Opinione

Pse Perëndimi vë shenjën e barazimit midis Komunizmit dhe Fashizmit? - Nga Klodi Stralla

Nëse do të më pyesni mua se në cilën qeverisje preferoj të jetoj, pa mëdyshje do t’u thoja se dëshiroj demokracinë liberale. Atë qeverisje ku qytetari zgjedh lirisht qeveritarët që pëlqen dhe u delegon atyre sa më pak kompetenca e iu kërkon sa më shumë llogari, duke mbajtur për vete, me fanatizëm, paketën e “lirive themelore”.

Por prej mëse 70 vjet, në Perëndim, vazhdojnë të vënë shenjën e barazimit midis Fashizmit dhe Komunizmit, ndonëse për mua, krahas të përbashkëtave në mjete, ata kanë patur edhe shumë dallime midis tyre, veçanërisht në misionin që ndiqnin. Pse?

Askush nuk e thotë se në Italinë e Musolinit apo Gjermaninë e Hitlerit ishte e ligjëruar lëvizja e lirë e njerëzve, brenda dhe jashtë vendit; ishte e lirë zgjedhja e një profesioni dhe ndryshimi i tij; ishte i lire besimi fetar dhe institucionet fetare (ndonëse Duçja dhe Hitleri nuk bënin hipokritin të përdornin festat fetare për përfitime politike). Natyrisht nuk lejohej pluralizmi politik, por më mirë pa të, se si ky i yni. Dënoheshe nëse shaje regjimin, nuk lejohej të merrje poste publike nëse nuk ishe gjerman nga raca, posaçërisht hebre etj.

Gjykata gjermane e liroi në sallën e gjyqit Gjergj Dimitrovin, drejtuesin e Internacionales Komuniste, për mungesë provash, në akuzën për djegien e Rajshtagut, ndonëse gjyqtarët gjermanë nuk kishin bërë vettingun.

Ekzistonte prona private, në qytet dhe në fshat; s’bëhej fjalë për ndërtime pa leje apo zaptime tokash të të tjerëve; s’bëhej fjalë për terrorizëm apo vjedhje nga vagabondë ordinerë, me suport politik. Individi gjente mbrojtje reale nga shteti.

Ekzistonte liria universitare në degën që preferoje (komunisti Qemal Stafa studionte në Itali). Komunistët apo socialdemokratët shqiptarë, të internuar në ishullin e Ventotenes si antifashistë, lexonin aty literaturë komuniste (lexo kujtimet e Drita Kosturit).

Sa larg nga këto standarde rezultoi komunizmi i pasluftës (fitimtari), që u instalua në Europën Lindore, ku natyrisht më i përçudnuari ishte tek ne, ndonse nuk shkeli çizmja e Ushtërisë të Kuqe!

Prona u grabit (shpronësimet), gjuhët dhe kokat u prenë (agjitacion e propaganda), njerëzit u tufëzuan (kooperativat dhe ndërmarrjet shtetërore), vendi u izolua me tela me gjëmba dhe mungonte lëvizja e lirë edhe brenda vendit (pashaportizimi) apo liria per të zgjedhur profesionin (të drejtat e studimit). Kudo, në Lindjen komuniste, tregjet ishin të zbrazur, kurse tek ne shqiptarët u vendos edhe “tolloni” i mbijetesës.

Stigmatizimi i fashizmit & nazizmit si kuintesenca e së keqes u bë fill pas Luftës së Dytë Botërore nga Fitimtarët, të cilët ishin shumë të interesuar t’a paraqisnin luftën në terma morale, sikur i “miri” luftonte me të “keqin” dhe me të justifikuan në popujt e tyre milionat e vrarë në luftë dhe aleancën e tyre me komunistët.

Lufta e Dytë Botërore ishte një luftë si gjithë luftat në Histori, një përballje interesash të Fuqive të Mëdha për dominim. Ai që sundonte kërkonte t’a ruante statukuonë (anglo-saksonët) dhe ai që e sfidonte kërkonte t’i zinte vendin (gjermanët në Europë dhe japonezët në Azi)). Fitimtari nuk ishte më i miri dhe i munduri më i keqi, por thjesht fitimtari ishte më i forti dhe i munduri më i dobëti. Lufta ka koston e vet, në jetë njerëzish dhe dëme materiale, jo vetëm në ushtarë por edhe në popullsi civile, përfshi femije, gra dhe pleq. Kështu ka qënë dhe kështu do të jetë sa të ketë luftë mbi tokë.

Pse prendimorët, ende sot, vënë shenjën e barazimit midis Komunizmit dhe Fashizmit?

Me sa duket, duan të justifikojnë aleancën antifashiste të kohës së luftës me komunistët, për të treguar se midis dy të këqiave ata, për nevoja pragmatike, zgjodhën të keqen më të vogël (lexo, rivalin më të dobët), ndonëse Komunizmi u mbars në Perëndim dhe polli në Lindje.

©Klodi Stralla