Opinione

Abuzimi katundaresk me Gegnishten - Nga Artan Gjyzel Hasani

Ky shënim merr shkas, përveç shumë arsyeve të njohura në hapësirën shqiptare të debatit gjuhësor, edhe nga një ndodhi e para pak kohëve këtu në Toronto.

Rastisa në një tavolinë me një avokat shqiptar të Maqedonisë dhe më bëri shumë përshtypje shqipja e pastër e tij.

Meqë në atë grup kishte shqiptarë nga Veriu, por edhe nga Jugu, avokati kalonte lehtësisht nga një dialekt në tjetrin në varësi të personit që kishte përballë.

Çudia u bë më e madhe kur, pas pak ditësh, pata një korrespondencë në email-e me të. Shqipja e tij ishte nga më korrektet që mund të bëhej. Shqipja e shkruar zyrtare pa asnjë cënim dialektor në drejtshkrim. E pyeta se si shpjegohej që ishte kaq i saktë në gjuhën shqipe, qoftë në dy dialektet kryesore, qoftë edhe në shqipen e shkruar zyrtare dhe përgjigja e tij ishte kjo: “Unë jam nga Manastiri dhe tradicionalisht në atë qytet flitet një shqipe e pastër dialektore dhe shkruhet shqipja zyrtare. Mësuesit e gjuhës shqipe në shkollat e Manastirit nuk toleronin asnjë deformim të gjuhës së shkruar shqipe të versionit të Kongresit të 1972-shit. Në Maqedoni për dekada me radhë të shkruarin e saktë të shqipes e kemi parë si një mjet të ruajtjes së identitetit tonë kombëtar”.

Po kaloj në temë tani.

Quhet “Gegnisht”, por në ditët tona është një përzjerje e tipit “tallava” e të gjithë mënyrave të të folurit e te te shkruarit në hapësirën urbane dhe suburbane nga Shkumbini e lart, çdo nëndialekt krahinor, çdo e folur katundi, kodre, mali, çdo e folur lagjeje dhe fisi. Të gjithë pretendojnë se po flasin e shkruajne “Gegnisht”. Sa më e deformuar shqipja e tyre aq më “Gegnisht" u tingëllon Ekspansioni i muzikes dhe kengeve bashkekohore kosovare e çoi kete deformim te "Gegnishtes" ne zenit. Nje tallava gjuhesore qe sot flitet e shkruhet ne treçerekun e hapsirës mbareshqiptare.

Bëhet fjalë më shpesh për një “gegnishte” analfabetësh, neglizhentësh, injorantësh apo njerëzish me arsim të cunguar, këtej dhe andej kufirit të Shqipërisë “londineze”. Të gjithë pretendojnë se po flasin e shkruajnë “Gegnisht”. Sipas tyre çdo gjë e shkruar që nuk ngjason me Toskërishten apo versionin e shqipes zyrtare është automatikisht “Gegnisht”. Kurrë ndonjëherë nuk ka qenë Gegnishtja kaq e bastarduar.

Mendoj se ka ardhur koha të unifikohet Gegnishtja, përndryshe do të katandiset si variant gjuhësor tallava jo vetem i shqipes, por i vete Gegnishtes së Mjedës e korifenjve te dikurshem të atij dialekti magjik. Nëse diktatura e konsideroi Gegnishten si një vejushë jetime që, pasi ia vrau me përdhunë prindërit dhe familjen, e la të jetonte në izolim total, në ditët e sotme Gegnishtja po trajtohet si një e përdalë të cilën mund ta abuzojë cilido, sidomos nga Shkumbini e lart.

E kam thënë edhe herë të tjera, “Gegnishtja“e sotme, sidomos në poezi është bërë perçja e mediokritetit. Vargje të cilat nëse i kthen në gjuhën shqipe zyrtare nuk kanë asnjë vlerë artistike, por që abuzojnë me tingëllimën poetike që ka ai dialekt, qoftë edhe në versionin bashkëkohor “tallava”. Do t’u dridheshin eshtrat në varr Mjedës, Fishtës, Shirokës e Koliqit nëse, falë teknologjisë, do mund t’u përcillnim poezitë në “Gegnisht” të pasardhësve të tyre.

Gjuha zyrtare e shkruar shqipe e dalë nga Kongresi i 1972 mund të jetë e kontestueshme deri në zhbërje për padrejtësinë që iu bë Gegnishtes në favor të Toskërishtes, me shkaqe më shumë politike, se sa gjuhësore. Ka shume prova e shembuj që e mbështesin këtë padrejtësi të atij kongresi. Por duam apo nuk duam, deri sot, ne atë variant të shqipes së shkruar kemi të pranuar zyrtarisht. Dhe ka veç një shqipe të shkruar. Siç ka veç një anglishte te shkruar, një gjermanishte të shkruar e kështu me radhë.

Nuk është as shpkje shqiptare e as perversion komunist unifikimi i dialekteve në krijimin e një gjuhë të përbashkët të shkruar. Çdo gjuhë ka disa dialekte, ndonjëherë edhe qindra dialekte, por ka veç një version zyrtar kur bëhet fjalë për gjuhën e shkruar. Një gjuhë shkruhet vetëm në versionin e pranuar zyrtar, por mund të flitet në cilindo dialekt sipas preferencës.

Shqiptarët pa dallim dialekti apo përkatësie territoriale, shqiptarë të Shqipërisë “londineze”, shqiptarë Kosove apo Maqedonie, shqiptarë nga Veriu apo Jugu, të gjithë janë të detyruar të mësojnë të shkruajnë gjuhën zyrtare shqipe. Kur shkojnë jashtë vendit ata mësojnë gjuhën zyrtare të shkruar të atij vendi dhe jo dialektet e atyre gjuhëve.

Shqiptarët duhet të mësojnë të shkruajnë gjuhën zyrtare shqipe. Mendoj se duhet të jetë e detyrueshme me ligj që askush nuk mund të marrë diplomën e shkollës së mesme, nëse nuk kalon testin e gjuhës së shkruar shqipe.

Për të folur le të flasin në atë dialekt apo zhargon të shqipes që iu pëlqen. Dhe pasi të mësojnë të shkruajnë gjuhën zyrtare shqipe atëhere le të shkruajnë edhe në versionin e Gegnishtes së Mjedës, Fishtës, Koliqit e mjeshtrave të tjerë që atij dialekti ditën t’i zbulojnë melodiozitetin dramatik nëse kanë aftesi ta bëjnë kete gjë… Gegnishte dhe jo tallava “Gegnishteje”!