Mobilizimi i marrëzisë - Nga Ylli Dylgjeri
Procesi gjyqësor në Gjykatën Kushtetuese për shkarkimin e Presidentit Meta ka rezultuar win-win në raport me Kushtetutën. Sikurse procedurat që ka ndjekur Parlamenti për shkarkimin e kreut të shtetit janë gjëndur në përputhje me Kushtetutën - dhe nga ana tjetër edhe kreu i shtetit, Presidenti Meta nuk ka kryer shkelje të rënda të Kushtetutës.
Një nga pikat më të forta të mbrojtjes së përfaqësuesve ligjorë të kreut të shtetit në Gjykatën Kushtetuese, ishte pretendimi për shkeljet e rënda proceduriale nga Parlamenti, që nga shqyrtimi i nismës ligjore së mazhorancës socialiste për shkarkimin Metës, ngritjes së komisionit hetimor dhe marrjes së vendimit për shkarkim.
Por Gjykata Kushtetuese i hodhi poshtë këto pretendime. Në njoftimin e saj ajo thekson që “duke patur në konsideratë pavarësinë organizative të Parlamentit, konstaton që në tërësi nuk ka shkelje kushtetuese.”
Gjykata Kushtetuese në të njëjtin proces hodhi poshtë edhe pretendimet e mazhorancës socialiste “për shkelje të rënda të Kushtetutës” nga Presidenti Meta.
“Faktet e paraqitura për mesazhe përçarëse, marrje të anës së opozitës gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit të vitit të kaluar, për shkelje të rendit dhe sigurisë publike, të betimit si kryetar shteti për të përfaqësuar unitetin e popullit, për cënim të marrëdhënieve me partnerët strategjikë të Shqipërisë, për shkelje të pavarësisisë së organeve publike, të rendit dhe sigurisë publike nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës”, Të dyja palët në “rregull” me Kushtetutën, por se kush është fajtori dhe cili duhet të mbajë koston e kësaj tollovie nuk doli dhe sikurse jemi duke ndjekur situatën politike, nuk ka për të dalë kurrë.
Edhe vetë faktori ndërkombëtar, i regjur me situata të tilla, e quajti këtë një sukses për drejtësinë e pavarur, ndërkohë që kemi “një rrahje të mirëfilltë të ujit në havan” kemi një humbje të kotë energjish dhe rendje “sikurse laraska mbas topeve të demit” dhe në vend që të merremi me ato çështje që duhet të na preokupojnë, me ato çështje që kanë të bëjnë me sovranitetin e mirëfilltë sikurse gjyqi mbi detin, vlerësimi kushtetues e ligjor i kontratave të PPP etj., ku shqiptarët ripen së gjalli, zhvaten dhe humbin ndër breza pasuritë publike, merremi me gjyqe pa vlerë, që nuk sjellin asnjë dobi për jetën dhe të ardhmen e shqiptarëve të rraskapitur nga politika vulgare.
Ditët kalojnë dhe politika pothuajse ka harruar tashmë se kush e inicioi këtë gjyq dhe cili ishte qëllimi i gjithë kësaj farse të madhe politike dhe kaosi për t’i shkëputur shqiptarët nga problemet e vërteta dhe njësoj sikurse me një incenerator që nuk është ndërtuar kurrë, po e “gëlltisin” edhe injorojnë këtë vendim gjykate me një logjikë juridike “korrekte” që nuk pranojnë t’i interpretojnë vendimet e gjykatave…
Po koston e humbur dhe mobilizimin e gjithë parlamentit dhe të mazhorancës në një luftë donkishoteske kush do ta përballojë?
Në këtë gjyq u provua më së miri se në luftën për pushtet, të gjitha mjetet janë të përshtatshme, madje edhe ato kriminale.
Mazhoranca hoqi dorë nga gjithë obligimet publike dhe bashkë me median aleate kreu atë që quhet “mobilizim i marrëzisë” tundi institucione, shkundi parlamentarët e qylit nga vakancat e fundit dhe ngriti në këmbë patronazhistë të përkushtuar për të marrë “kalanë” e fundit, atë të Presidencës. Kreshendoja e polarizimit pa kushte shkoi deri në atë pikë dhe mori drejtimin e një polemike të pashëmbullt, që e ndau vendin në të mirë e në të këqinj, në forca konstruktive dhe destruktive. Duhej vendosur, kush nuk ishte me të, ishte kundër tij.
Edhe vetë opozita parlamentare u bashkua me kreun e mazhorancës, Kryeministrin Rama, dhe çmëndurisht u shndërruan në një kryqëzatë kalorësish të cilët në rast fitoreje do ta tundnin Presidencën nga themelet dhe padyshim që do të dërgonin aty militantin më të bindur të veshur me “kostum” intelektuali të pavarur.
Por çfarë u tregua nga gjithë kjo çmënduri, që nuk u kontestua pothuaj asnjëherë nga të gjithë forcat e tjera politike dhe konfirmoi e bëri të qartë se partia e vërtetë në opozitë dhe ai që kërkon respektimin e kushtetutës dhe i del kundër mazhorancës nuk konsiderohej si një kundërshtar në një polemikë demokratike vijash të ndryshme dhe si rrjedhojë të trajtohej e të luftohej si e tillë, por cilësohej armik i cili duhej shkatërruar, për gjoja shpëtimin e pjesës perëndimore të kërcënuar.
Një luftë e parallogaritur civile verbale të cilën ai që e ka provuar në lëkurë me ndikimin e imazheve të armikut të pikturuar në mënyrë finoke apo cinike nuk do ta harrojë në jetë të jetëve.
Bisha politike shpërtheu dhe e paraqiti atë që kërkonte drejtësi dhe pavarësi institucionale si një qënie “të ligë” dhe të “rrezikshme”. Kush nuk ishte mik, ishte armik dhe çfarëdo lloj neutraliteti ishte i dyshimtë.
Armiku më i madh në të gjithë këtë farsë boshe ishte Presidenti i ndodhur në kushtet më të vështira, kur opozita dhe shoqëria civile ishte nënshtruar me instrumenta makiavelianë, i cili me metafora të forta dhe tërësisht i vetëm përpiqej të vendoste barazi në kushtet e zgjedhjeve dhe ruajtjen e votës si garanci e vetme për një proces të denjë zgjedhor.
Sigurisht që kjo lloj lufte banale ndaj Presidentit është realiteti i ashpër brutal dhe që fatkeqësisht i pandryshueshëm, në sfond të të cilit zhvillohet politika në Shqipëri. Shumë më keq se në mesjetë ku të paktën kishte një besim, një kishë që të jepnin legjitimitet.
Në realitetin shqiptar anakronik, armik është ai që shpallet nga shteti si i tillë, nga ai që ka zaptuar shtetin. “Pjesë e shtetit është “jus belli”, pra mundësia reale e shpalljes së armiqve dhe luftimit të tyre me vendim të tijin” Ai që përcakton armikun është udhëheqja e shtetit, pikërisht instanca ekzekutive, përgjegjëse për politikën. Në monarki ky është monarku. Në diktaturë është vetëm diktatori.
Një politikë e tillë e ngjashme ndodh akoma në shumë vende të Afrikës dhe për fat të keq plotësisht edhe në Shqipërinë autoritariste dhe cilido që i konsideron të neveritshme dhe të papranueshme metodat e sotme të rafinuara për vrasjen politike të çdo individi që prosperon demokraci, mos harrojë, se shumë shpejt, atë “varr” që po kërkon të hapë për tjetrin, duhet të mbajë në konsiderate, që aty do të gjejë edhe fundin e tij.
©Ylli Dylgjeri












