Opinione

Në përvijimet e tanishme bullgaro-maqedonase shqiptarët duhet të kërkojnë barazi kushtetuese - Nga Jusuf Buxhovi

Në vend se të implikohet në çështjet identitare që u përkasin maqedonasve dhe bullgarëve, faktori politik shqiptar në Maqedoni, që deri me tash i ka anashkaluar apo manipulur kërkesat e drejta të shqiptarëve për barazi kushtetuese, duhet t’i rikthehet kodit të barazisë. Pra, të kërkohet barazi kushtetuese dhe assesi ligjore. Ndërsa, Shqipëria zyrtare, duhet të ketë kujdes, që me deklarime jodiplomatike, siç ishin ato të fundit të kryeministrit shqiptar në Bruksel, të mos bëhet e anshme në “kazanin ballkanik” në dobi të polit “serbo-rus”!

Kohëve të fundit, raportet  midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, nga ato të natyrës ndershtetërore, kanë zënë të kthehen në aso identitare, pak a shumë, mbi modelin e matricës politike të shekullit nëntëmbëdhjetë, kur e ashtuquajtura “krizë e Maqedonisë”, e inskenuar qëllimisht nga Bullgaria, Serbia dhe Greqia për qëllime hegjemoniste të përvetësimit të tre vilajeteve në hapësirën europiane të Perandorisë Osmane (Kosovës, Manastirit dhe të Janinës, të shumtën  të banuar me popullatë shqiptare) në kuadër të shteteve të tyre nacionale.

Ndonëse realitetet e tanishme politike në këtë hapësirë, me krijimin e shteteve nacionale: Serbisë, Greqisë, Bullgarisë qysh në shekullin XIX dhe të Shqipërisë në shekullin XX dhe të  Kosovës në shekullin XXI, përjashtojnë stereotipet e një krize për territore të vilajeteve osmane në formën e pushtimeve që do të vendoste raporti i forcave, siç ishte ai i krijuar  gjatë Luftës së Parë Ballkanike në vitin 1912,  megjithatë, spostimi i saj në çështje “identitare” të mbështetura mbi gjuhën dhe “historinë e përbashkët” të një etnie sllavofone të degëzuar mbi shtrirjen gjeografike (njëra pjesë në Bullgari dhe tjetra në Maqedoninë e Veriut), e përkufizuar në dy realitete shtetërore: atë të Bullgarisë nga vitit 1908 si dhe të Maedonisë,  si republikë në kuadër të Jugosllavisë së Titos (nga viti 1945-1991) kur me shpërbërjen e saj ajo do të shpallë pavarësinë, fillimisht si ish republika federale e Maqedonisë në Jugosllavi, mandej si Maqedoni, që më marrëveshjen e Prespës do të emërtohet Maqedoni e Veriut, prej nga ajo edhe do të zhvishet “nga identiteti i përvetësuar antik” rreth njëzetvjeçar për t’iu kthyer atij sllavofon, megjithatë lë për të kuptuar se çështjet e së kaluarës jo vetëm që nuk janë mbyllur, por ato, në forma të ndryshme, qoftë edhe te  ndonjë “ridefinimi kulturor” e të ngjashme, mund të kthehen në tektonizma politike, që shpërndahen tutje “qendrës”, siç shfaqet ajo e sotmja midis Shkupit zyrtar dhe Sofjes rreth “identietit të përbashkët gjuhësor” e me këtë edhe “të historisë”, që doemos prek edhe faktorët tjerë rajonalë deri te përmasat gjeostrategjike.

Pa hy te çështjet e hapura identitare midis etnisë sllavofone të këtij rajoni (asaj bullgare dhe maqedonase) mbi emërtimin gjeografik dhe ndjesisë së tyre në rrethanat e ndryshme politike që përcaktuan edhe konfigurimet e tanishme shtetetërore qoftë edhe mbi platformën komb-shtet (në rastin e parë) dhe të asaj shtet-komb (në rastin e dytë) dhe të juridiksionit të tyre ndërkombëtar, çështje këto që u takojnë atyre që t’i zgjidhin në përputhje me realitet e reja, megjithatë për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, si shtetas të saj, konfliktet “identitare” midis shtetit bullgar dhe atij të Maqedonisë së Veriut, pa u implikuar me asgjë në dimensionin e saj të brendshëm  se çfarë përgjigje do t’i japin çështjes së gjuhës, të kulturës së përbashkët dhe dimensioni historik, pra që t’u iket çështjeve që implikojnë gjeopolitikën kur faktori shqiptar në rajon është bukur shumë i margjinalizuar dhe me anatemat që atë e lidhin me krimin e organizuar dhe islamin politik, duhet të shikohen vetëm nga prizmi shtetëror, që të mos prekën shtyllat e saj të brendshme, meqë vetëm ashtu, duke u përjashtuar faktorët e jashtëm (serb dhe grek), ata dhe interesat e tyre mbesin në lojë.

Ky qëndrim konsekuent i faktorit politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut, pra që e gjithë çështja të vendoset në planimetrinë shtetërore, duhet të sherbejë si shkas që në raportet midis Shkupit dhe Sofjes, por edhe ato ndërkombëtare (në kuadër të NATO-s dhe anëtarësimit në BE), të shtrohet çështja e statusit të tyre në kuadër të Maqedonisë së Veriut si popull shtetformues, çështje kjo së cilës nuk i ka dhënë përgjigje as marrëveshja e Ohrit, për ç’gjë edhe shpërtheu edhe konflikti i armatosur i vitit 2001, e as ajo e Prespës.

Përkundrazi, edhe në aktet e Ohrit, si dhe në ata të Prespës, përkundër përfaqësimit politik të shqiptarëve  në jetën parlamentare dhe atë të strukturave qeverisëse deri në nivelet më të larta dhe të rritjes së shkallës së tyre në institucionet shtetërore, nuk është arritur që shqiptarët, në përputhje me konceptin e qytetarisë të jenë qytetarë të barabartë të shtetit Maqedoni e Veriut. Sepse, krahas inercisë së kombit-shtet të politikës maqedonase, që në njëfarë mënyre është pranuar heshtas edhe nga faktori ndërkombëtar, si dhe pasojave diskriminuese për shqiptarët etnikë, klasa politike e dalë nga lufta e vitit 2001, përqendrimin tek arritja e barazisë, e ka zëvendësuar me ambiciet për përvetësime personale, gjithnjë duke u bërë pjesë shërbyese e skemave të strukturave maqedonase - zotëruese të krimit ekonomik.

Akomodimi i shpejtë i politikanëve shqiptarë  brendapërbrenda strukturave kriminale, korrupsioni, nepotizmi dhe kapja e resurseve ekonomike në nivelet vendore, ka ndikuar që interesat kombëtare, që e motivuan edhe kryengritjen e armatosur të vitit 2001, jo vetëm të anashkalohen, por edhe të shtrembërohen me anën e mashtrimeve të hapura, siç është ai i manipulimit të barazisë kushtetuese të shqiptarëve dhe gjuhës së tyre, e formuluar në kushtetutë, me të ashtuquajturën barazi ligjore të gjuhës shqipe, si kategori e të drejtave elementare njerëzore (për çfarë nuk nevojiten as formulime të veçanta meqë ato nënkuptohen) tek “barazia ligjore”.

Fakt ky që shqiptarët si etni e vetme kulturore dhe historike nga antikiteti në këtë hapësirë, i kthen në pakicë nacionale, në minoritet, të drejtat e të cilit kushtëzohen me logjikën e numrave! Pra, aty ku ka mbi 20% të popullatës, mund të kërkohet “barazia ligjore”, në administratë, shkollim dhe jetë institucionale (mbishkrime lokale e të tjera). Dhe, aty ku kjo përqindje bie (siç ndodh tashmë me disa qytete shqiptare që gjithnjë e më shumë rrudhen nga faktori demografik), atëherë ata privohen nga “barazia ligjore”. Ky diskriminim kushtetues sot është fakt i pranuar nga përfaqësuesit politikè të shqiptarëve.

Në këto, rrethana pra, hapja e çështjeve identitare apo çfarëdo midis Shkupit dhe Bullgarisë doemos se duhet të përcillet edhe me vendosmërinë që në kushtetutën e shtetit shqiptarët të përcaktohen si popull i barabartë shtetformues, ndërsa gjuha e tyre si gjuhë kushtetuese. Të tjerat janë mashtrime dhe veprime që historia dihet se çfarë gjykimi u jep.        

Realiteti i pabarazisë së shqiparëve në Maqedoninë e Veriut, gjithësesi duhet të brengosë Shqipërinë zyrtare si dhe Kosovën. Por, jo në formën e deritanishme, të blanko përkrahjes së shtetit maqedonas si faktor “stabilizues paqeje në rajon”, dhe as përkrahjes së strukturave politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, përgjegjëset kryesore të gjendjes diskriminuese të shqiptarëve në Maqedoni me statusin e pakicës dhe tendencat e asimilimit të hapur nga logjika e “barazisë së numrave”.

Kundruall këtyre realiteve, kur në nivelet ndërshetërore  midis Shkupit dhe Sofjes shtrohen çështje të tilla që prekin edhe raportet politike në BE (statusin e kandidatëve për anëtarësim), të cilat Bullgaria po mundohet t’i shfrytëzojë si kartë për interesat e veta (siç ishte vetoja e paradoditshme në Këshillin Europian, që pas pak edhe e tërhoqi), politika zyrtare e Shqipërisë,  nuk guxon të tregojë naivitet e as anshmëri të dëmshme, siç ndodhi me rastin e prononcimit të kryeministrit shqiptar kur Bullgaria vuri veto ndaj hapjes së procesit të anëtarësimit të Maqedonisë. Ndonëse kjo nuk prekte statusin e Shqipërisë në këtë proces, kryeministri shqiptar, pa takt politik dhe diplomatik, hodhi breshëri ndaj Sofjes zyrtare dhe u bë i anshëm në gjithë këtë përvijim.

Qendrimet të tilla, në “kazanin ballkanik” doemos së përcillen me pasoja, veçmas kur dihet se, në këtë rast, ata kanë dy pole: atë serbo-rus në njërën anë dhe bullgaro-europian, në anën tjetër.

©Jusuf Buxhovi