sqarime, për hetime, në bazë të ndonjë akuze të sajuar apo si?
Nëse në ato 700 mijë faqe material nuk u ngrit asnjë akuzë, atëherë për këtë herë kush e inicio këtë veprim? A mos doli nga ajo çka u zie në Beograd ndërmjet Makronit dhe Vuçiqit? Mbi çfarë të dhënash dhe argumentesh të reja u vendos? Kjo gjykatë i merr kallëp apo heton? Nëse heton, atëherë përse u desh që Haradinaj të merrej tre herë? Përse nuk u hetua, apo u hetua dhe nuk u gjet gjë dy herë të tjera?
Nuk nisem ta mbroj Haradinajn (ai mbron vetveten), për të cilin mund të kem vërejtje të natyrës tjetër (për atë çka ka bërë e ç’nuk ka bërë në Kosovë) dhe kam. Çështja është të mbrohet Kosova së cilës i janë çuar i madh e i vogël t’ia shkoqin një copë, ta vënë nën presion me organizma gati qeveritare serbe dhe t’ia ngushtojnë rrugën e zhvillimit. Të mbrohet Kosova kundër tendencës dhunuese për dialog në kushtet që do Serbia, me qëllim që të arrihet ajo që do Serbia.
Qeveria e Ramush Haradinajt e tha copë se nuk e heq taksën (dhe fort mirë bën) dhe në fund të dialogut duhet të ketë njohje reciproke, çka nuk i shkon për shtat Serbisë. Mbase edhe Thaçit e Veselit që, nëse nuk kanë gisht, u është bërë qejfi për këtë veprim. Departamenti i Shteti përshëndeti veprimin e kryeministrit. Natyrshëm. Por mua më intrigon fakti se përse Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e kanë ratifikuar sot e kësaj dite Protokollin e Romës për formimin e Gjykatës së Hagës.
Të themi: Edhe sikur të jetë diçka e vërtetë në ato që janë thënë në 700 mijë faqe material, kur vjen puna në krahasim me veprimet e fuqive të mëdha, këto e kanë gjetur arsyetimin për veten, duke i quajtur “dëme anësore” dhe e mbyllin kapitullin. Aaaa... për ne po mundohen të gjejnë qimen në vezë!
Le ta përsërisim atë që është thënë shumë herë më parë: A mund të krahasohet kriminaliteti i Serbisë me ato të ashtuquajtura “krime” të shqiptarëve të Kosovës? E në dialog Serbia dëshiron të shkojë “në partneritet krimesh me Kosovën”.
Dialogu është bërë një gogol, me të cilin po orvaten të trembin botën shqiptare dhe të maskojnë tradhtinë që ekziston apo do të kryhet. Kosova është njohur si shtet i pavarur. Atëherë zgjidhja e ngërçit, e krijuar nga Serbia e partnerët e saj, është fare e lehtë. Mbi njëqind shtete e kanë njohur Kosovë, midis tyre, përveç Kinës dhe Rusisë, të gjitha fuqitë kryesore të botës. Atëherë nga këta që këmbëngulin për dialog përse nuk parashtrohet projekti fare thjeshtë: Serbia të njohë Kosovën dhe të ulen për bisedime për çështje të marrëdhënieve dypalëshe siç bëhet nga të gjitha shtetet. Por, siç thuhet, dardha e ka bishtin prapa. Me dialog kërkohet që të favorizohet Serbia, qoftë me ndryshim kufijsh, qoftë me vendosjen nën presion të vazhdueshëm të qeverisë së Kosovës e me asociacion serb si mini-qeveri brenda Kosovës etj.
Nuk mund të mos e pohojmë se jo vetëm në këtë rast, por edhe në rast të tjera kjo gjykatë u vu nën ndikimin, për të mos thënë urdhërin, e politikës, të cilën institucionet dhe përgjegjësit relevantë në Kosovë duhet ta shqyrtojnë, ta analizojnë dhe të nxjerrin përfundime. Pra: Çfarë do të bëjë Kuvendi i Kosovës me zhvillimet e të ardhmes? Po të pyesni njerëzit ka shumë prej tyre që thonë se nuk duhet të shkohet në takimin e Parisit, për çka u bë gjithë kjo gurgule, sepse parandiejnë prapaskena. Deputetë e deputete të Kuvendit të Kosovës bëhuni një herë burra e gra shqiptare e mos iu nënshtroni për pesë pare spec askujt!












