Opinione

''Brate'' Aleksandër dhe miku Albin – Nga Alfons Zeneli

Takimi ndodhi dhe ndodhia është vetëm kaq. Kryeministri Kurti është ende i ri dhe duke mos i marrë parasysh premtimet apo qëndrimet paraelektorale, askush nuk mund të paramendojë se si do jetë në të vërtetë ai gjatë ushtrimit në praktikë të pushtetit. Ndërsa Rama është i vjetër në do punë. Dhe më i vjetër e i parashikueshëm se kudo ai është pikërisht në çështjen e marrēdhënieve me Kosovën. Rama nuk ka asnjë lloj ndjesie kombëtare, asnjë lloj respekti e vëmendjeje ndaj fatit të saj.

Ndikimi i Ramës në çështjen e Kosovës është vetëm indirekt, është vetëm negativ për sa kohë ai vazhdon të jetë një aktor i rëndësishëm në romancën me Vuçiçin ku në fund ''jetojnë të dy të lumtur''. Pozicionimi i Ramës haptazi dhe në mënyrë të qartë si dorëzanë kryesor pro laurimit të ''brate'' (vëlla) Vuçiçit me ''diplomën'' e minishengenit, nuk i le askujt hapësirë për të gjetur klauzola shpresash se ndonjë ditë Rama me qeverinë e vet dhe e majta në përgjithësi do jetë krah i Kosovës.

Rama edhe kësaj radhe me kryeministrin e ri të Republikës shqiptare të Kosovës, Albin Kurti, e shfaqi haptazi edhe njëherë kredon e vet gjeopolitike që është minishengeni. Por nuk do të ishte e nevojshme aspak për të analizuar përmbajtjen e deklarateve të Ramës për ta kuptuar një gjë të tillë. Mjafton të bësh vetëm një krahasim të thjeshtë pamor të fytyrës së Ramës si kalorës i vrerosur në prezencën e Kurtit dhe fytyrën shend e verë të shqyer nga qeshja dhe lagur nga sekrecionet emotive gjatë takimeve me Vuçiçin. Servilizëm, nënshtrim, lëpirje ndaj Vuçiçit dhe arrogancë e bezdi ndaj Kurtit. Rama ia bëri krejt të qartë Albinit se cila është axhenda e qeverisë shqiptare, se cili është prioriteti i saj.

Thelbi i qëndrimeve dhe veprimtarisë së Ramës të përmbledhura në frazën ''nuk ka makroshengen shqiptar pa minishengen ballkanik'' (nënkupto Serbinë), ranë si tërmet 10 ballësh mbi deklaratat formale dhe propagandistike për atë se Kosova na qenkërka ''prioritet i prioriteteve''. Sepse këtu kemi një konflikt ''të vogël'' pasi prioritet i Kosovës nuk është promovimi i Serbisë. Kosova nuk mund të jetë prioritet i prioriteteve të qeverisë shqiptare nëse kjo e fundit ka prioritet minishengenin. Por Rama mbase mendon se ''gomerët'' kosovarë nuk kanë për ta kuptuar kaq gjë.

Në fakt, shqetësimi i madh i kohës nuk është perifrazimi dhe portretizimi i filosllavizmit të rilindjes. Më e rëndësishmja është që Albin Kurti, qeveria e tij dhe populli shqiptar të mos bien pre e llomotitjeve prej agjitpropi të komsomolasit me çitjane. Më së fundi, Kosova duhet ta dijë se është e vetme dhe se ''shkjau'' nuk e ka selinë vetëm në Beograd. Egzaktësisht si në kohërat e vjetra të duetit pararendës antishqiptar Tito-Enver. Trumpetat me ''lëkurë'' mbledhjesh qeveritare të përbashkëta nuk do kenë kurrë aq fuqi tingëlluese sa ta sfumojnë himnin e ri të bashkim vëllazërimit që po e këndojnë me plot pasion Rama dhe Vuçiç në mikrofonin e Moskës.

Rama ka 7 vjet që bën mbledhje me qeveritë e Kosovës dhe puth flamujt. Por asnjëherë nuk ka ndodhur diçka e mirë praktikisht. As nuk do të ndodhë. Ramës për t'u bërë Skënderbe nuk i duhet vetëm ''profecia'' e Elisa Spiropalit. I duhen ato që ai s'mund t'i ketë kurrë. Albini dhe qeveria e re duhet ta bojkotojnë farsën e Ramës dhe ta izolojnë nga elementi shqiptar për ta bërë edhe më të dukshëm si vasal i përulur i ''Car'' Aleksandrit të ri. Për Albinin është shumë e rëndësishme që të kuptojë e të marrë në konsideratë faktin se kontaktet me elementin proserb të Tiranës do ta dëmtojnë të ardhmen e Kosovës dhe do ta bëjnë të ketë një qeverisje pa nder.